Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbërritur të shtunën në kryeqytetin ukrainas të Kievit përpara takimit me liderët e tjerë evropianë, ku do të bëjë thirrje për armëpushim në luftën Rusi-Ukrainë, ka raportuar BBC.
Në Kiev ndodhen po ashtu edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, teksa kryeministri polak Donald Tusk do t’i takojë më vonë gjatë ditës.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar para mbërritjes së tyre, Starmer, Macron, Merz dhe Tusk kanë njoftuar se do të “qëndrojnë në Kiev në shenjë solidariteti me Ukrainën”.
Në deklaratë thuhet se do të bëjnë thirrje për armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar prej 30 ditësh në Ukrainë, i propozuar fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin mars, që sipas tyre do të mundësojë zhvillimin e bisedimeve për një paqe të qëndrueshme.
“Ne jemi të gatshëm të mbështesim bisedimet për paqe sa më shpejt të jetë e mundur, të diskutojmë zbatimin teknik të armëpushimit dhe të përgatitemi për një marrëveshje të plotë të paqes”, kanë thënë njëzëri liderët, duke u zotuar se do të “rrisin presionin” mbi Rusinë derisa ajo të pranojë armëpushimin e plotë.
Më vonë gjatë ditës, ata kanë planifikuar të organizojnë takim virtual me liderë të tjerë botërorë. Ata do të ofrojnë përditësime mbi progresin në drejtim të asaj që po quhet “koalicioni i të vullnetshmëve”, që sipas Zyrës së Kryeministrit në Mbretërinë e Bashkuar mund të “rigjenerojë” forcat e armatosura të Ukrainës pas marrëveshjes së paqes.
Ky takim po ndodh një ditë pasi Rusia mbajti paradën e saj vjetore të fitores në Luftën e Dytë Botërore në Moskë.
Rusia i përgjigjet kërcënimit perëndimor: Zor të na izoloni
Rusia i është përgjigjur kërcënimit të shteteve aleate të Ukrainës se nëse deri të hënën refuzon arritjen e një armëpushimi 30-ditor do të përballet me valë të madhe të sanksioneve nga Perëndimi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se aleatët e Ukrainës do ta kenë zor ta izolojnë Moskën.
“Është shumë e vështirë që të izolohet një shtet si Rusia sepse ne kemi një pjesë të rëndësishme të globit. Por kjo s’është çështja kryesore. Çështja kryesore është se Rusia zhvillon në mënyrë aktive raporte me një numër të madh shtetesh në të gjitha drejtimet ku ato kanë interes të zhvillojnë bashkëpunimin me shtetin tonë. Dhe këtë do ta vazhdojmë ta bëjmë”, ka thënë ai.
Peskovi e ka cilësuar “kontradiktor” qëndrimin e liderëve perëndimore. Sipas tij, deklarimet e tyre janë të natyrës konfrontuese dhe jo për përmirësim raportesh.
Perëndimi kërcënon Rusinë me sanksione “masive” nëse s’pranon armëpushimin nga 12 maji
Liderët evropianë janë pajtuar për armëpushim 30-ditor pakushte nga 12 maji me përkrahjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke kërcënuar presidentin rus Vladimir Putin me sanksione të reja “masive” nëse nuk e pranon, ka raportuar “The Guardian”.
Njoftimi është bërë nga liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Ukrainës pas një takimi në Kiev, gjatë të cilit patën telefonatë me presidentin amerikan, Donald Trump.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, ka mbështetur thirrjen për armëpushim 30-ditor në Ukrainë.
Keith Kellogg ripostoi një foto të liderëve evropianë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev.
“Një armëpushim gjithëpërfshirës (në ajër, tokë, det dhe infrastrukturë) për 30 ditë do të nisë procesin për t’i dhënë fund luftës më të madhe dhe më të gjatë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Siç ka thënë vazhdimisht (Presidenti Trump), ndaloni vrasjet tani”, ka thënë Kellogg.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të premten pati thënë që Rusia ka mbështetur implementimin e një armëpushimi 30-ditor, por vetëm me konsiderata të “nuancave”, që nënkupton plotësimin e disa kushteve.
