Korea e Jugut po përballet me një krizë të thellë demografike, me normën më të ulët të lindjeve në botë dhe një popullsi që po plaket me shpejtësi. Megjithatë, në këtë realitet sfidues, klinikat e fertilitetit po e marrin një hov të jashtëzakonshëm, duke ofruar shpresë për çiftet që hasin vështirësi për të krijuar familje. Rritja e numrit të trajtimeve të fertilitetit dhe ndryshimet në qëndrimet e të rinjve ndaj planifikimit familjar, i reflektojnë përpjekjet e qeverisë dhe shoqërisë për ta sfiduar trendin demografik negativ
Kur filloi fertilizimin in vitro (IVF) në nëntor të vitit të kaluar, Kim Mi-ae e dinte që do të ishte një sprovë e lodhshme– diçka që e kishte përjetuar edhe kur kishte mbetur shtatzënë për herë të parë tre vjet më herët.
Por ajo që e tronditi këtë herë ishin pritjet e “çmendura” në klinikën e fertilitetit.
“Kur shkova në janar, ndjeva sikur të gjithë e kishin bërë një vendim për Vitin e Ri, që të bënin një fëmijë! Edhe pse e kisha një rezervim, prita mbi tri orë”, thotë 36-vjeçarja nga Seuli.
Ndërsa Koreja e Jugut vazhdon të përballet me normën më të ulët të lindjeve në botë, klinikat e fertilitetit janë në rritje – një dritë shprese në mes të krizës demografike të vendit.
Midis viteve 2018 dhe 2022, numri i trajtimeve të fertilitetit në vend u rrit me gati 50%, duke arritur në 200.000. Vitin e kaluar, një në gjashtë foshnja në Seul u lind me ndihmën e trajtimit të fertilitetit.
Në bazë të kësaj rritjeje, ekspertët thonë se qëndron një ndryshim në qasjen ndaj planifikimit familjar.
“Ne e kemi një brez të ri… që është mësuar të ketë kontroll mbi jetën e vet”, thotë Sarah Harper CBE, profesoreshë e Gerontologjisë në Universitetin e Oksfordit. Ky kontroll, shton ajo, mund të shfaqet përmes grave beqare që i ngrijnë vezët ose çifteve që e provojnë IVF-në kur gratë nuk mund të mbeten shtatzënë.
“Ndërkohë që brezat e mëparshëm e pranonin më shumë faktin se konceptimi mund të jetë i rastësishëm, tani kemi gra koreane që thonë: ‘Unë dua ta planifikoj jetën time’”.
Kriza demografike
Ky është një lajm i mirë për qeverinë e Koresë së Jugut, e cila po përpiqet ta nxjerrë vendin nga një krizë demografike. Një në pesë persona në Korenë e Jugut është tani mbi 65 vjeç. Si përqindje e popullsisë totale, nuk ka pasur kurrë më pak foshnja.
Vendi e ka thyer vazhdimisht rekordin e vet për normën më të ulët të lindjeve në botë: 0.98 foshnja për grua në vitin 2018, 0.84 në 2020 dhe 0.72 në 2023. Nëse ky trend vazhdon, ekspertët paralajmërojnë se popullsia prej 50 milionësh mund të përgjysmohet për 60 vjet.
Por kohët e fundit ka arsye për një optimizëm: në vend që të shënohej një tjetër rekord i ri negativ, norma e lindshmërisë në Korenë e Jugut u rrit paksa në 0.75 në vitin 2024 – rritja e parë pas nëntë vjetësh.
“Është një rritje e vogël, por gjithsesi domethënëse”, thotë Seulki Choi, profesoreshë në Shkollën e Politikave Publike dhe Menaxhimit në Institutin e Zhvillimit të Koresë.
Është ende herët për të thënë nëse kjo është fillimi i një ndryshimi të shumëpritur apo thjesht një devijim i përkohshëm. Norma e lindshmërisë në vend mbetet shumë poshtë mesatares globale prej 2.2. Por shumë, përfshirë Dr. Choi, janë optimistë.
“Nëse ky trend vazhdon, mund ta sinjalizojë një ndryshim më afatgjatë”, thotë Dr. Choi. “Duhet të shohim se si po ndryshojnë qëndrimet e të rinjve ndaj martesës dhe prindërimit”.
Për vite me radhë, të bërit fëmijë ishte gjëja e fundit që i shkonte në mendje Park Soo-init. Ajo ishte e zënë me punë, shpesh e përfundonte orarin në orën 04:00 të mëngjesit, pas një dite të gjatë duke u marrë me marketing.
“Isha në një kompani me orar të pafund, kështu që as nuk mund ta merrja seriozisht në konsideratë”, thotë 35-vjeçarja.
Gjërat filluan të ndryshojnë pasi u martua dy vjet më parë. Gjeti një punë të re me orar më të mirë – dhe shoqet përreth saj nisën të kenë fëmijë.
“Duke i parë dhe duke kaluar kohë me fëmijët e tyre, ndjeva që nuk ishte më aq e frikshme”, tregon ajo. “Dhe kur e pashë bashkëshortin tim të merrte iniciativë, të kërkonte informacion për shtatzëninë dhe lindjen, dhe të tregonte përkushtim të vërtetë, kjo më dha besimin që mund ta përballonim”.
Kur Park dhe bashkëshorti i saj hasën vështirësi, iu drejtuan trajtimeve të fertilitetit. Shumë të tjerë po e bëjnë të njëjtën gjë, duke i forcuar parashikimet se kjo industri në lulëzim mund ta arrijë vlerën mbi 2 miliardë dollarë deri në vitin 2030.
