Botë

“Merr atë që mundesh” - nxitimi global për pasaportë të dytë

Pasaporta

Posedimi i disa pasaportave mund të jetë shpëtim në një botë gjithnjë e më të pasigurt, thonë ekspertët. Ata këshillojnë që secili person ta ketë të paktën një shtetësi tjetër, pavarësisht se në çfarë forme mund ta arrijë atë.

Udhëtimi nga një shtet në tjetrin pa kufizime. Radhë më të shkurtra në kufi. E drejta për të jetuar dhe punuar në destinacionin e ëndrrave, ose për t’u rilidhur me rrënjët familjare. E gjithë kjo dhe shumë më tepër, është ëndrra e atyre që kërkojnë shtetësi të dyfishtë. Dhe në këtë grup përfshihet edhe aktori George Clooney, i cili festoi fundin e vitit 2025 duke fituar shtetësinë franceze për veten dhe familjen e tij.

Shtetësia e dyfishtë - aftësia për të qenë qytetar i dy (ose më shumë) shteteve, ka qenë prej kohësh e popullarizuar mes udhëtarëve, emigrantëve dhe ëndërrimtarëve. Në një botë me gjithnjë e më shumë burokraci, kush nuk do të donte të shmangte radhët e gjata në kontrollin e pasaportave dhe të kalonte lirshëm si vendasit? Për ata që, si Clooney, ëndërrojnë të jetojnë dhe punojnë në një shtet tjetër, por nuk kanë një punëdhënës që t’i sponsorizojë, fitimi i një shtetësie tjetër mund të jetë çelësi që hap atë derë. Edhe për ata që nuk planifikojnë të shpërngulen, kjo mund të jetë transformuese.

Por në politikën e shekullit XXI, era mund të jetë duke fryrë kundër shtetësisë së dyfishtë. Në vitin 2025, disa vende evropiane shtrënguan kërkesat për shtetësinë me prejardhje dhe për të ashtuquajturat programe të “pasaportave të arta”, të cilat u japin shtetësi investitorëve të mëdhenj. Ndërsa në SHBA, senatori republikan i Ohajos, Bernie Moreno, ka folur për idenë e një “Akti të Shtetësisë Ekskluzive” që do t’u ndalonte amerikanëve të mbanin shtetësi të tjera.

Sa e zakonshme është shtetësia e dyfishtë?

Nuk ka mënyrë për të ditur shifrat e sakta, thotë Peter Spiro, profesor i së drejtës në Universitetin Temple. Kjo sepse shumica e vendeve nuk u kërkojnë qytetarëve të deklarojnë nëse mbajnë më shumë se një shtetësi.

Megjithatë, një gjë duket e qartë: shtetësia e dyfishtë po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar. Në regjistrimin e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2021, 2.1% e banorëve të Anglisë dhe Uellsit mbanin më shumë se një pasaportë, rreth dyfishi i rezultatit të vitit 2011, kur 1.1% e popullsisë u vetëdeklaruan si qytetarë me shtetësi të dyfishtë. Ndërsa në një sondazh të fundit të “YouGov” në SHBA, 6% e të anketuarve u vetëdeklaruan si qytetarë me shtetësi të dyfishtë.

Cilët njerëz mbajnë më shumë se një shtetësi?

Që nga ekzistenca e migrimit, shumë emigrantë që natyralizohen në një vend të ri kanë dashur të ruajnë shtetësinë e origjinës. Në dekadat e fundit, edhe të pasurit e kanë përqafuar shtetësinë e dyfishtë si një mënyrë për të zgjeruar mundësinë e lëvizjes nëpër botë.

Tani, ndërsa bota po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, interesimi po zgjerohet. Një sondazh i “Gallupit” në nëntor zbuloi se një në pesë amerikanë do të dëshironte të emigronte, përfshirë 40% të grave të moshës 15–44 vjeç, një rritje prej 400% krahasuar me një sondazh të ngjashëm në vitin 2014.

Ky “oreks” për një fillim të ri jashtë vendit reflektohet në rritjen e numrit të aplikantëve për pasaporta të dyta, thotë Dominic Volek, drejtues i klientëve privatë në “Henley & Partners”, një kompani që ndihmon individë me pasuri të madhe të fitojnë shtetësi të dyfishtë në mbarë botën. Në vitin 2025, ata ndihmuan klientë nga 91 shtetësi të ndryshme, por amerikanët ishin në krye të listës.

