Delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi kanë nisur në Katar rundin e bisedimeve indirekte për armëpushim në Gazë, teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është nisur në drejtim të Washingtonit për ta takuar presidentin amerikan.
Netnyahu ka thënë se mendon që takimi i tij me Donald Trumpin duhet të ndihmojë në përpjekjet për të arritur marrëveshje për lirimin e më shumë pengjeve dhe për armëpushim në Gazë.
Ai ka thënë se u ka dhënë negociatorëve izraelitë instruksione të qarta për të arrit marrëveshje nën kushtet që Izraeli i ka pranuar.
Hamasi ka thënë se i është përgjigjur pozitivisht propozimit të fundit amerikan, por dallimet mes qëndrimeve të palëve duken të mëdha.
Tani për tani, Hamasi kërkon garanci për përfundim të luftimeve dhe tërheqje të plotë të trupave izraelite. Kjo është refuzuar më herët nga qeveria e Izraelit.
Edhe Izraeli nuk ka lëvizur nga qëndrimet. Duke u nisur për SHBA, Netanyahu ka thënë se janë tri misione: “Lirimi dhe rikthimi i të gjitha pengjeve, të gjallë a të vdekur; shkatërrimi i kapaciteteve të Hamasit dhe përzënia e tij; dhe sigurimi që Gaza nuk do të jetë më kërcënim për Izraelin”.
Ndërmjetësit në Katar dhe Egjipt do të përballen me shumë sfida gjatë bisedimeve indirekte në përpjekje për ta tejkaluar ngërçin. Pikat e deritashme kanë penguar iniciativat që prej se armëpushimi i kaluar dështoi në mars.
Që nga ajo kohë, Izraeli ka shtuar sulmet ndaj Hamasit.
Ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit do të kenë shumë punë gjatë bisedimeve indirekte midis Izraelit dhe Hamasit në përpjekje për të kapërcyer këto pika ngërçi, të cilat kanë penguar iniciativa të tjera që nga përfundimi i armëpushimit të mëparshëm në mars.
Që nga 7 tetori 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë 251 pengje, Izraeli në hakmarrje ka vrarë më shumë se 57 mijë persona, sipas ministrisë së shëndetësisë në territorin e udhëhequr prej grupit militant.