Presidentja e Meksikës përgëzoi forcat speciale për “neutralizimin” e një prej figurave më të kërkuara në vend, trafikantit të drogës Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”. Ai vdiq më 22 shkurt, pasi u qëllua gjatë një shkëmbimi zjarri mes trupave të sigurisë dhe pjesëtarëve të kartelit që udhëhiqte. Oseguera u plagos rëndë dhe më pas vdiq gjatë transportimit me helikopter për trajtim mjekësor. Megjithatë, siç raportoi BBC, në një tjetër pikë të nxehtë të karteleve meksikane – Culiacan, në shtetin verior të Sinaloas – largimi i një lideri kaq të fuqishëm mund të krijojë një vakum pushteti, duke nxitur përplasje të reja mes grupeve rivale që synojnë të marrin kontrollin.
“Frika është kudo dhe është e vazhdueshme”, tha mjeku i urgjencës Hector Torres, 53 vjeç, nga ulësja e përparme e ambulancës në Culiacan.
Ekipi i BBC-së dhe mjekët sapo kishin ardhur nga vendi ku kishin ndodhur të shtëna brenda një garazhi në qendër të qytetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPronari ishte shtrirë i vdekur në zyrë, me gjak që përhapej mbi dyshemenë e bardhë me pllaka. Kur Hector dhe mjeku tjetër, Julio Cesar Vega, 28 vjeç, hynë brenda, një grua hyri duke ulëritur.
Ishte gruaja e tij, por nuk mund të bëhej asgjë. Hector kontrolloi shenjat vitale dhe më pas vendosi një mbulesë letre mbi trup.
Për një vit e gjysmë, karteli i Sinaloas, një nga bandat më të mëdha dhe më të frikshme të drogës në botë, ka qenë në luftë me vetveten, pasi djali i njërit prej drejtuesve tradhtoi një tjetër.
Arrestimi i këtij drejtuesi, Ismael “El Mayo” Zambada, i cili tani është në burg në SHBA, ka shkaktuar kaos në Sinaloa dhe tregon rreziqet që përballon vendi.
Hector tha se dhuna në Culiacan kurrë nuk ka qenë kaq e keqe dhe kaq e gjatë. Vitin e kaluar, numri i thirrjeve për ndihmë nga ata u rrit mbi 70%.
Por gjatë javës që ekipi i BBC-së kaloi me Hectorin dhe Julion, pothuajse çdo incident përfundonte në të njëjtën mënyrë: me një trup të vdekur brenda një ndërtese ose pranë rrugës, dhe të afërm të pikëlluar që kërkonin përgjigje.
Pak viktima të kartelit mbijetojnë, dhe askund nuk është sigurt; sulme kanë ndodhur në shkolla, spitale dhe madje edhe funerale.
“Karteli i Sinaloas ishte si një familje. Të gjithë ishin të bashkuar në një kartel të vetëm. Ishin miq, hanin në të njëjtën tryezë”, shpjegoi Hector. “Ishte si vëllazëri - prindër, xhaxhallarë, motra - dhe papritmas po luftonin… dhe ishin futur në një grindje vdekjeprurëse”, tha ai.
Ai biznes familjar ishte bërë një ndërmarrje miliardëshe që prodhon drogën e rrezikshme fentanil dhe e shpërndan atë në rrugët e SHBA-së, duke shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e shpalli kartelin dhe të tjerët organizata terroriste, dhe e quajti fentanilin një armë shkatërrimi masiv. Ai ka kërcënuar Meksikën me veprime ushtarake direkte nëse nuk kontrollon drogat dhe trafikantët.
Të dy Hector dhe Julio mbanin jelekë antiplumb, 14 kg nga Kevlari dhe pllaka mbrojtëse.
Julio tha se ishte e domosdoshme: “Nuk e dimë nëse njerëzit përgjegjës për sulmet janë ende aty. Pra, rrezikojmë të kapemi në mes të zjarrit dhe të plagosemi”.
Vdekja e të pafajshmëve
Dielli po perëndonte, ndërsa mjekët dhe ekipi i BBC-së po ktheheshin në bazën e paramedikëve, dhe qyteti që dikur ndizte natën, së shpejti do të ishte bosh. Trafiku ishte i ngadaltë.
Qeveria meksikane ka dërguar mijëra trupa në Sinaloa dhe ka vendosur postblloqe në shumicën e rrugëve.
Kur pronari i garazhit u vra, tre burra u rrëmbyen në të njëjtën kohë. Ushtarët dhe marinarët e armatosur kontrollonin makinat për ndonjë shenjë të tyre.
Rrëmbimi në Culiacan mund të jetë një fat më i keq se vdekja.
Më herët gjatë javës, një trup u gjet i hedhur mbi trotuar përpara një prej qendrave kryesore tregtare. Nga gjendja e trupit të viktimës ishte e qartë se ishte torturuar.