“Tre ose katër vjet më parë nuk kishim zyrë në SHBA dhe tani kemi nëntë”, thotë ai, duke shtuar se ka pasur një “rritje të madhe” të numrit të amerikanëve që kërkojnë shtetësi të dyfishtë.

Ata përfshijnë persona të pakënaqur me politikën amerikane (nga të dy krahët), si dhe individë jashtëzakonisht të pasur që gjatë kufizimeve të udhëtimit në kohën e Covidit kuptuan se pasaporta amerikane nuk hapte aq shumë dyer sa mendonin. Klientët amerikanë tani përfaqësojnë 30% të biznesit të kompanisë, shton Volek.

Edhe numri i qytetarëve britanikë është rritur ndjeshëm në pesëshen e parë të “Henleyt”, thotë Volek, pasi Brexiti ua hoqi lirinë e lëvizjes brenda Bashkimit Evropian. Ai shton se politikat më të ashpra tatimore të propozuara nga qeveria aktuale laburiste kanë shtyrë disa britanikë të pasur të shikojnë mundësi jashtë vendit.

Këto ndryshime shënojnë një përmbysje të modeleve para pandemisë, kur kërkesa nxitej kryesisht nga banorët e vendeve në zhvillim që përballeshin me paqëndrueshmëri politike ose ekonomike, thotë Volek. Sot, pesë tregjet kryesore të “Henleyt” janë: SHBA-ja, India, Turqia, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar.

Volek thotë se trendi nuk ka të bëjë më kryesisht me zhvendosjen. Në kohë të trazuara, pasja e një pasaporte të dytë (ose të tretë, apo të katërt) bëhet një “policë sigurimi”.

“Ka shumë përfitime dhe asnjë disavantazh”, thotë Spiro, i cili ka shkruar disa libra mbi shtetësinë. “Dhe përfitimet janë kuptuar shumë më mirë pas turbulencave politike në SHBA”.

Cilat janë rrugët kryesore për të fituar shtetësi në një vend tjetër?

Shumica e njerëzve kualifikohen për një shtetësi të dytë përmes njërës prej tri rrugëve: prejardhja, investimi ose natyralizimi. Shtetësia me prejardhje zakonisht kërkon të provosh se paraardhësit e tu vinin nga një vend i caktuar, me rregulla që ndryshojnë nga shteti në shtet për sa breza prapa lejohet, dhe nëse natyralizimi i një paraardhësi në një vend tjetër e ndërpret linjën.

Shtetësia me natyralizim përfshin qëndrimin e ligjshëm në një vend për një periudhë të caktuar, zakonisht nga pesë deri në 10 vjet, përpara aplikimit. Kërkesat shpesh përfshijnë kontroll të së kaluarës penale, njohuri gjuhësore, provime mbi historinë dhe kulturën, ose prova të karakterit të mirë. Edhe pasi plotësohen kriteret, miratimi nuk është i garantuar dhe procesi mund të zgjasë me vite. As nuk është i lirë. Për shembull, tarifa për t’u natyralizuar si qytetar britanik është 2,335 dollarë.

Shtetësia përmes investimit është diçka tjetër, e krijuar për individë me pasuri të lartë që mund të injektojnë para në ekonominë lokale. Aplikantët investojnë në vend dhe ose marrin menjëherë pasaportë, ose leje qëndrimi që mund të çojë më vonë në shtetësi.

Cilat janë përfitimet e shtetësisë së dyfishtë?

Ato janë të shumta. Shtetësia e dyfishtë mund t’u mundësojë njerëzve të shpërngulen në një vend tjetër, të hapë dyert për mundësi pune dhe të krijojë mundësi të reja arsimore për fëmijët e tyre. “Nëse fëmijët tuaj janë të interesuar të punojnë ose të studiojnë në BE, mund ta bëjnë pa pengesa”, thotë Spiro për shtetësitë evropiane, gjithmonë shumë të kërkuara.

Në varësi të pasaportës, ajo mund të ofrojë edhe udhëtime pa viza ose mundësinë për të blerë pronë apo për të hapur biznes jashtë vendit. “Është zgjedhje e qartë për ata që janë të kualifikuar”, shton Spiro.

