Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qindra emigrantë po zhduken në Mesdhe, autoritetet po i fshehin të dhënat

Migrant

Foto: Associated Press

Mungesa e transparencës nga autoritetet në vendet mesdhetare po e bën gjithnjë e më të vështirë dokumentimin e tragjedive që po i pësojnë emigrantët në det. Pas ciklonit “Harry”, qindra persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa informacioni zyrtar mbetet i kufizuar ose i papublikuar. Organizatat humanitare dhe ndërkombëtare po hasin vështirësi në verifikimin e shifrave reale të viktimave. Ndërkohë, politika dhe marrëveshjet për frenimin e migracionit kanë çuar në kufizimin e të dhënave dhe qasjes në informacion. Kjo situatë po lë familjet e emigrantëve pa përgjigje për fatin e të afërmve të tyre

Trupa që dalin në breg ditë pas dite. Telefonata nga të afërmit që mbeten pa përgjigje. Tenda emigrantësh të braktisura brenda natës.

Emigrantët që po përpiqen të arrijnë në Evropë po zhduken në numër të madh, por qeveritë përgjegjëse për kërkim-shpëtim po i mbajnë të fshehta informacionet që i kanë lidhur me këtë.
Fillimi i vitit 2026 renditet si fillimviti më vdekjeprurës krahasuar me vitet e tjera për njerëzit që përpiqen të kalojnë Mesdheun, me 682 persona të zhdukur deri më 16 mars, shifra këto të prezantuara nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion të Kombeve të Bashkuara. Por, numri i vërtetë i viktimave, mendohet të jetë shumë më i lartë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se po e kanë gjithnjë e më të vështirë të verifikojnë shifrat, pasi Italia, Tunizia dhe Malta kanë kufizuar në heshtje informacionet mbi shpëtimin e emigrantëve dhe përmbysjet e anijeve përgjatë rrugës të cilat konsiderohen si një nga më vdekjeprurëset e migrimit në botë. Lajmet rrallëherë bëhen tituj kryesorë, pjesërisht sepse mungesa e transparencës i pengon gazetarët të konfirmojnë raportimet.

“Është strategji të heshtin”, tha Matteo Villa, studiues që fokusohet në të dhënat e migracionit në Institutin italian për Studime të Politikës Ndërkombëtare.

Organizata “Refugjatët në Libi” dhe grupe të tjera për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin që nga fundi i janarit,  duke raportuar se më shumë se 1.000 persona janë zhdukur kur cikloni “Harry” goditi rajonin. Por, autoritetet nuk i kanë konfirmuar e as mohuar këto shifra.

Në javët pasuese pas ciklonit, më shumë se 20 trupa të dekompozuar dolën në breg në Itali dhe Libi, ndërsa mbetje të tjera njerëzore u panë në mes të detit.

Familjarët e emigrantëve të zhdukur e përshkruajnë të rëndë dhe rraskapitëse situatën kur nuk marrin asnjë informacion për ta.

“Evropa duhet të dijë se këta njerëz që mbyten në det kanë pasur anëtarë të familjes, kanë pasur ëndrra e pasione”, i tha AP-së Josephus Thomas, emigrant nga Sierra Leone dhe udhëheqës komuniteti në qytetin bregdetar të Tunizisë, El Amra.

Vdekjet që nuk regjistrohen

Edhe Agjencia e Migracionit e OKB-së  (IOM) ka thënë se e ka gjithnjë e më të vështirë të verifikojë rastet e emigrantëve që vdesin nga zhdukjet e anijeve për shkak të mungesës së theksuar të informacionit.

Vitin e kaluar, të paktën 1.500 persona u raportuan të zhdukur, fatet e të cilëve IOM nuk mundi t’i konfirmonte, tha Julia Black, e cila drejton projektin për emigrantët e zhdukur. E njëjta çështje vazhdon edhe në vitin 2026.

Ajo tha se për këtë vit ka raportime për më shumë se 400 të zhdukur, të cilat nuk mund t’i verifikonin.

Shumë organizata humanitare që më parë plotësonin disa nga boshllëqet e informacionit nuk janë më në gjendje ta bëjnë këtë për shkak të valës globale të shkurtimeve të financimit dhe kufizimeve të vendosura nga qeveritë në të gjithë rajonin.

“Kemi parë shkurtime të financimit dhe kjo nuk është e drejtë. Dhe tani po shohim edhe kufizim të informacionit”, tha Black.
Associated Press u kërkoi vazhdimisht autoriteteve në Tunizi, Itali dhe Maltë të shpjegonin pse nuk po ndajnë informacion lidhur me shpëtimin e emigrantëve në det dhe cilat janë politikat e tyre. Asnjëra nuk u përgjigj.

Shtetet heshtin mbi raportet për varkat e zhdukura pas ciklonit

Gjatë viteve, autoritetet në Mesdhe kanë reduktuar gradualisht informacionet lidhur me emigrantët. Por, heshtja e tyre ishte edhe më e theksuar në fund të janarit pasi cikloni “Harry” solli reshje të dendura shiu, erëra me shpejtësi 100 km/orë dhe dallgë deri në 9 metra.

Qindra njerëz ishin nisur nga rajoni bregdetar i Sfaxit në Tunizi dhe u zhdukën, sipas informacioneve nga Grupi “Refugjatët në Libi”.

