Andrej Melnik është një kritik i ashpër i politikanëve gjermanë për shkak të qëndrimeve të tyre të buta ndaj Rusisë. Por tani ai ka dhënë një deklaratë delikate mbi një nacionalist ukrainas të Luftës së Dytë Botërore.
Andrej Melnik është diplomat me gjuhë jodiplomatike. Me një gjermanishte të rrjedhshme ambasadori ukrainas në Berlin ka kritikuar ashpër politikanët gjermanë për shkak të qasjes së tyre të butë ndaj regjimit të Vlladimir Putinit. Melnik nuk ka ngurruar të qortojë kancelaren shumëvjeçare Angela Merkel, kancelarin e tanishëm Olaf Scholz, politikanët socialdemokratë dhe konservatorë, ndërsa politikanët e ekstremit të majtë dhe të djathtë në Gjermani i ka përshkruar pak a shumë si kolonë e pestë e Kremlinit.
Në muajin mars, pak ditë pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, Melnik kishte 63 mijë ndjekës në Twitter. Tani i ka rreth 140 mijë. Me gjuhën e tij ai ka polarizuar dukshëm politikën dhe opinionin gjerman. Disa politikanë e kanë quajtur "të padurueshëm", të tjerët kanë preferuar të heshtin.
Mediat e mëdha gjermane i kanë dhënë shumë hapësirë Melnikut, i cili para se të marrë postin e ambasadorit në Berlin ka qenë konsull i përgjithshëm i Ukrainës në Hamburg. Melnik ka kritikuar qeveritë gjermane për afërsi të tepër të Rusinë, për ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2, i cili duke anashkaluar Europën Lindore do të sillte gaz direkt nga Rusia në Gjermani dhe për refuzimin e Berlinit për të furnizuar Kievin me armë. Pas agresionit rus kundër Ukrainës Gjermania vendosi ta furnizojë ushtrinë ukrainase me armë, por, sipas Melnik, furnzimi është tepër i ngadalshëm, madje shpesh joekzistues dhe vetëm me fjalë të mëdha.
Për shkak të kritikave të ashpra nga ana e Melnikut, kancelari Olaf Scholz me javë të tëra refuzoi të vizitojë Kievin. Një arsye tjetër për mosrealizimin e vizitës së Scholzit ishte kundërshtimi i Ukrainës ndaj planeve të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier për të vizituar Kievin. Steinmeier nga Ukraina shihet si njëri nga politikanët gjermanë që tepër gjatë ka besuar në mënyrë naive se bashkëpunimi ekonomik dhe politik me Rusinë do e bëjë Vlladimir Putinin politikan racional.
Gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan se me kritikën e tij Melnik e ka detyruar politikën dhe opinionin gjerman të ballafaqohet me pasojat e politikës naive ndaj Rusisë. Melnik gëzonte përkrahjen nga Kievi dhe sidomos nga presidenti Vollodimir Zelenski.
Por së fundi Melnik dha një deklaratë, e cila edhe nga mediat gjermane që e simpatizonin ambasadorin shihet si mjaft problematike. Melnik tha se nacionalisti ukrainas Stepan Bandera është "simbol i luftëtarit të lirisë". Gjatë Luftës së Dytë Botërore Bandera drejtoi Organizatën e Nacionalistëve Ukrainas, e cila ishte bashkëpunëtore e pushtuesve nazistë. Kjo organizatë vrau dhe përndoqi mijëra polakë dhe hebrenj. Mes viteve 1941-1944 Bandera u mbajt në kampin gjerman Sachsenhausen, ku u trajtua si "i burgosur nderi".
Pas vitit 1945 Bandera jetoi në Gjermani. Më 1959 u vra nga një agjent i KGB-së në München. Me deklaratën e tij lidhur me Banderan, ambasadori Melnik nxiti reagime negative jo vetëm në Gjermani. Edhe Ministria e Jashtme në Kiev tha se nuk e ndante mendimin e Melnikut.
Pastaj, sipas mediave gjermane, në Kiev me sa duket është marrë vendimi që Melnik në vjeshtë të përfundojë mandatin në Berlin. Flitet se ai do të bëhet zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës. Ndërsa disa media në Gjermani këtë e shohin si degradim, të tjerat e konsiderojnë avansim në karrierë.