Në nivel emocional, fitimi i një shtetësie të dytë mund të forcojë lidhjet me atdheun e paraardhësve ose të ofrojë një lidhje me një vend të admiruar prej kohësh. Disa diaspora, si ajo irlandeze dhe italiane, kanë ndihmuar në përmirësimin e reputacionit të vendeve të tyre në mbarë botën. “Kjo ka nxitur një identitet kulturor italian transnacional dhe ka përforcuar vlerën e qëndrueshme që Italia i jep lidhjes familjare”, thotë avokatja Adriana Coco Ruggeri, e specializuar në çështjet e shtetësisë italiane.

Po disavantazhet?

Çuditërisht janë të pakta, megjithëse mund të jenë të rëndësishme. SHBA-ja dhe Eritrea i taksojnë qytetarët e tyre pavarësisht se ku jetojnë, që do të thotë se shtetasit me dy nënshtetësi përballen me detyrime tatimore edhe pasi shpërngulen jashtë vendit. Vende të tjera përdorin sistemin e taksimit bazuar në vendbanim, gjë që sërish mund të çojë në fatura më të larta tatimore.

Rreziqet nuk mbarojnë këtu. Italia, e cila e kufizoi ndjeshëm shtetësinë me prejardhje në vitin 2025, ka propozuar që italianët që jetojnë jashtë vendit të paguajnë një tarifë vjetore prej 2,000 eurosh për të pasur qasje në sistemin shëndetësor të vendit. Qytetarët mund të heqin dorë nga kjo, por kushdo që kërkon shërbime shëndetësore më vonë do të duhet të paguajë në mënyrë retroaktive për vitet e pashfrytëzuara. Ky propozim pasqyron një politikë të vitit 2024 që kërkon nga banorët jashtë BE-së në Itali të paguajnë të njëjtën tarifë vjetore.

Shërbimi ushtarak mund të paraqesë gjithashtu komplikime. Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Volek thotë se kishin klientë nga të dyja vendet që jetonin jashtë.

“Nëse pasaporta e tyre skadonte, do t’u kërkohej të ktheheshin në vend për ta rinovuar,” thotë ai. “Kjo, sigurisht, barte rrezikun e thirrjes në shërbim ushtarak”.

“Por nëse kishe një pasaportë nga Karaibet, mund ta lije pasaportën ruse ose ukrainase të skadonte dhe prapë të udhëtoje, të bëje biznes dhe gjithçka që të nevojitej me shtetësinë e dytë”, shpjegon ai.

Një tjetër rrezik është mundësia për të hequr dorë nga shtetësia. Disa vende, përfshirë Argjentinën dhe Iranin, nuk e njohin heqjen dorë nga shtetësia. Turqia e lejon heqjen dorë, por për burrat vetëm pas përfundimit të shërbimit ushtarak ose pagesës së një tarife përjashtimi. Burrat nën moshën 45 vjeç që nuk i përmbushin këto kushte penalizohen si shmangës të shërbimit dhe nuk mund të heqin dorë nga shtetësia.

Së fundi, vlera e një pasaporte të dytë nuk është e qëndrueshme. Programi i shtetësisë përmes investimit i Grenadës ka qenë prej kohësh popullor, sepse qytetarët e Grenadës mund të marrin vizën E-2 për investitorë në SHBA, e cila lejon qëndrimin. Por në vitin 2025, Washingtoni i shtrëngoi rregullat, duke kërkuar që aplikantët të kenë jetuar në Grenadë për tre vjet.

“Vendet pritëse po bëhen më të vetëdijshme për këto përdorime të llogaritura të shtetësisë”, paralajmëron Spiro. (Vijon në numrin e ardhshëm ku do të mund të lexoni se çfarë është Akti Amerikan i Shtetësisë Ekskluzive, cilën pasaportë përdorin për të udhëtuar shtetasit me dy nënshtetësi a e ndalojnë disa vende shtetësinë e dyfishtë dhe a është e nevojshme në kohën e sotme një shtetësi e dytë.

Çfarë është Akti Amerikan i Shtetësisë Ekskluzive?

Në dhjetor, senatori Bernie Moreno, republikan nga Ohio, hodhi idenë e Aktit të Shtetësisë Ekskluzive të vitit 2025. Moreno, i lindur në Kolumbi dhe i natyralizuar si qytetar amerikan në moshën 18-vjeçare, ka argumentuar se amerikanët duhet t’iu detyrohen me “besnikëri të vetme dhe ekskluzive Shteteve të Bashkuara”.

