Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mes hirit dhe kujtimeve, kthimi në shtëpinë që nuk ekziston më

Yip Shun-Ting Carbon

Autoritetet i dhanë çdo familjeje një afat prej tri orësh për të shpëtuar çfarë të mundnin nga shtëpitë e tyre, dhe koha nis të rrjedhë sapo hyjnë. Yipit iu deshën disa minuta për t’u përgatitur mes dhimbjes dhe zemërimit, përpara se të hynte në kaos. Por, asgjë nuk e përgatiti për pamjen te dera e hapur, ku dikur ishte dera e tyre kryesore. Gjithçka ishte e mbuluar me blozë. Gjithçka ishte e mbuluar me blozë

Yip Shun-Ting Carbon kthehet për herë të parë në apartamentin e tij për të shpëtuar sendet, pas zjarrit të vitit të kaluar si pasojë e të cilit humbën jetën 168 persona, përfshirë nënën e tij.

Familja Yip dikur imagjinonte të shpërngulej në një shtëpi fshati, të tre brezat nën një çati, me kopshtin e tyre me perime dhe larg ndërtesave të dendura të Hong-Kongut. Një zjarr shkatërrues, më i keqi në Hong-Kong që nga viti 1948, ua mori atë të ardhme, duke lënë pas vetëm rrënoja dhe mure të nxira.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Çfarëdo që mund të rikuperojmë është bonus”, thotë Yip Shun-Ting Carbon, 36 vjeç, i cili humbi nënën e tij, Pak Shui-lin, në zjarrin e nëntorit të vitit të kaluar si pasojë e të cilit vdiqën 168 persona në një kompleks të madh banimi i cili ndodhej në proces rinovimi.

Javën e kaluar, Yip, bashkë me gruan, vëllain më të madh dhe babanë, formuan një ekip të vogël, të pajisur me çanta shpine, helmeta dhe maska të rënda mbrojtëse, ndërsa hynin për herë të parë në rrënojat e banesës së tyre në Wang Fuk Court.

“Çdo natë kur fle, imagjinoj se si mund të duket tani banesa”, thotë Yip. 

“Shoh fragmente pamjesh të çdo dritareje në flakë, dhe pastaj mendoj pse mund të ketë ndodhur kjo”, shton ai. 

Autoritetet i dhanë çdo familjeje një afat prej tri orësh për të shpëtuar çfarë të mundnin nga shtëpitë e tyre, dhe koha fillon të rrjedhë sapo hyjnë. Yip iu deshën disa minuta për t’u përgatitur mes dhimbjes dhe zemërimit, përpara se të hynte në kaos. Por asgjë nuk e përgatiti për pamjen te dera e hapur, ku dikur ishte dera e tyre kryesore.

Gjithçka ishte e mbuluar me blozë

Gjithçka ishte e mbuluar me blozë (pluhur i zi që mbetet pas djegies). Disa sende ishin shkrirë duke krijuar grumbuj plastike të ngurtësuar, gjësende që s’mund të identifikoheshin. Ata u kujdesën të mos ngrinin më shumë pluhur dhe grimca metali që shkëlqenin nën dritat e tyre.

Familja kishte hartuar një strategji për të punuar nën presionin e kohës. Ata e ndanë apartamentin në katin e gjashtë në zona, me një hartë mendore se ku mund të ishin sendet me vlerë dhe ato me rëndësi personale. Së pari: byzylyku prej kristali dhe karfica që nëna e tij i kishte dhënë gruas së tij, Karen, si dhuratë.

Nëna e Yip kishte qëndruar pas për të trokitur në dyert e fqinjëve, duke shpëtuar jetën e katër personave. Trupi i saj u gjet më pas brenda banesës së saj, në një bllok tjetër të të njëjtit kompleks.
Ndërsa vazhdonin kërkimin, një bllok kristali në kujtim të qenit të tyre, kompjuterë, diploma, dhe vite të tëra figurash koleksionuese “Gundam” (lodra ose modele zakonisht plastike, që përfaqësojnë robotët nga seria japoneze Mobile Suit Gundam), u futën në çanta dhe disa valixhe të djegura. Familja “grumbulloi” dekada të jetës së tyre në kuti gri në një depo të vogël.

“Është pak ngushëllim të dish që gjetëm gjithçka për të cilat vërtetë na intereson”, thotë Yip, ndërsa ai dhe gruaja e tij pastrojnë blozën nga njëri-tjetri. Do të duhet shumë më tepër kohë për të sistemuar sendet, ndaj po e marrim ngadalë.

