Mediat iraniane dhe ato izraelite kanë raportuar të martën për sulme të reja ajrore izraelite ndaj Iranit, pavarësisht se presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka thënë se Izraeli i kishte anuluar ato me urdhër të tij për të ruajtur armëpushimin e arritur të hënën.
Dy shpërthime janë dëgjuar në Teheran, ka raportuar agjencia e lajmeve Mizan. Ndërkaq, radioja e ushtrisë izraelite ka thënë se Izraeli kishte goditur një vend radari iranian pranë Teheranit.
Sulmet ka ndodhur disa minuta pasi Trumpi ka thënë se Izraeli e kishte anuluar sulmin e tij në përgjigje të komandës së tij.
"Të gjithë aeroplanët do të kthehen në shtëpi...Askush nuk do të lëndohet, Armëpushimi është në fuqi!" ka thënë Trump në një postim në Truth Social.
Trumpi më parë kishte akuzuar si Izraelin ashtu edhe Iranin për shkelje të armëpushimit, ndërsa ka shprehur zhgënjim të veçantë me Izraelin, i cili kishte njoftuar sulme të reja të mëdha ndaj Teheranit.
"Izrael. Mos i hidh ato bomba. Nëse e bëni, është një shkelje e madhe. Ktheni pilotët në shtëpi, tani!", ka shkruar Trump në Truth Social pak pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në një samit të NATO-s në Hagë.