“Nëse do të jesh amerikan, është gjithçka ose asgjë”, tha ai në një deklaratë që njoftonte projektligjin.

Peter Spiro, profesor i së drejtës në Universitetin Temple, e hedh poshtë propozimin si kryesisht simbolik.

“Kjo nuk ka shanse për shumë arsye”, thotë ai, duke parashikuar kundërshtim “të fortë” nga të dyja partitë politike.

“Shumë njerëz kanë shtetësi të dyfishtë, përfshirë bashkëshorten dhe fëmijën e Donald Trumpit. Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, thotë ai.

“Dhe edhe sikur të ndodhte? Është qartësisht antikushtetuese”, shton ai.

Spiro thotë se gjëja më interesante në propozimin e Morenos është vëmendja që ka marrë, gjë që, sipas tij, lidhet pjesërisht me numrin e amerikanëve me shtetësi të dyfishtë.

Reagimet kanë qenë të përziera. Një sondazh i “YouGov” i kryer pas njoftimit të Morenos zbuloi se 45% e të anketuarve besonin se njerëzit nuk duhet të detyrohen të heqin dorë nga shtetësia e tyre origjinale kur natyralizohen si amerikanë, ndërsa 31% pajtoheshin me senatorin. Megjithatë, qëndrimet ndryshuan kur të anketuarit menduan për statusin e tyre, pasi 56% thanë se amerikanët që fitojnë një shtetësi tjetër nuk duhet të detyrohen të heqin dorë nga pasaporta amerikane, dhe 65% thanë se nuk do të hiqnin dorë nga shtetësia amerikane nëse vetë do të fitonin një tjetër.

Cilën pasaportë përdorin për të udhëtuar shtetasit me dy nënshtetësi?

Shtetasit me dy nënshtetësi zakonisht përdorin pasaportën e vendit ku po hyjnë ose nga ku po dalin. George Clooney, për shembull, do të dilte nga Shtetet e Bashkuara me pasaportë amerikane, do të hynte në Bashkimin Evropian me pasaportë franceze dhe do ta kthente procesin mbrapsht gjatë rikthimit.

A e ndalojnë disa vende shtetësinë e dyfishtë?

Po. Nëse ndonjëherë do të miratohej ligji i propozuar nga Moreno, SHBA-ja do t’i bashkohej një grupi të vogël vendesh që e ndalojnë plotësisht shtetësinë e dyfishtë, përfshirë Iranin, Kubën dhe Korenë e Veriut. Dhjetëra vende të tjera ndjekin politika të ngjashme, përfshirë Singaporin, të cilin “Henley” e rendit si vendin me pasaportën më të fuqishme në botë.

Kina, India dhe Japonia nuk e njohin shtetësinë e dyfishtë, megjithëse India u lejon qytetarëve që fitojnë një shtetësi tjetër të ruajnë një status të kufizuar të njohur si Shtetësi Jashtëterritoriale e Indisë (OCI).

Vende të tjera e kufizojnë shtetësinë e dyfishtë. Spanja u kërkon të huajve të heqin dorë nga shtetësia ekzistuese, përveç rasteve kur vijnë nga ish-koloni spanjolle ose disa vende të tjera, si Portugalia ose Franca. Shtetasit spanjollë që fitojnë një shtetësi të dytë (jashtë këtij grupi) do ta humbasin shtetësinë spanjolle nëse nuk bëjnë një kërkesë formale për ta ruajtur atë brenda tre vjetëve.

Edhe Holanda e dekurajon shtetësinë e dyfishtë, shpesh duke kërkuar heqje dorë dhe, në disa raste, duke e revokuar automatikisht shtetësinë holandeze kur fitohet një tjetër.

A po i shtrëngojnë vendet kërkesat?

Po. “Kërkesa është e pandalshme, vetëm sa rritet”, thotë Dominic Volek, drejtues i klientëve privatë në “Henley & Partners”, një kompani që ndihmon individë me pasuri të madhe të fitojnë shtetësi të dyfishtë në mbarë botën. “Por nga ana e ofertës ka një shtrëngim të qartë”, shton ai.

Disa vende, veçanërisht në Evropë, i shtrënguan kriteret për shtetësi në vitin 2025.

