Botë

Njoftimi i Trumpit “deklason” kriptovalutat

Donald Trump - kriptovalutat

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nisur edhe një herë ofensivën tregtare ndaj Kinës. Trumpi ka shkruar në rrjete sociale se do të vendosë tarifë shtesë prej 100 për qind ndaj mallrave kineze. E mjaftoi ai njoftim që bota e kriptovalutave të përmbysej.

Për vetëm një orë nga njoftimi i Trumpit, vlera e kriptovalutave ra për 7.5 miliardë dollarë. Kriptovalutat më të mëdha, si Bitcoin e Etherum, tani po tregtohen me rënie prej 7, respektivisht 11 për qind në krahasim me vetëm një ditë më parë. Nga mbi 120 mijë dollarë sa ishte vlera e Bitcoinit, valuta pësoi rënie deri në 104 mijë. Rënie të mëdha pësuan edhe XRP-ja, Solana e kriptovaluta të tjera.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të vendosë tarifë shtesë prej 100% ndaj importeve nga Kina nga muaji i ardhshëm. Ai kërcënoi se do të tërhiqej nga një takim me presidentin kinez, Xi Jinping. Më vonë tha se nuk e kishte anuluar, por se ai nuk e dinte “se do ta mbanim” takimin.  Të premten Trump e kritikoi lëvizjen e Pekinit për të shtrënguar kontrollet mbi eksportet e mineraleve të rralla, duke e akuzuar Kinën se po bëhet “shumë armiqësore” dhe se po mundohet ta mbajë botën “peng”. Kina dominon prodhimin e mineraleve të rralla dhe materieve të tjera, që janë pjesë përbërëse për veturat, telefonat dhe pajisje të tjera.