Botë

Refugjatët sirianë sigurojnë bukën nga mbeturinat

Deiri Fayyad, 26 vjeç, thotë se mbledhja e mbeturinave plastike nga koshat e plehrave është mënyra e vetme për të siguruar ushqim për familjen

Deiri Fayyad gërmon nëpër kazanët e mbeturinave në kryeqytetin libanez, Bejrut, në kërkim të plastikës dhe materialeve të tjera të hedhura për t'u ricikluar. Është punë që s’paguhet pak, por babai i tre fëmijëve ka pak mundësi nëse do që të ushqejë familjen e tij.

“Filloj herët në mëngjes në orën 8:30 dhe punoj për më shumë se 12 orë”, thotë ai, ndërsa vazhdon të hallakatë nëpër mbeturina.

Me duart të përvjela dhe pa dorashka, Deiri zgjat trupin thellë brenda koshit, duke hapur qeset plastike të mbeturinave për të parë se çfarë mund të gjejë. Ai fiton rreth 250.000 paundë libanezë (2 dollarë) në ditë.

Image
Deiri bën çmos që të përkrahë gruan e tij, Yamarna, dhe tre fëmijët e tyre në Bejrut

Kur paraja s’ka vlerë

26-vjeçari nga Raqqa është në mesin e rreth një milion sirianëve që kanë kërkuar strehim në Libanin fqinj, 12 vjet pas fillimit të luftës brutale civile të vendit të tij.

Ndërkohë Libani është gjymtuar nga krizat ekonomike dhe politike për gati katër vjet. Qindra mijëra libanezë po jetojnë tani në varfëri, më shumë që luftojnë për të përballuar ushqimin dhe ilaçet.

Në vitin 2019 qeveria dështoi në borxhet e saj të jashtme dhe monedha e vendit ra në kolaps. Në mars të këtij viti ra në nivelin më të ulët historik prej rreth 110.000 paundësh libanez për një dollar amerikan - duke humbur në mënyrë efektive pothuajse të gjithë vlerën që nga viti 2019.

Por ndërkohë që pothuajse të gjithë në Liban po ndiejnë pasojat e krizës, sirianët këtu janë në fund të pusit.

Shumë refugjatë - duke përfshirë fëmijë deri në 11 vjeç – po mbledhin mbeturina në përpjekje për të ushqyer veten.

Ndërsa ka OJQ që inkurajojnë riciklimin në Bejrut, kjo nuk është praktikë e zakonshme dhe bizneset e menaxhimit të mbetjeve janë krijuar për të përpunuar plastikë që mund të përdoren për të prodhuar produkte komerciale dhe bujqësore.

Deiri po mbush qesen e tij të madhe plastike me shishe uji bosh. Ndërsa ekipi i BBC-së qëndron dhe shikon nga afër, era e keqe po e bën të vështirë frymëmarrjen dhe ekipi habitet se si ai vazhdon - me një buzëqeshje në fytyrë.

Qiraja e papërballueshme

Duke punuar me orë të gjata, Deiri kalon një pjesë të kohës së lirë me macen Amber, të cilën e ushqen me çdo ushqim të mbetur që gjen në kosha.

Deiri, gruaja e tij Yamama dhe fëmijët e tyre jetojnë në një dhomë në një apartament që ndajnë me dy familje të tjera, jo shumë larg bulevardit të njohur bregdetar ku ai mbledh plastikë. Pjesa më e madhe e asaj që Deiri bën një muaj jepet me qira.

Dhoma është e vogël, me vetëm një dritë, një dysheme plastike dhe disa dyshekë të vendosur mënjanë. Ata kanë shishe uji në ballkon për t'u larë dhe një tenxhere të vogël me gaz.

Në momentin që ai mbërrin në shtëpi, Deiri përqafon fort fëmijët e tij.

"Unë nuk kam mundësi t'i dërgoj fëmijët e mi në shkollë, apo t'u ofroj atyre një jetë të mirë. Vështirë po ia dalim mbanë, por është më mirë sesa të poshtërohem duke lypur në rrugë”.

Shumë nga bashkëpunëtorët e Deirit janë gjithashtu nga Raqqa në Sirinë veriore. Ata i shpëtuan luftës dhe grupit militant Shteti Islamik, por në Liban jeta është e vështirë dhe kjo është e vetmja punë që mund të siguronin.

Vitet e fundit, dhe për shkak të krizave financiare, punëtorët që vinin këtu nga Bangladeshi, të cilët paguheshin në dollarë amerikanë, janë zëvendësuar me sirianë që marrin shumë pak - dhe në monedhën vendase - për një punë të tillë.

"Ëndrra është Evropa... por realiteti është ky"

Në njërën nga deponitë, ku plastika dhe mbeturinat e tjera riciklohen dhe ruhen përpara se të shiten, kundërmimi vështirë mund të përshkruhet - është mbytëse dhe e vështirë të imagjinohet që punëtorët janë të ekspozuar ndaj kësaj çdo ditë, pa ndonjë masë të dukshme higjienike.

Një ndërtesë mbi deponinë e plehrave tani është shtëpia e disa burrave, të gjithë nga Raqqa. Ata janë shumë të frikësuar për të folur. Ata thonë se kanë frikë se do të dëbohen përsëri në Siri.

Ndërtesa të tilla të ngjashme janë të shpërndara nëpër qytet, ku rreth 15 deri në 20 burra mblidhen së bashku në apartamente të pajisura keq për të ndarë kostot.

Në fund të çdo ndërrimi, Deiri dhe bashkëpunëtorët e tyre mbledhin mbeturinat e tyre të përditshme të plastikës në një pjesë të dedikuar ose ia dorëzojnë atë një menaxheri libanez në një nga qendrat, i cili peshon çantat e tyre përpara se t'i paguajë.

Si shumë të tjerë në vend, sirianë apo libanezë, Deiri është i dëshpëruar të largohet. Ndërsa shpresa e tij për t'u kthyer në një Siri të sigurt zbehet, ai dëshiron një jetë të re diku larg nga këtu.

"Ëndrra është Evropa... por realiteti është ky", thotë ai. "Shpresoj se Zoti mund të na ndihmojë dhe ne mund të largohemi. Gjithçka që dua është t'u ofroj fëmijëve të mi një jetë më të mirë dhe t'i shkolloj”.

Përktheu: Rexhep Maloku