Në përpjekjen e gjashtë, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e ka shënuar fitoren e parë ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Të dielën mbrëma në Prishtinë, hendbollistët kosovarë fituan me rezultatin 33:29.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFitorja megjithatë nuk ishte e mjaftueshme për të avancuar në raundin e tretë dhe të fundit kualifikues për Botërorin 2027. Bosnjë-Hercegovina fitoi me 13 gola dallim të enjten në Tuzla dhe avancon falë rezultatit më të mirë të përgjithshëm.
Kosova i kishte humbur dy ndeshje nga Bosnjë-Hercegovina një dekadë më parë dhe dy të tjera në vitin 2023.
Por të dielën hendbollistët e përzgjedhësit Jesper Ostlund shfaqën dëshirë më të madhe dhe fituan në fund.
Vetëm fillimi i ndeshjes u takoi boshnjakëve, që kishin përkrahjen e dhjetëra tifozëve në Pallatin e Rinisë. Më pas lojtarët e Kosovës kaluan në avantazh dhe falë angazhimit dhe dëshirës së madhe mbajtën epërsi deri në fund. Në fund të pjesës së parë epërsia e Kosovës ishte dy gola, ndërsa në të dytën shumë herë ka arritur në katër gola.
Në palestër ishin rreth 1000 shikues, por tifozë të organizuar kishte vetëm Bosnjë-Hercegovina.
“Ishte lojë e mirë. Ishte e vështirë kur humbëm të enjten me aq shumë gola, për çdo lojtar ka qenë e rëndë. Sot kemi bërë një lojë shumë të mirë. Selektori ka bërë disa ndryshime ashtu siç ai ka dashur dhe ka mundur sepse i kemi pasur të gjithë lojtarët. Besoj se ka qenë lojë e mirë edhe për tifozët. Po ta kishim lojën e parë këtu, me katër apo pesë gola diferencë, besoj se në Bosnjë do të ishte rezultat tjetër. Ne e kemi parë edhe pjesën e parë në Bosnjë se kur kemi qenë të barabartë, ata ishin në presion, ishin në stres. Besoj se do të ishte ndryshe”, ka thënë kapiteni Valon Dedaj.
Përmbysja e rezultatit të ndeshjes së parë është vlerësuar gati e pamundur ende pa nisur ndeshja. Por synimi ishte fitorja. Dhe ajo u arrit.
Më efikasi ishte Bujar Ramosaj me shtatë gola. Ai, si zakonisht, udhëhoqi edhe lojën në mbrojtje. Nga katër gola i shënuan Leonard Gegaj, Shaban Zogaj e Drilon Tahirukaj.
Suedezi Ostlund, që e mori drejtimin e Kosovës në shtator, është i lumtur me fitoren e sidomos me reagimin e ekipit.
Ai debutoi me dy fitore ndaj Britanisë së Madhe, në fazën e parë kualifikuese.
“Jam krenar me djemtë. Jemi kthyer nga ata 20 minuta të dobët të fundit në Tuzla. Sot luajtëm lojë të mirë për 60 minuta dhe jam shumë krenar me këta djem. Karakter të fortë treguam edhe në Tuzla por në 20 minutat e fundit nuk ishim në nivel dhe ishte shumë e vështirë. Sot, 60 minuta hendboll shumë i mirë. Në të dyja repartet, në mbrojtje e në sulm”, ka theksuar Ostlund.
Tani Kosova do të paraqitet në kualifikimet për Evropian. Dhe synon kualifikimin e parë në një ngjarje të madhe me ekipin senior.
Kosova në epërsi me dy gola pas pjesës së parë
Kosova e ka mbyllur me dy gola epërsi pjesën e parë të ndeshjes së dytë të fazës së dytë kualifikuese për Botërorin 2027 ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Pjesën e parë Kosova e mbylli në favor të saj 17:15.
Ndeshja është duke u zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Ndeshjen e parë Kosova e humbi në arenën “Mejdan” me rezultatin 34:21.