Një mesazh ishte lënë pranë trupit, me shkronja të mëdha, një paralajmërim nga një fraksion i kartelit për tjetrin: akuzonte të vdekurin si tradhtar dhe paralajmëronte: “Po vijmë për të tjerët”.
Culiacan është një qytet i pasur, me qendra tregtare, parqe të rregulluara dhe showroom makinash luksoze. Jashtë qendrës tregtare, një burrë me veshje të zeza për biçikletë ndaloi në trafikun e orës së pikut për të parë policinë që vendoste trupin në çantën për të vdekurit.
Dita tjetër, trupi i një tjetër viktime - i torturuar në të njëjtën mënyrë, u la pranë rrugës kryesore në veri të qytetit. Kur ekipi i kriminalistikës mori shenjën që shoqëronte trupin, ishte e vështirë të lexohej; gjaku rridhte dhe grumbullohej në rrugë.
Në çdo vend krimi, ekipi i BBC-së takohej me Ernesto Martinezin, që raporton për dhunën këtu për 27 vjet. Një djalë 16-vjeçar u qëllua për vdekje në lagjen San Rafael; këmbët e Emmanuel Alexander ende ishin të ngatërruara me biçikletën e tij.
Ai ishte vrarë nga afër me një pistoletë.
Martinez shpjegoi: “Më parë kishte më shumë policë, më shumë ushtarë, më shumë siguri.
Do të gjeje postblloqe në çdo cep, dhe megjithatë vrasjet vazhdonin, numri i tyre nuk u ul, mbeteshin rreth pesë ose gjashtë vrasje në ditë. Dhe i njëjti trend vazhdon”.
Gazetari i BBC-së intervistoi një nga fraksionet e kartelit të Sinaloas për t’i pyetur se çfarë, sipas tyre, mund t’i japë fund dhunës.
Para takimit, i thanë të mos sjellë telefonin, as pajisje gjurmimi.
Janë kriminelë mizorë, që tregojnë pak pendesë, dhe kanë një zgjidhje të thjeshtë për vrasjet: qeveria duhet të tërhiqet dhe t’i lejojë të vrasin njëri-tjetrin - pa marrë parasysh rrezikun për të pafajshmit - derisa të mbetet një fraksion.
Ata erdhën në takim të armatosur dhe mbajtën maska gjatë intervistës, për të fshehur identitetet e tyre.
Kur gazetari pyeti “Marcon” (jo emri i tij i vërtetë) nëse ndiente faj për atë që bënin, ai pranoi:
“Po, është e vërtetë. Shpesh vdesin njerëz të pafajshëm. Madje edhe fëmijë. Ka shumë vdekje të njerëzve të pafajshëm”.
Duke qëndruar pranë tij, “Miguel” (jo emri i tij i vërtetë) ishte më mizor:
“Shumë njerëz do të vazhdojnë të vdesin, sepse karteli ende po lufton, dhe gjërat vetëm sa përkeqësohen. Lufta do të vazhdojë. Asgjë nuk do të qetësohet derisa të mbetet vetëm një fraksion”.
Dhuna e kartelit nuk po rrit vetëm numrin e trupave që gjenden të vdekur, por edhe numrin e atyre që raportohen të zhdukur.
I biri i Reynalda Pulido, Javier Ernesto, u zhduk në dhjetor 2020. Ajo ende e kërkon dhe gjithashtu udhëheq grupin “Mothers Fighting Back” (Nëna që Luftojnë).
Në një mëngjes të ftohtë, në një stacion karburanti jo larg Culiacanit, Pulido dhe një grup nënash të tjera u përqafuan para se të nisnin kërkimin.
Dhjetëra gra, pothuajse të gjitha mbanin bluzat e bardha me fotografitë dhe emrat e të dashurve të zhdukur.
Ato nisën duke vendosur fotografitë e disa të zhdukurve në shtylla dritash. Me ta ishte edhe një eskortë ushtarake.
Në një fushë ku fluturonin shpendët që hanë mbeturina, ata përdornin sondat metalike, lopata dhe thika për të kërkuar ndonjë trup. Kërkonin shenja në tokë, për çdo shenjë varri të improvizuar. Ndërsa gërmonin tokën, nuhatnin dheun për erën karakteristike të trupave njerëzorë.
Gjatë një pushimi, Reynalda Pulido më tha se çdo ditë kur zgjohet pyet Zotin: “Përse jam këtu?”
“Ajo që më jep forcë është sepse e di që askush tjetër nuk do t’i kërkojë. E kuptoj, sepse askush nuk po lëviz për të kërkuar të zhdukurit në Sinaloa. Dhe një nënë gjithmonë do të kërkojë fëmijën e saj, sado larg të jetë, ajo do ta kërkojë”.
Gratë kishin marrë disa informacione që një trup mund të ishte hedhur në fushë, por pas orëve në diellin e mesditës, nuk gjetën asgjë tjetër veç eshtrave të kafshëve.
