Mbi 200 persona janë ende të zhdukur në një nga distriktet e veri-perëndimit të Pakistanit si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut shkatërruese të shkaktuara nga shirat musonike, ka thënë një zyrtar.
Përmbytjet e papritura kanë lënë më shumë se 300 viktima në Pakistan dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani, gjatë ditëve të fundit, me shumicën e viktimave të regjistruara në provincën malore të Khyber Pakhtunkhwa.
Një zyrtar lokal në distriktin më të prekur Buner i ka thënë BBC-së se të paktën 209 persona janë ende të zhdukur atje, por frikësohet se ky numër mund të rritet.
Ekipet e shpëtimit kanë varrosur tetë trupa të panjohur pasi nuk janë gjetur anëtarë të familjeve që mund t'i kërkonin ata, ka thënë Jehangir Khan, zëdhënës i zyrës së nënkomisionerit të Bunerit.
Disa të afërm gjithashtu nuk mund të marrin trupat e të dashurve të tyre, pasi rrugët janë dëmtuar rëndë, shtoi ai.
Një zëdhënës i ekipeve të shpëtimit në provincë i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se rreth 12 fshatra janë komplet të zhdukura
Asfandyar Khattak, kreu i autoritetit për menaxhimin e katastrofave në provincë, ka thënë se “dhjetëra” persona janë të zhdukur në distriktin Shangla.
Shirat musonike ndërmjet qershorit dhe shtatorit sjellin rreth tre të katërtat e reshjeve vjetore të Azisë Jugore.