Vizita e së premtes së kaluar u duk si një provë, thotë ai, ndërsa familja përgatitet të kthehet në apartamentin e prindërve në një bllok tjetër pas disa ditësh, aty ku djemtë u rritën dhe ku nëna e tyre vdiq.

“Kam jetuar këtu gjithë jetën time”

Yip dhe babai i tij janë ndër mijëra njerëz të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në periferinë verilindore të Tai Po.

Hong-Kongu ende po përballet me tronditjen nga zjarri, shkaqet për të cilin ende po kërkohen. Ai krahasohet me katastrofën që shkaktoi zjarri në Grenfell Tower në Londër, diçka e paimagjinueshme për një qendër financiare të njohur për rrokaqiejt, sigurinë dhe pasurinë.

Banorët u lejuan të hynin në ndërtesa në grupe të vogla, të shoqëruar nga një punonjës social dhe një polic. Ndërtesat janë 31 kate të larta dhe mund të përdoren vetëm shkallët. Të moshuarit erdhën me mjete ndihmëse për ecje. Një burrë erdhi me paterica dhe këmbën në allçi.

Organizatat bamirëse, kompanitë e zhvendosjes dhe vullnetarët që kishin ofruar ndihmë u tërhoqën pasi autoritetet vendosën kufizime për hyrjen. Të paktën një apartament ishte grabitur në javët e mëparshme, duke shtuar traumën e banorëve që tashmë shqetësoheshin për sendet e pakta që mund të kishin mbetur. Vizitat e organizuara nga qeveria do të vazhdojnë për dy javë.

Yip u rrit në këtë lagje pasi prindërit e tij u zhvendosën në Wang Fuk Court më shumë se dy dekada më parë. Aty ai njohu Karen, kur të dy shërbenin si paramedikë vullnetarë të zonës. Pasi u martuan, ata blenë një apartament në të njëjtin kompleks në vitin 2021. Vëllai i tij, gruaja dhe fëmijët e tyre u vendosën në një lagje tjetër shumë pranë.

Nëna e tij shpesh kujdesej për nipërit dhe mbesat pasdite. Për darkë, Yip dhe gruaja e tij shkonin te prindërit vetëm dy udhëtime me ashensor larg, dy herë në javë. Shëtitjet pranë grykëderdhjes së lumit që ishte afër sillnin qetësi, dhe flladi i mbrëmjes nga lindja që vinte nga porti ishte ngushëllues, kujton Yip.

“Kam jetuar këtu gjithë jetën time”, thotë ai. “Është e vështirë të gjesh një vend tjetër që mund të zëvendësojë atë ku kam jetuar për 20 apo 30 vjet”, shton.

Pas zjarrit, Yip dha dorëheqje nga puna. 

“Nuk jam në gjendje të përballoj njëkohësisht familjen dhe punën”, thotë ai. 

Gjatë ditës aplikon për programe ndihme dhe merret me dokumente të pafundme. Ai dhe gruaja e tij po qëndrojnë në banesën e vëllait rreth 2 km larg dhe flenë në krevatin e vogël të mbesës. Shtatë anëtarë të familjes jetojnë në një apartament me tri dhoma gjumi.

Gjatë muajit të fundit, Yip ka udhëtuar çdo ditë për të marrë pjesë në seancat e hetimit të pavarur mbi zjarrin. Babai i tij, Yip Ka-kui, tashmë një i mbijetuar i zëshëm, deklaroi në dëshminë e tij se autoritetet nuk ndërmorën asnjë veprim pas ankesave të tij për problemet me punimet e rinovimit, deri sa zjarri i përfshiu ndërtesat me bashkëshorten e tij brenda. Ai është betuar të kërkojë drejtësi për pjesën tjetër të jetës.

Menjëherë pas zjarrit, autoritetet paralajmëruan kundër “forcave destabilizuese” që shpifnin për përpjekjet e ndihmës dhe “përdornin fatkeqësinë për të nxitur kaos”. 

Ata hodhën poshtë thirrjet për një mbledhje të pronarëve për të vendosur të ardhmen e kompleksit, duke pretenduar se disa nga 400 nënshkrimet në një peticion mund të ishin të falsifikuara. Në vend të kësaj, autoritetet paraqitën një plan për riblerjen e banesave, me çmime që banorët i konsiderojnë të nënvlerësuara.

“Nuk guxoj të mendoj se si do të duket jeta në dy apo tre vjetët e ardhshëm”, thotë Yip. 
“Ndoshta qyteti do ta harrojë atë që ndodhi, dhe atëherë qeveria nuk do të ketë më pse të kujdeset për zërin dhe ndjenjat tona”.