Gazetari pyeti Reynaldan me butësi nëse mendonte se do ta gjente ndonjëherë djalin e saj.
“E pyes shpesh veten”, tha ajo duke fshirë lotët. “Por tashmë e kam gjetur djalin tim në 250 trupat që kam gjetur, dhe tek më shumë se tridhjetë njerëzit që kam gjetur të gjallë. Ata janë fëmijët e mi gjithashtu. Dhe fëmijët e të gjitha familjeve që vijnë tek unë për ndihmë bëhen fëmijët e mi. Djali im është aty, tek secili prej tyre. Të gjithë mbajnë një copë të vogël të djalit tim”.
Tregtia me fentanil
Shkaku kryesor i mjerimit të Culiacanit është tregtia e fentanilit.
Në një bodrum të kartelit, “Roman” (jo emri i tij i vërtetë), që prodhon drogën, i kërkoi gazetarit ta ndiqte atë.
Ai sapo kishte paketuar dërgesën më të fundit, më shumë se gjashtë pako me pluhur të bardhë të ngjeshur, për t’u dërguar në Shtetet e Bashkuara.
Ai mbante maskë dhe doreza, ndërsa kujdesej për paketat vdekjeprurëse.
Kur hapi një paketë, pluhuri ishte i ngjeshur dhe numri 300 ishte gdhendur në sipërfaqe.
Çdo paketë peshonte një kilogram dhe vlerësohej 20.000 dollarë. Por Roman shpjegoi se varësisht nga qyteti ku dërgohet, mund të arrijë më shumë.
“Nëse e çojmë në New York, mund të shkojë deri në 28.000 ose 29.000 dollarë. Sa më larg të shkojë, aq më i lartë është çmimi dhe fitimi ynë”.
Ai nuk merr përgjegjësi dhe nuk ndjen turp për biznesin ku është i përfshirë. Dhe thotë se pavarësisht çfarë mendojnë qeveritë e Meksikës dhe SHBA-së, fentanili do të vazhdojë të qarkullojë.
“Sa i përket prodhimit, ne kurrë nuk kemi ndaluar. Ndonjëherë e zvogëlojmë përkohësisht kur situata bëhet e nxehtë dhe qeveria afrohet shumë. Atëherë qëndrojmë larg për disa ditë, por sapo problemi kalon, ose vazhdojmë, ose shkojmë në zona të tjera”.
Gazetari i tregoi se si SHBA –ja i ka shpallur terroristë. Ai përgjigjet qetësisht:
“Edhe pse presidenti Donald Trump na quan terroristë, unë do t’i kujtoja se sa kohë ka konsumatorë, ne do të vazhdojmë këtë punë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se jemi terroristë. Sa kohë njerëzit duan ta konsumojnë, ata janë të lirë ta bëjnë. Askush nuk i ka detyruar. Askush nuk i detyroi të fillojnë këtë zakon, të përdorin këtë substancë”.
Qeveria meksikane tha se po bën përparim në luftën kundër trafikut të drogës. Ajo pretendon se ka ulur furnizimin me fentanil për SHBA-në me 50%.
Nga Culiacan ekipi i BBC - së udhëtoi drejt Mexico Cityt.
Në një nga konferencat e saj të rregullta për shtyp – të mbajtura para vrasjes së “El Mencho”, gazetari i BBC-së e pyeti presidenten Claudia Sheinbaum se çfarë duhej të bëhej për të kontrolluar dhunën në Sinaloa.
Ajo fajësoi luftën e brendshme të pushtetit brenda kartelit të Sinaloas për rritjen e dhunës në shtetin verior dhe insistoi se qeveria e saj “po përpiqet të shmangë dëmin ndaj qytetarëve”.
Në Sinaloa, gazetari ndoqi një shpëtim të fundit me mjekët Hector dhe Julio, për një tjetër të shtënë në qendër të qytetit. Ndërsa një helikopter policor fluturonte mbi ta, kaluan përmes shiritave të krimit dhe gjetën një burrë mbi trotuar që gjakosej nga një plagë plumbi në gjoks. Ai ende po merrte frymë dhe ulërinte për ndihmë.
Ndërsa Hector filloi ta trajtonte, Julio vrapoi drejt një tjetri pranë qoshes, i cili ishte i plagosur rëndë dhe nuk reagonte.
Frika që dikush nga karteli mund të kthehej, edhe pse rreth tyre kishte ushtarë dhe marinarë, ia shtonte urgjencën punës së tyre.
Të dy viktimat u mjekuan dhe u dërguan në spitalin më të afërt. U zbulua se ishin thjesht qytetarë të zakonshëm, të qëlluar nga të shtëna mes fraksioneve. Burrat mbijetuan.
Hector dhe Julio hoqën dorëzat e tyre, ende të mbuluara me gjak, dhe ndezën nga një cigare. “Këto janë viktimat e para që kemi gjetur gjallë që nga nëntori”, tha Hector.