Norvegjia ka njoftuar të hënën një paketë të re ndihme për Ukrainën.
Sipas ministrit të jashtëm të Norvegjisë, 400 milionë dollarë amerikanë do të shkojnë për nevojat e menjëhershme të energjisë dhe mbështetjen buxhetore.
Paketa e ndihmës u njoftua në Kiev, ku ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, po qëndron për një vizitë.
"Bota tani është e preokupuar me shumë gjëra”, ka thënë Eide në një konferencë shtypi në Kiev së bashku me homologun e tij ukrainas.
"Folëm për Venezuelën, folëm për Grenlandën, por çështja numër një çdo ditë dhe çdo natë për ne është lufta në Ukrainë”, ka shtuar ai.
Duke folur në konferencë, ,kryediplomati ukrainas, Andrii Sybiha ka thënë se ndihma e Norvegjisë është “në kohën e duhur" dhe "do të ndihmojë në forcimin e qëndrueshmërisë së shtetit dhe shoqërisë sonë".
Sistemi energjetik i Ukrainës ndodhet në vështirësi të mëdha për shkak se është vazhdimisht cak i sulmeve nga forcat ruse, sidomos gjatë dimrit.