Botë

Putini zhvillon vizitë të papritur në Çeçeni

Vladimir Putin në Çeçeni

Vladimir Putin në Çeçeni

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të martën një udhëtim të paplanifikuar në Çeçeni, një republikë kryesisht myslimane në Federatën Ruse.

Kjo është vizita e tij e parë në gati 13 vjet dhe në kohën kur sulmet e Ukrainës në Rusinë perëndimore kanë hyrë në javën e tretë, raporton AP.

Putini është pritur nga lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, përpara se të vizitonte një akademi të forcave speciale që mban emrin e tij, dhe të bisedonte me luftëtarët vullnetarë që stërviten e të cilët më pas dërgohen në Ukrainë.

Lideri rus ka lavdëruar vullnëtarët, teksa ka deklaruar se për sa kohë që Rusia ka burra si ata, ajo do të jetë "e pathyeshme", raportojnë agjencitë shtetërore ruse.

Ndërkaq Kadyrov ka thënë në një postim në kanalet e tij zyrtare në Telegram se më shumë se 47,000 luftëtarë, përfshirë vullnetarë, janë trajnuar në objekt që kur Moska ka nisur atë që e quan "operacionin e saj special ushtarak" në Ukrainë.

Luftëtarët nga Çeçenia, përpjekja e të cilëve për pavarësi pas rënies së Bashkimit Sovjetik çoi në vite luftë me forcat qeveritare ruse, po marrin pjesë në të dyja anët e konfliktit në Ukrainë.

Putini raportohet të ketë zhvilluar edhe bisedime me udhëheqësin çeçen, i cili e ka njoftuar atë se republika ka "dhjetëra mijëra" rezervistë të gatshëm për të luftuar ukrainasit.

Kremlini është mbështetur tek Kadyrov për të mbajtur të qëndrueshëm Kaukazin e Veriut pas viteve të trazirave. 

Grupet ndërkombëtare të të drejtave kanë akuzuar forcat e sigurisë së Kadyrov për vrasje, tortura dhe rrëmbime të kundërshtarëve, por autoritetet ruse kanë penguar kërkesat e përsëritura për hetime.