Policia tatimore e Italisë ka bërë të ditur se ka liruar 33 punëtorë fermash indianë nga "kushtet e punës si skllevër" në provincën veriore të Veronës, ndërsa sekuestroi pothuajse gjysmë milioni euro nga dy bandat e dyshuara.
Policia ka thënë se dy abuzuesit e dyshuar, gjithashtu indianë, bindën shtetasit e tyre që të vinin në Itali, duke paguar 17,000 euro secili për të marrë lejet sezonale të punës, raporton AP.
Më pas, burrat u detyruan të punonin në ferma për shtatë ditë në javë dhe deri në 10-12 orë në ditë, duke U paguar vetëm 4 euro në orë, në kushte që policia italiane i cilësoi si “skllavëri”.
Dy abuzuesit e dyshuar janë nën hetim për krime, duke përfshirë skllavërimin dhe shfrytëzimin e punës.
Viktimave do t'u ofrohet mbrojtje, mundësi punësimi dhe dokumente të ligjshme qëndrimi.
Çështja e formave moderne të skllavërisë në Itali u vu në qendër të vëmendjes së fundmi pas rastit të Satnam Singh, një 31-vjeçari punëtor ferme indiane, i cili u gjakos për vdekje pasi ishte braktisur nga punëdhënësi i tij derisa krahun e kishte të prerë nga një makinë mbështjellëse.
Një raport i Moody's i publikuar në mars tregoi se Italia shfaqi vazhdimisht numrin më të lartë në Evropë të rasteve të skllavërisë moderne, me rreth 32,000 incidente gjatë pesë viteve nga viti 2018.