Kryeministri francez Sébastien Lecornu ka emëruar të dielën 18 ministra që do të përbëjnë qeverinë e tij të re.
26 ditë pasi u emërua kryeministër nga presidenti Emmanuel Macron, ish-ministri i Mbrojtjes mbajti një strukturë të ngjashme me atë të paraardhësit të tij, François Bayrou, duke riemëruar 13 ministra në largim.
Një valë e dytë emërimesh në pozicione më të ulëta pritet në ditët në vijim për të kompletuar qeverinë.
Roland Lescure, aleat i ngushtë i presidentit Emmanuel Macron, është emëruar ministri i ri Financave, njoftoi Pallati Elysee.
Ish-ministri i financave Bruno Le Maire u emërua ministër i Mbrojtjes. Disa ministra kyç mbajtën pozicionet e tyre, përfshirë Jean-Noel Barrot si ministër i Jashtëm, Bruno Retailleau ministër i Brendshëm dhe Gerald Darmanin ministër i Drejtësisë, raportoi KSP.
Lescure, i cili vjen nga e majta, dhe kryeministri i tij tani përballen me sfidën e arritjes së një kompromisi mbi buxhetin e vitit të ardhshëm në një parlament të fragmentuar përpara një afati në fund të vitit.
Negociatat mbi buxhetin kanë marrë një ton të tensionuar, ndërsa tre blloqe ideologjikisht të kundërta në parlament pa shumicë po kërkojnë lëshime të ndërsjella.
Dy nga paraardhësit e Lecornu u rrëzuan mes përpjekjeve për të frenuar deficitin buxhetor të Francës, më i madhi në Eurozonë, në një kohë kur agjencitë e vlerësimit të kreditit dhe investitorët po e ndjekin situatën nga afër.
Në një përpjekje për të fituar mbështetjen e socialistëve, Lecornu propozoi një taksë mbi të pasurit që e kërkonte e majta, ndërsa përjashtonte asetet e pronarëve të bizneseve prej saj për të mbrojtur bizneset dhe vendet e punës.
Ai gjithashtu përjashtoi përdorimin e të drejtave të veçanta kushtetuese për të kaluar buxhetin në parlament pa votim.