Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të premten u bë udhëheqësi i parë i huaj pas më shumë se dy dekadash që iu drejtua ceremonisë kombëtare të Ditës së Unitetit të Gjermanisë.
Duke folur në Saarbrucken, në 35-vjetorin e ribashkimit gjerman, ai shfrytëzoi rastin për të bërë thirrje për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Evropës përballë agresionit rus në Ukrainë.
Macron theksoi se “lufta është kthyer në tokën evropiane”, jo vetëm me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, por edhe në forma hibride, si sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit.
Ai u bëri thirrje evropianëve të zgjedhin mes “një forme varësie” nga të tjerët ose ndërtimit të një fuqie të vërtetë ushtarake, të aftë për të mbrojtur territorin dhe vlerat e tyre.
Duke rikujtuar rënien e Murit të Berlinit, Macron kërkoi guxim dhe vendosmëri për të ndërtuar një Evropë si forcë strategjike, ekonomike, teknologjike dhe demokratike.