Italia nxori një dekret emergjent në vitin 2025 që kufizon shtetësinë me prejardhje në dy breza, duke kërkuar që paraardhësi më i fundit në linjë të ketë lindur në Itali dhe të ketë vdekur vetëm si qytetar italian. Disa gjyqtarë tashmë e kanë referuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese të Italisë, e cila ka caktuar një seancë për muajin mars 2026.

“Gjykata ka shumë gjasa ta rrëzojë ose ta ndryshojë, pasi në thelb përbën një heqje të përgjithshme të shtetësisë së fituar në lindje, diçka që lejohet vetëm në kushte specifike (siç është konfirmuar nga vendimet e Gjykatës së BE-së), të cilat nuk janë të pranishme në këtë rast”, parashikon avokatja Adriana Coco Ruggeri.

“Ai shkel parimet kushtetuese duke hequr në mënyrë retroaktive të drejta tashmë të fituara dhe të mbrojtura nga Kushtetuta italiane, si shtetësia, uniteti familjar dhe identiteti individual e kolektiv, mungon proporcionaliteti dhe është miratuar përmes një dekreti emergjent pa urgjencë reale, duke anashkaluar shqyrtimin e duhur legjislativ”, shton ajo.

Portugalia gjithashtu ka kërkuar të shtrëngojë rregullat, duke propozuar rritjen e periudhës së qëndrimit për natyralizim nga pesë në 10 vjet. Masa u bllokua nga Gjykata Kushtetuese e vendit, e cila evidentoi elemente antikushtetuese dhe e ktheu ligjin për rishikim.

Suedia ka njoftuar plane për ta rritur kërkesën e qëndrimit nga pesë në shtatë vjet, ndërsa Polonia ka propozuar rritjen e pragut nga tre në tetë vjet.

Disa rrugë të vjetra po mbyllen. Rruga e shpejtë e Portugalisë për pasardhësit e hebrenjve sefardikë të dëbuar në shekullin XV është mbyllur, ndërsa programi i ngjashëm i Spanjës ka përfunduar. Spanja ende ofron një rrugë të shkurtuar natyralizimi, dy vjet në vend të 10-të, për aplikantët që mund të provojnë prejardhje sefardike.

Gjermania ka një rrugë të veçantë për ata që humbën shtetësinë nën regjimin nazist. Italia, e cila ua hoqi hebrenjve të drejtat civile në vitin 1938, nuk ka një rrugë të ngjashme për ata që u larguan nga fashizmi

Çfarë po ndodh me shtetësinë përmes investimit?

Autoritetet evropiane kanë vepruar ashpër për të frenuar të ashtuquajturat programe të pasaportave të arta, duke argumentuar se ato e reduktojnë shtetësinë në një transaksion tregtar. Malta e shfuqizoi programin e saj në vitin 2025 pas një vendimi të gjykatës më të lartë të Bashkimit Evropian. Qiproja dhe Bullgaria e kishin bërë më herët, ndërsa Spanja i dha fund skemës së vizës së artë po atë vit, duke ndjekur shembullin e Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Por vende të tjera vazhdojnë. Disa shtete të Karaibeve, përfshirë Antiguan dhe Barbudën, Dominikën, Shën Luçinë, Grenadën dhe Shën Kits dhe Nevis, ofrojnë shtetësi në këmbim të investimit, duke dhënë qasje pa viza në pjesën më të madhe të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Volek thotë se shumë investitorë janë amerikanë që kërkojnë të fitojnë një dokument udhëtimi politikisht neutral.

A ka ndonjë mënyrë tjetër për t’u kualifikuar?

Siç do ta dinin George dhe Amal Clooney, ndihmon të kesh miq në pozita të larta. Çifti dhe fëmijët e tyre u pajisën me shtetësi franceze me kërkesë të ministrit të Jashtëm të vendit, sipas një dispozite për “qytetarë të shquar”. Kjo ndodhi në fund të vitit 2025, disa ditë përpara se kërkesat për gjuhën dhe qytetarinë të ashpërsoheshin.

Tom Hanks, Rita Wilson dhe fëmijët e tyre u pajisën me shtetësi greke në vitin 2020. Aktorët zotërojnë prona në vend dhe kishin promovuar publikisht zjarret shkatërruese të vitit 2018, kishte thënë më herët ministri i Brendshëm i Greqisë për CNN.

Çka tjetër duhet ditur?