Grupi pranoi se ishte e vështirë të ishte i saktë, “sepse nuk ka një sistem qendror që regjistron nisjet, humbjet apo shpëtimet”, por paralajmëroi se numri i viktimave ka të ngjarë të jetë edhe më i lartë.

“Po flasim për varka që as nuk i kanë numëruar sa fëmijë ndodhen brenda”, i tha AP-së themeluesi i këtij grupi, David Yambio.

AP-ja dërgoi pesë kërkesa me email te roja bregdetare italiane duke kërkuar informacion për varkat e raportuara të zhdukura dhe përpjekjet e kërkim-shpëtimit, por nuk mori përgjigje. Një oficer që iu përgjigj telefonit tha se roja bregdetare nuk kishte “asnjë informacion të mëtejshëm të verifikuar dhe të konfirmuar lidhur me rrethanat”.

Roja bregdetare gjithashtu refuzoi të komentonte për njoftimin që kishte lëshuar më 24 janar duke u kërkuar anijeve që lundronin midis ishullit italian të Lampedusës dhe Tunizisë të qëndronin në vëzhgim për tetë varka të vogla të cilat transportonin rreth 380 persona. Njoftimi u bë publik nga gazetari italian, Sergoi Scandura.

Vetëm një i mbijetuar nga përmbytja e varkave

Ekziston vetëm një i mbijetuar i njohur nga varkat e raportuara të zhdukura gjatë ciklonit “Harry”. Ai po notonte në ujë kur një anije tregtare e shpëtoi më 22 janar. Burri u tha anëtarëve të ekuipazhit se kishte udhëtuar edhe me 50 persona të tjerë, disa prej trupave të të cilëve mund të shiheshin në ujë në një video, e cila tregon momentet e shpëtimit. Falë dëshmisë së tij, vdekjet e tyre u përfshinë në bilancin e IOM-it.

Sipas kapitenit, i mbijetuari u evakuua në Maltë. Forcat e Armatosura të Maltës nuk iu përgjigjen kërkesave të shumta për informacion lidhur me përfshirjen e tyre apo raportimet se ata e kishin marrë burrin.

Ministria e Jashtme e Tunizisë dhe Garda Kombëtare Tuniziane gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave të shumta për informacion përmes emailit dhe telefonit.

“Frontex”, një agjenci e Bashkimit Evropian që ndihmon vendet me mbikëqyrjen e kufijve, i tha AP-së se kishte vëzhguar tetë varka që transportonin rreth 160 emigrantë midis 14 dhe 24 janarit kur goditi cikloni. Ajo tha se gjashtë varka u shpëtuan nga autoritetet italiane, por fati i dy të tjerave mbetet i panjohur.

Më 8 shkurt, emigrantët u lutën dhe qanë gjatë një ceremonie përkujtimore në ullishtat pranë Saxit, duke supozuar se të dashurit e tyre nuk mund të ishin gjallë pas kaq shumë ditësh pa lajme.
“Të gjithë ne këtu jemi të traumatizuar, kemi dhimbje të thellë”, tha Ibrahim Fofana, një emigrant në Tunizi, të afërmit e të cilit janë zhdukur që nga fundi i janarit, në një video të shpërndarë nga “Refugjatët në Libi”. Ai u bëri thirrje autoriteteve të identifikojnë trupat që dolën në bregdetin italian.
Deri në mesin e vitit 2024, autoritetet tuniziane ndanin rregullisht numrin e emigrantëve që ndaloheshin në det, të etura për t’iu treguar partnerëve të tyre evropianë zbatimin e një marrëveshjeje të vitit 2023 për të frenuar migracionin në këmbim të ndihmës financiare. Por, marrëveshja u shoqërua gjithashtu me një goditje të ashpër ndaj emigrantëve, të cilët udhëtonin përmes tokës, që rezultoi me mijëra të ndaluar ose të braktisur në shkretëtirë.

Organizatat joqeveritare, si “Forumi Tunizian për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale”, i njohur me akronimin e tij FTDES, i cili më parë përpilonte dhe ndante raporte mbi ndalimet e emigrantëve, u përfshinë gjithashtu në këtë goditje.

Në qershor të vitit 2024, Ministria e Brendshme e Tunizisë ndaloi publikimin e çdo informacioni mbi emigrantët, duke përmendur arsye sigurie, tha Romdhane Ben Amor, zëdhënës i FTDES. Por, sipas mendimit të tij, motivet ishin politike. Shifrat nuk përputheshin me narrativen se Tunizia nuk ishte rojë kufitare e Evropës, tha ai.

Fshehja e informacionit në Itali për shpëtimin e emigrantëve është edhe më i hershëm se ai i Tunizisë. Roja bregdetare italiane dikur ofronte të dhëna mujore të detajuara mbi emigrantët e shpëtuar. Raportet mujore u bënë tremujore përpara se të ndalonin plotësisht në vitin 2020, tha Villa. Në vitin 2022, raportet e mëparshme u hoqën gjithashtu nga faqja e internetit e rojës bregdetare.

Këtë vit, roja bregdetare italiane nuk ndau asnjë njoftim për shtyp lidhur me migracionin, pavarësisht se pothuajse 5.000 emigrantë zbarkuan në brigjet italiane, sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme të Italisë.

“Është shumë qartë një strategji politike për të fshehur sa më shumë informacion të jetë e mundur nga publiku”, tha Villa.