“Kjo është në fakt një sinjal i rëndësishëm për politikëbërësit, që ende ka gra që duan të krijojnë familje, por po përballen me pengesa për ta bërë këtë”, thotë Jennifer Sciubba, presidente dhe drejtoreshë ekzekutive e organizatës jofitimprurëse “Population Reference Bureau” në Uashington, DC.
“Më shumë se çdo gjë tjetër, kjo tregon se njerëzit nuk po arrijnë ta përmbushin dëshirën për të pasur fëmijë”.
Vështirësitë për të mbetur shtatzënë janë vetëm një nga pengesat. Në zemër të krizës së popullsisë në Korenë e Jugut qëndrojnë një sërë presionesh shoqërore dhe financiare – që nga normat patriarkale që ua ngarkojnë grave shumicën e përgjegjësive për kujdesin ndaj fëmijëve, deri te orët e gjata të punës dhe kostot e larta të arsimit – të cilat i dekurajojnë shumë të rinj nga të pasurit e fëmijëve.
Sfidat e grave
Për disa, megjithatë, këto ëndrra janë thjesht të shtyra në kohë. Më shumë se gjysma e koreano-jugorëve thonë se duan të kenë fëmijë, por nuk kanë mundësi financiare, sipas një raporti të OKB-së. Dhe kur gratë në Korenë e Jugut e lindin fëmijën e tyre të parë, mosha mesatare e tyre është 33.6 vjeç – një nga më të lartat në botë.
“Duke parë pas, ndoshta do të kishte qenë më mirë të filloja më herët”, Park. “Por realisht… tani ndihem gati. Në fund të të njëzetave, nuk e kisha asnjë mundësi financiare për të menduar për martesë apo fëmijë”.
E njëjta gjë vlen edhe për Kimin, e cila kaloi tre vjet duke kursyer për martesë dhe katër të tjera për ta pasur një fëmijë.
“Njerëzit e kalojnë rininë duke studiuar, kërkuar punë dhe shpenzuar para për t’u përgatitur për jetën. Dhe kur më në fund janë gati për t’u sistemuar, shpesh është vonë”, thotë ajo. “Por sa më shumë të presësh, aq më e vështirë bëhet të mbetesh shtatzënë, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht”.
Për ata që zgjedhin IVF-në, procesi i përpjekjes për të mbetur shtatzënë bëhet edhe më i kushtueshëm.
“Është e vështirë të thuash me saktësi sa kushton IVF-ja, sepse ndryshon shumë nga personi në person dhe nga cikli në cikël”, thotë Kim. “Është një shpenzim i madh dhe i paparashikueshëm, që mund të ndikojë ndjeshëm në financat e tua”.
Si pjesë e përpjekjeve të saj për ta rritur normën e lindshmërisë, qeveria e Koresë së Jugut e ka zgjeruar mbështetjen për trajtimet e fertilitetit. Seuli tani subvencionon deri në 2 milionë won koreanë (rreth 1.460 dollarë amerikanë) për ngrirjen e vezëve dhe 1.1 milionë won për çdo trajtim IVF.
Por, edhe me ndihmën e shtetit, Kim thotë se i shpenzoi mbi 2 milionë won vetëm në janar për IVF-në – kryesisht për artikuj që nuk mbulohen nga subvencionet, si suplementet apo analizat shtesë.
Dhe me më pak se gjysma e cikleve IVF që përfundojnë me sukses, kostot mund të grumbullohen shumë shpejt.
Kjo ka qenë e vërtetë edhe për Jang Sae-ryeon në provincën jugperëndimore, Jeolla. 37-vjeçarja e filloi trajtimin e fertilitetit dy vjet më parë dhe i ka bërë pesë cikle IVF, secila me kosto rreth 1.5 milionë won.
“Do të doja të kishte funksionuar pas një ose dy përpjekjesh, por për shumicën e njerëzve nuk ndodh kështu”, thotë ajo. “Pa para, thjesht nuk mund të ecësh përpara. Ky është realiteti. Dhe kjo është pjesa më zhgënjyese”.
Po aq sfiduese, sipas grave, janë edhe presionet në vendin e punës kur e ndjekin një orar intensiv trajtimesh IVF.
Ndërkohë që kompanitë koreano-jugore ofrojnë disa ditë pushim për trajtimet e fertilitetit, gratë thonë se në praktikë është e vështirë t’i shfrytëzosh ato. Kim thotë se iu nënshtrua IVF-it për fëmijën e saj të parë pa e marrë asnjë ditë pushim. Ndërsa Jang thotë se kolegët i kërkuan ta shtynte trajtimin.
“Më bëri të ndihesha sikur IVF-ja dhe një punë me kohë të plotë nuk shkojnë dot bashkë”, thotë ajo. “Kështu që, dhashë dorëheqje. Por pasi e lashë punën, u përballa me vështirësi financiare. Kjo më futi në një cikël tjetër të dorëheqjeve dhe kërkimeve për punë”.
Këto presione financiare dhe kulturore mund t’i kenë zbehur ëndrrat e shumë koreano-jugorëve për të pasur fëmijë – por jo ato Jangun. Ajo ende përlotet kur i kujton dy shtatzënitë në fillim të martesës – të dyja të përfunduara me abort spontan.
“E dini kur thonë që kur ke një fëmijë, e ndien një dashuri të pakufishme?” thotë ajo. “Unë mendoj se të kesh një fëmijë që të ngjan ty dhe bashkëshortit, dhe ta krijosh një familje bashkë, është një nga format më të mëdha të lumturisë që mund ta ndiejë një njeri”.
Përktheu: Blerta Haxhiu