Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të marrë pjesë në një paradë ushtarake në Pekin javën e ardhshme së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur Kina, duke e quajtur atë një vizitë historike.
Ky është takimi i parë ndërkombëtar shumëpalësh i Kim Jong un, duke e bërë këtë ngjarje një fitore diplomatike për presidentin kinez Xi Jinping, i cili synon një rend të ri botëror të udhëhequr nga Pekini, raporton BBC.
Takimi do t’i mundësojë Xi-së të sinjalizojë ndikimin e tij, megjithëse të kufizuar, si tek Putini ashtu edhe tek Kim, në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet të bëjë një marrëveshje me Moskën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk do të marrë pjesë, por ka thënë më parë këtë javë se donte të takohej me Kimin, arsenali bërthamor në rritje i të cilit, dhe mbështetja për Rusinë kanë tronditur Perëndimin.
Parada e "Ditës së Fitores" e Kinës do të shënojë 80-vjetorin e dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore dhe përfundimin e konfliktit.
Putin dhe Kim do të jenë midis 26 krerëve të tjerë të shteteve që pritet të marrin pjesë në paradë. Kjo është hera e parë që një udhëheqës i Koresë së Veriut merr pjesë në një paradë ushtarake kineze që nga viti 1959.
Kina pritet të shfaqë armatimet e saj më të fundit, duke përfshirë qindra avionë, tanke dhe sisteme anti-dronë. Kjo do të jetë hera e parë që struktura e re e forcave ushtarake të saj do të shfaqet plotësisht në një paradë.
Parada 70-minutëshe, e cila do të mbikëqyret nga Xi, pritet të ndiqet nga afër nga analistët dhe fuqitë perëndimore.
Ngjarja e këtij viti ku Kim do të qëndrojë përkrah Putinit dhe Xi do të jetë e rëndësishme sepse do të thotë që Xi mund të hyjë në çdo samit me Trump me më shumë besim, pasi të jetë informuar plotësisht nga të dy udhëheqësit.
Takimi i javës së ardhshme është gjithashtu disa javë para një vizite të mundshme të Trumpit në Azi, të cilën Shtëpia e Bardhë e ka lënë të kuptohet, por nuk e ka konfirmuar. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti i SHBA-së është i hapur për t'u takuar me Xi-në për të finalizuar një marrëveshje për tarifat, ndër të tjera.