Udhëheqësit e industrisë së turizmit i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që t’ua mundësojë autoriteteve kufitare që të ndalin të gjithë sistemin e ri të hyrje-daljes (EES) po që se duhet, për shkak të frikës se gjatë verës mund të ketë telashe.
Aeroportet evropiane kanë paralajmëruar për “përvoja të hidhura” për pasagjerët dhe radhë të gjata, nëse nuk thjeshtohen kontrollet e reja biometrike për vizitorët e huaj.
Pra, kosovarët që duan të shkojnë në shtetet e zonës Schengen tani duhet të japin shenjat e gishtave, të fotografohen dhe të regjistrohen.
Nga funksionimi i deritashëm është raportuar për vonesa në disa aeroporte evropiane.
Sipas kërkesave të Komisionit Evropian, aktualisht shtetet duhet t’i regjistrojnë minimumin 35 për qind të udhëtarëve, por në teori të gjithë duhet ta bëjnë regjistrimin EES nga 10 prilli.
Autoritetet kufitare aktualisht janë të lejuara të reduktojnë numrin ose të rrisin kontrollet ose edhe të ndalin krejt sistemin për të shmangur pengesat dhe radhët e gjata. Pajisjet e këtij sistemi tashmë janë vendosur në shumicën e pikëkalimeve kufitare. Shumica e vizitorëve në 29 shtetet e zonës Schengen duhet t’i regjistrojnë detajet në kontrollin kufitar në aeroportet aterruese.
Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI) ka raportuar se sistemi ka shkaktuar vonesa deri në tri orë. Aeroportet në Spanjë, Portugali, Francë dhe Itali ishin më të prekurat.
“Mungesa kronike e personelit të kontrollit kufitar veçse ishte problematike më herët – e vendosja e sistemit EES veçse e ka përkeqësuar. Tani po e shohim rregullisht, me vetëm 35 për qind që regjistrohen, ka radhë deri në dy orë. Nuk është e qëndrueshme dhe kemi frikë se kjo vetëm do të përkeqësohet”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i ACI Evropë, Olivier Jankovec. “Jemi veçanërisht të shqetësuar për korrikun dhe gushtin kur kemi dyfishin e trafikut. Mund të shohim radhë deri në pesë orë dhe kjo na bën nervozë: krijon përvojë katastrofike për pasagjerët dhe rrezik sigurie si dhe edhe mundësinë për më shumë humbje të fluturimeve”.
Javën e kaluar një zëdhënës i komisionit tha se masat “emergjente” për ta pezulluar sistemin do të jenë në dispozicion edhe për 90 ditë nga afati i prillit, duke sinjalizuar “shpëtim” gjatë verës.
EES si sistem i automatizuar zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave.
DETAJE: