Botë

Dita 36 - Mbyllja e qeverisë bëhet më e gjata në historinë e SHBA-së

Donald Trump

Foto: Associated Press

Mbyllja e qeverisë amerikane ka hyrë të mërkurën në ditën e 36-të, duke e bërë atë më të gjatën në historinë e SHBA-së.  

Mbyllja, e cila ka filluar më 1 tetor, është shkaktuar nga pamundësia e Kongresit për të rënë dakord për një marrëveshje të re financimi. Ajo i ka lënë punonjësit e qeverisë pa paga dhe miliona amerikanë pa shërbime thelbësore.

Demokratët dhe republikanët kanë mbetur të bllokuar për javë të tëra pa asnjë shenjë kompromisi - megjithëse disa shkëndija shprese po fillojnë të shfaqen, raporton BBC.

Udhëheqësi i shumicës John Thune, republikani më i lartë i Senatit, ka deklaruar se instikti i thotë se një përparim i mundshëm mund të jetë në horizont.

"Unë thjesht mendoj, bazuar në një farë mënyre në instinktin tim se si funksionojnë këto gjëra, se po i afrohemi një daljeje nga situata këtu”, ka thënë Thune.

Rekordi i mëparshëm i mbylljes së qeverisë ka ndodhur gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit si president, dhe ka zgjatur 35 ditë, para se të përfundonte në vitin 2019.

Në javët që nga fillimi i kësaj mbylljeje, ndikimi tek amerikanët e zakonshëm është përkeqësuar.

Mijëra punonjës federalë kanë humbur tashmë pagat dhe ka frikë për ndikim në rritje në udhëtimet ajrore në të gjithë SHBA-në, pasi kontrollorët e trafikut ajror dhe stafi i aeroportit punojnë pa pagesë.

Të martën, Sekretari i Transportit, Sean Duffy i ka thënë Fox Neës se disa zona të hapësirës ajrore të SHBA-së mund të duhet të mbyllen nëse mbyllja e qeverisë vazhdon. Rreth 13,000 kontrollorë të trafikut ajror, të cilët janë punonjës qeveritarë, kanë punuar pa pagesë për shkak të mbylljes.

Ndikimet janë ndjerë edhe nga amerikanët me të ardhura të ulëta që mbështeten në shërbimet qeveritare. 

Një në tetë persona në SHBA varen nga ndihma ushqimore nga Programi i Ndihmës Plotësuese për Ushqimin (Snap), por vetëm një pjesë e kësaj ndihme po paguhet këtë muaj për shkak të ndërprerjes së financimit.