Ambasadorët e Kombeve të Bashkuara kanë dënuar planet e Izraelit për “ta marrë kontrollin” e Gaza Cityt, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbënguli se kjo është “mënyra më e mirë” për t’i dhënë fund luftës.
Gjatë një konference për media, për të cilën Netanyahu tha se e ka për qëllim “të godiste gënjeshtrat”, udhëheqësi izraelit tha se ofensiva e planifikuar do të lëvizte “mjaft shpejt” dhe do ta “çlironte Gazën nga Hamasi”.
Ai gjithashtu pretendoi se pengjet izraelite që mbahen në Gazë janë të “vetmet që qëllimisht po lihen të vdesin nga uria” dhe mohoi se Izraeli qëllimisht po i lë banorët e Gazës të vdesin nga uria.
Ndërkohë Izraeli u kritikua ashpër në mbledhjen emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Britania e Madhe, Franca dhe të tjerët paralajmëruan se plani rrezikonte “shkeljen e së drejtës ndërkombëtare humanitare”.
Së bashku me Danimarkën, Greqinë e Slloveninë, ata kërkuan që plani të përmbyset, duke shtuar se s’do të bëjë asgjë “për të siguruar kthimin e pengjeve dhe rrezikon më tej jetën e tyre”.
Anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit ngrenë alarm të ngjashëm. Kina tha se është i papranueshëm “ndëshkimi kolektiv” i njerëzve në Gazë, ndërsa Rusia paralajmëroi kundër një “intensifikimi të pamatur të armiqësive”.
“Nëse këto plane zbatohen, ato ka të ngjarë të shkaktojnë një tjetër fatkeqësi në Gazë, duke përhapur nëpër të gjithë rajonin dhe duke shkaktuar zhvendosje të mëtejshme me forcë, vrasje dhe shkatërrime”, tha ndihmëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca.
Por, Shtetet e Bashkuara mbrojtën Izraelin. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Dorothy Shea, tha se SHBA-ja ka punuar “pa ndalur” për t’i liruar pengjet dhe për t’i dhënë fund luftës. Shtoi se mbledhja ka minuar këto përpjekje.
Shea tha se lufta “mund të përfundojë sot nëse Hamasi i liron pengjet” dhe akuzoi anëtarët e tjerë të OKB-së se kanë përfituar nga mbledhja për “ta akuzuar Izraelin për gjenocid”, një akuzë që ajo këmbënguli se ishte “demonstrativisht e rreme”.
Mijëra protestues kanë marshuar nëpër rrugët në qytete të ndryshme të Izraelit për ta kundërshtuar planin, nga frika se do të vihen në rrezik jetët e pengjeve.
Në një deklaratë për media, Netanyahu tha se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) janë udhëzuar t’i çmontojnë “dy fortesa të mbetura të Hamasit” në Gaza City dhe në zonën qendrore rreth al-Mawasit.
Ai po ashtu përshkroi një plan trehapësh për ta rritur ndihmën në Gazë, duke përfshirë përcaktimin e korridoreve të sigurta për shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe më tepër ndihma nëpërmjet ajrit nga forcat izraelite dhe partnerët e saj.
Po ashtu do të përfshijë rritjen e numrit të pikave të shpërndarjes së sigurt të menaxhuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli.
OKB-ja raportoi më herët këtë muaj se 1373 palestinezë janë vrarë duke kërkuar ndihma që nga fundi i majit, kur GHF-ja ngriti pikat e shpërndarjes së ndihmës.
Netanyahu pretendoi se Hamasi kishte “plaçkitur me dhunë kamionët e ndihmave” dhe kur u pyet për palestinezët e vrarë në vendet e GHF-së, tha se “shumë të shtëna u bënë nga Hamasi”.
I pyetur për pengjet e mbetura izraelite në Gazë – 20 prej të cilëve mendohet se janë gjallë -Netanyahu tha se “nëse nuk bëjmë asgjë, nuk do t’i nxjerrim gjallë”.
Udhëheqësi izraelit po ashtu sulmoi mediumet ndërkombëtare, duke thënë se kanë rënë pre e propagandës së Hamasit. Ai i quajti false disa nga fotot e fëmijëve të kequshqyer në Gazë që u botuan në ballinat e gazetave.
Gjatë gjithë luftës, Izraeli s’i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë të hynin në Gazë e të raportonin lirshëm. Por, Netanyahu tha se një direktivë që urdhëron ushtrinë t’i sjellë gazetarët e huaj kishte qenë në fuqi për dy ditë.
Që nga e shtuna pesë persona kanë humbur jetën nga uria dhe kequshqyerja në Gazë, duke shtuar shifrën totale të vdekjeve nga uria në 217, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Po ashtu mbi 61 mijë persona janë vrarë si rezultat i fushatës ushtarake izraelite që nga viti 2023, është thënë nga ministria.
Izraeli e nisi ofensivën e tij në përgjigje ndaj sulmit të Hamasit në territorin jugor izraelit më 7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona e u morën 251 pengje.