Botë

Mbi 60 mijë ukrainas mbesin pa energji elektrike nga sulmet ruse

Ukraine

Foto: Associated Press

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur të dielën se gati 60,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmit ajror të Rusisë gjatë natës në rajonin e Zaporizhzhisë në vijën e frontit të Ukrainës, ndërsa dy persona janë vrarë në rajonin jugor të Odesës.

Ndërsa dimri po afron, Rusia ka shtuar sulmet me raketa dhe dronë në rrjetin elektrik të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje dhe duke detyruar ekipet e emergjencës së Kievit të nxitojnë për të riparuar dëmet dhe për të menaxhuar ndërprerjet e energjisë.

Sulmi në Zaporizhzhia ka lënë dy persona të plagosur ka bërë të ditur guvernatori rajonal, Ivan Federov, në aplikacionin e mesazheve Telegram.

"Ekipet do të rikthejnë energjinë sapo situata e sigurisë ta lejojë", ka thënë Fedorov në Telegram.

Zaporizhzhia përballet pothuajse çdo ditë me sulme artilerie, raketash dhe dronësh ruse që kanë shkatërruar shtëpi, kanë dëmtuar shërbimet dhe kanë vrarë dhjetëra persona, teksa Moska ushtron presion mbi mbrojtjen e Ukrainës dhe prish lidhjet midis jugut të saj dhe pjesës tjetër të vendit.