Liderët evropianë nga Kievi përsërisin thirrjet për armëpushim 30-ditor
Kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz gjatë vizitës në Kiev kanë përsëritur thirrjet që të ketë armëpushim 30-ditor në mënyrë që t’i hapet rrugë mundësisë për marrëveshje të paqes.
Liderët evropianë gjithashtu kanë pasur telefonatë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me të cilin janë dakorduar ta diskutojnë planin për armëpushim 30-ditor nga e hëna.
Starmer ka shkruar në rrjetin social “X” se Rusia duhet ta pranojë propozimin për armëpushim 30-ditor.
“Rusia duhet të pranojë armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar për 30 ditë, për të krijuar hapësirë për bisedime mbi një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, ka thënë Starmer.
Edhe presidenti francez Macron në një shkrim në “X” para takimit bëri thirrje që Rusia ta pranojë armëpushimin.
Kancelari gjerman Merz po ashtu ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me sanksione më të rënda nëse refuzon armëpushimin 30-ditor të kërkuar nga Perëndimi, në një intervistë të publikuar nga gazeta Bild para takimit në Kiev.
“Nëse presidenti Vladimir Putin nuk pranon armëpushimin, do të ketë një shtrëngim të sanksioneve dhe ndihma masive për Ukrainën do të vazhdojë, politikisht por gjithashtu financiarisht dhe ushtarakisht”, pati deklaruar Merz.
E thirrjeve të liderëve iu bëri jehonë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka shkruar në rrjetin social “X” se Bashkimi Evropian e mbështet propozimin për armëpushim të plotë 30-ditor.
“Ne mbështesim propozimin për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar prej 30 ditësh. Ai duhet të zbatohet pa kushte paraprake për t’i hapur rrugën bisedimeve të paqes”, ka thënë ajo.
Sipas saj, BE-ja është e gatshme të vendosë sanksione të reja karshi Rusisë në rast se ky armëpushim nuk jetësohet.
“Topi tani është në fushën e Rusisë. Ne jemi të gatshëm të mbajmë një presion të fortë mbi Rusinë dhe të imponojmë sanksione të mëtejshme në rast se armëpushimi shkelet”, ka shtuar presidentja e Komisionit Evropian.
Paralajmërimet për sanksione nuk e frikësojnë Rusinë, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, menjëherë pas deklaratave të liderëve evropianë.
“Tashmë e dimë çfarë të bëjmë për të minimizuar ndikimin pasi këto sanksione të jenë shpallur. Jemi mësuar ta bëjmë këtë. Nuk ka asnjë kuptim të përpiqeni të na frikësoni me këto sanksione”, ka shtuar ai.
Sipas tij, evropianët janë ende të nevrikosur me praninë e shumë liderëve botërorë në “Ditën e Fitores” në Moskë.
Të premten, rreth 20 liderë nga mbarë bota, përfshirë presidentin kinez, Xi Jinping, iu bashkuan presidentit rus, Vladimir Putin, në ceremoninë e përkujtimit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Macron lavdëron ukrainasit: Po luftojnë për tërë Evropën
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka lavdëruar popullin ukrainas përmes një postimi në rrjetin social X, tek ka thënë se ata nuk po luftojnë vetëm për atdheun e tyre por për mbarë Evropën.
Më tutje, ai ka shtuar se reagimi i vendeve evropiane ndaj agresionit të Rusisë duhet të jetë kolektiv, e që sipas tij kjo është arsyeja se pse ka udhëtuar në Kiev së bashku me liderët e tjerë evropianë nga Gjermania, Polonia dhe Britania e Madhe.
Macron ka ndarë gjithashtu tri mesazhe kyçe sa i përket zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë.
Së pari, “paqja e drejtë dhe e qëndrueshme fillon nëpërmjet armëpushimit të plotë dhe pa kushte”, ka thënë ai.
Së dyti, “marrëveshja e paqes që do të ndërtohet duhet të garantojë sigurinë e saj”, ka vazhduar Macron.
E për fund, “një Ukrainë e lirë, e fortë, e begatë dhe evropiane: ky është vizioni ynë”, ka shtuar presidenti francez.