Ekziston një dallim midis asaj që thonë rregullat dhe asaj që njerëzit mund të bëjnë në praktikë. Disa njerëz arrijnë të mbajnë disa shtetësi, edhe në rrethana që teknikisht nuk do të duhej të lejoheshin, ndoshta sepse një vend e njeh dhe tjetri jo. Zbatimi i ligjit gjithashtu mund të jetë i paqëndrueshëm.

Çfarë fitojnë vendet “pritëse”?

Qeveritë mund të mos reklamojnë çdo rrugë të mundshme. Në Itali, për shembull, udhëzimet zyrtare për një kohë të gjatë deklaronin se shtetësia nuk mund të transmetohej përmes nënës përpara vitit 1948, një qëndrim që gjykatat italiane e kanë rrëzuar vazhdimisht që nga viti 2009.

Për këtë arsye, nëse ke çfarëdo lidhjeje me një vend tjetër, gjithmonë ia vlen të konsultohesh me një specialist për të vlerësuar opsionet.

Shtetet e vogla ose të cenueshme po eksperimentojnë me modele investimi të synuara. Nauru, republika e tretë më e vogël në botë në Mikronezi, nisi në vitin 2024 Programin e Shtetësisë për Qëndrueshmëri Ekonomike dhe Klimatike, i cili për shtetësi kërkon një kontribut minimal prej 105,000 dollarësh në fondin e qëndrueshmërisë klimatike të ishullit. Pasaporta e Naurus mundëson udhëtime pa viza në 85 shtete, përfshirë Hong-Kongun, Singaporin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Volek, kompania e të cilit punoi në këtë projekt, parashikon se qytetarët e rinj të Naurus do të mbledhin rreth 50 milionë dollarë për të “shpëtuar fjalë për fjalë vendin… duke zhvendosur njerëzit në pjesën qendrore të ishullit dhe duke vendosur mekanizma për përballimin e ndryshimeve klimatike”.

A ka vende për t’u mbajtur nën vëzhgim?

Disa shtete po i përsosin skemat e shtetësisë përmes investimit në vend që t’i braktisin ato. Argjentina pritet të nisë këtë vit një program që kërkon një investim minimal prej 500,000 dollarësh, ndërsa El Salvadori ka prezantuar një rrugë shtetësie të lidhur me investimin në Bitcoin. Asnjëra nuk kërkon qëndrim dhe pasaporta argjentinase ofron qasje në bllokun e fuqishëm Mercosur të vendeve të Amerikës së Jugut.

Volek parashikon se qeveritë do të vazhdojnë të ngushtojnë kriteret e pranueshmërisë, ndërsa do të dizajnojnë programe që drejtojnë paratë drejt sektorëve prioritarë.

Dhe ndërsa Spiro thotë se pasaportat e BE-së, SHBA-së, Australisë dhe Zelandës së Re zakonisht janë shumë të kërkuara, këshilla e tij aktuale për shtetësi të dyfishtë do të ishte një shtet i Gjirit.

A ia vlen të aplikosh tani edhe nëse nuk të nevojitet?

Absolutisht, sipas atyre që e njohin mirë fushën. Spiro ka shtetësi gjermane përmes prejardhjes, që do të thotë se, edhe pse ai nuk planifikon të emigrojë, djali i tij mund të studionte në Berlin.

“Nëse dëshiron të punojë kudo në BE, do të ketë mundësi ta bëjë”, thotë ai.

Për Volekun, bëhet fjalë për të pasur një “plan B” në një botë gjithnjë e më të pasigurt. Me origjinë nga Afrika e Jugut, ai ka gjithashtu pasaportë malaziase përmes investimit (që pritet ta bëjë qytetar të BE-së në vitin 2028), një vizë të artë për Dubain dhe qëndrim në Singapor.

“Mjafton të shikosh lajmet, është një kohë e paqëndrueshme dhe nuk ka gjasa të ndryshojë”, thotë Volek.

“Rregullat do të ndryshojnë dhe programet do të bëhen më të shtrenjta e më të rënda”, thotë Volek.

“Pavarësisht kapacitetit financiar, nëse mund ta bësh përmes prejardhjes ose ke paratë dhe mundësinë, duhet 100% ta bësh”, shton ai.

Edhe Spiro pajtohet.

“Lëvizja e Italisë ka krijuar një ndjenjë të re urgjence. Ekziston kuptimi se edhe nëse je i kualifikuar sot, mund të mos jesh nesër. Kualifikimi nuk është i garantuar përgjithmonë. Prandaj, merr atë që mundesh”.