Kontraktorë të armatosur amerikanë në njërën nga qendrat e reja të shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës duket se kanë qëlluar ndaj palestinezëve përpara se të festonin, sipas një videoje që është publikuar në internet, ka raportuar The Telegraph.
Në video shfaqet përdorimi i mitralozit pranë civilëve që po kërkonin ndihmë, ndërsa një zë dëgjohet në anglisht tek thotë: “Më duket se e qëllova një”.
Një zë tjetër i bën jehonë duke thënë: “Bravo, të lumtë djalo!”.
Ngjarja e supozuar ndodhi në një lokacion që operohet nga Fondi Humanitar i Gazës (FHG), që mbështetet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse është dënuar nga një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar.
Një ish-kontraktor i sigurisë në një nga këto vende ka thënë për BBC-në se kishte parë një roje me mitraloz që hapte zjarr nga një kullë vëzhgimi sepse një grup grash, fëmijësh dhe të moshuarish po largoheshin shumë ngadalë nga vendi.
Një kontraktor tjetër hapi zjarr, sipas raportimit të sinjalizuesit.
Ai ka thënë se një burrë palestinez ra në tokë. “Dhe pastaj kontraktori tjetër, që po qëndronte aty, kishte thënë ‘dreqi e mori, më duket se e qëllove njërin’. Dhe pastaj qeshën për këtë”.
"Hell yeah, boy!"
US contractors in Gaza cheer after deliberately opening fire on aid-seeking Palestinians.
Source: AP pic.twitter.com/7mG0Wxxoky
Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka raportuar se ka biseduar me dy kontraktorë të “UG Solutions”, të cilët janë nënkontraktuar për qendrat e FHG-së, dhe ka pretenduar se ka pasur përdorim të rregullt të municioneve të vërteta, granatave shpërthyese dhe sprejit lotsjellës ndaj palestinezëve që nuk paraqisnin asnjë kërcënim.
Ata kanë pretenduar se stafi i sigurisë i punësuar për të mbrojtur qendrat ishte shpesh i pakualifikuar, i paverifikuar dhe vepronte me pandëshkueshmëri, ndërkohë që ishte i armatosur rëndë.
Në Fondacionin Humanitar të Gazës i kanë kualifikuar akuzat si plotësisht të pavërteta, tek kanë shtuar se asnjë civil nuk është qëlluar ndonjëherë në qendrat e shpërndarjes së tyre.
Modeli i ri për shpërndarjen e ndihmës është dizajnuar për të parandaluar që ushqimi dhe furnizimet të bien në duart e grupit militant palestinez Hamas, duke shmangur kështu forcimin e këtij grupi të shpallur si terrorist.
Në vend që ndihma të dorëzohet në qendrat e banuara, sistemi kërkon që njerëzit të ecin në distanca të gjata përmes hapësirave të hapura drejt qendrave të krijuara enkas për shpërndarjen e ndihmës.
Fotografi dhe pamje filmike kanë treguar turma të mëdha njerëzish duke u detyruar të kalojnë nëpër korridore të ngushta mes pirgjeve të dheut, ndërsa kontraktorët e sigurisë qëndrojnë mbi ta.
Qindra persona janë vrarë në zonën përreth qendrave të ndihmës, ndërsa dëshmitarë okularë kanë akuzuar trupat izraelite – të cilat sigurojnë perimetrin më të gjerë – se kanë hapur zjarr.
Zyrtarët e Ushtrisë izraelite i kanë mohuar këto akuza, porse kanë pranuar se kanë gjuajtur të shtëna paralajmëruese në atë zonë.
Megjithatë, dëshmia e re përfaqëson herën e parë që një punonjës amerikan në këto qendra është përfshirë në incidente të tilla.
FHG-ja ka deklaruar se po operon përballë individëve me “interesa të drejtpërdrejta” që duan ta shohin tek dështon si dhe ka mohuar çdo keqtrajtim apo mungesë përvoje mes stafit të saj.
Organizata ka deklaruar gjithashtu se ka shpërndarë ekuivalentin e më shumë se 50 milionë vakteve të ushqimit për popullatën e uritur.