Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar vendet në mbarë botën që të përgatiten për rritje të rrezikut nga temperaturat ekstreme dhe moti i ashpër, si pasojë e fenomenit klimatik El Nino.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), pritet një El Nino mesatar deri i fortë, i cili mund të rrisë ndjeshëm temperaturat globale. Ky fenomen natyror karakterizohet nga ngrohja periodike e sipërfaqes së oqeanit në Paqësorin qendror dhe lindor dhe zakonisht zgjat nga 9 deri në 12 muaj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoWMO-ja parashikon temperatura mbi mesataren në shumicën e rajoneve të botës nga qershori deri në gusht, ndërsa ekziston mundësia që El Nino të zgjasë deri në nëntor, raportoi Reuters.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ende mbetet e paqartë fuqia e tij, pasi modelet shkencore japin vlerësime të ndryshme.
“Duhet të përgatitemi për një ngjarje potencialisht të fortë El Niño, e cila mund të përkeqësojë thatësirat, reshjet e dendura dhe të rrisë rrezikun e valëve të të nxehtit në tokë dhe në oqeane,” deklaroi sekretarja e përgjithshme e WMO-së, Celeste Saulo.
Sipas saj, fenomeni mund të shkaktojë ndryshime të mëdha në klimën rajonale, duke sjellë reshje më të mëdha në disa pjesë të Amerikës së Jugut, SHBA-së, Afrikës dhe Azisë Qendrore, ndërsa thatësira më të theksuara mund të prekin Australinë, Amerikën Qendrore, Indonezinë dhe pjesë të Azisë Jugore.
Ndikimet e tij pritet të ndihen edhe në sektorin ushqimor, ku ekspertët paralajmërojnë ulje të prodhimit të kulturave bujqësore në rajone si Ekuadori dhe Afrika Perëndimore, të cilat përbëjnë rreth 60% të prodhimit global të kakaos.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka theksuar se fenomeni duhet parë si një alarm serioz klimatik dhe thirrje për kalim më të shpejtë drejt energjive të ripërtëritshme.
“Bota duhet ta trajtojë këtë si paralajmërimin urgjent klimatik që është. El Nino do të shtojë karburant në zjarrin e një bote që po ngrohet,” u shpreh Guterres.