Botë

Rënia e “Sulltanit” të drogës

Muhammed Asif Hafeez  - Sulltani i drogës

Muhammed Asif Hafeez, i njohur si “Sulltani”, ishte një trafikant ndërkombëtar droge që fshihej pas imazhit të një biznesmeni të respektuar. Ai drejtoi një rrjet global të shpërndarjes së heroinës, metamfetaminës dhe hashashit, ndërsa pretendonte të ishte informator. Pas një hetimi të gjatë nga DEA amerikane dhe autoritetet britanike, ai u arrestua në Londër dhe u ekstradua në SHBA në vitin 2023. Në nëntor 2023 u deklarua fajtor dhe u dënua me 16 vjet burgim.

Në publik, Muhammed Asif Hafeez e jepte përshtypjen e një personi të ndershëm.

Një biznesmen i nivelit botëror dhe ambasador i një klubi prestigjioz të polos në Londër, mbante lidhje me elitën britanike, përfshirë anëtarët e familjes mbretërore.

Ai gjithashtu u kalonte rregullisht autoriteteve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Lindjen e Mesme informacione të hollësishme që, në disa raste, çuan në kapjen e dërgesave të mëdha të drogës. Ai thoshte se motivohej thjesht nga ajo që e shihte si “detyrimin e tij moral për të frenuar dhe nxjerrë në pah aktivitetet kriminale”.

Kështu së paku donte që njerëzit të mendonin.

Në realitet, Hafeez ishte vetë ai që zyrtarët amerikanë e përshkruan si “një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë”.

Nga rezidenca e tij në Mbretërinë e Bashkuar, ai ishte drejtuesi i një perandorie të madhe droge, duke furnizuar me shumë tonë heroinë, metamfetaminë dhe hashash nga bazat në Pakistan dhe Indi, e që shpërndaheshin në të gjithë botën. Bandat për të cilat ai informonte ishin rivalët e tij dhe motivimi i tij ishte të çlironte tregun nga konkurrentët e tij.

Statusi i tij në botën e krimit ia dha atij nofkën “Sulltani”.

Por, kjo fuqi dhe prestigj kriminal nuk do të zgjasnin përgjithmonë. Pas një operacioni të përbashkët kompleks midis autoriteteve britanike dhe amerikane, Hafeez 66-vjeçar u ekstradua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2023. Ai u deklarua fajtor nëntorin e kaluar.

Të premten e kaluar, ai u dënua me 16 vjet burgim në New York për komplot të importimit të drogës - duke përfshirë heroinë të mjaftueshme për “miliona doza” - në SHBA. Duke qenë në paraburgim që nga viti 2017, dënimi i Hafeezit do të përfundojë në vitin 2033.

BBC-ja e ka ndjekur nga afër rastin e Hafeezit. Ekipi i saj ka mbledhur informacione nga dokumentet e gjykatës, listat e korporatave dhe intervistat me njerëz që e njihnin atë.

BBC-ja donte të zbulonte se si arriti ai ta shmangte “radarin” për kaq gjatë - dhe si u kap përfundimisht. 

Hafeez lindi në shtator të vitit 1958 në një familje të klasës së mesme në Lahore të Pakistanit. Fëmijëria e tij ishte e rehatshme. Njerëzit në Lahore, që e njihnin familjen, i thanë BBC-së se babai i tij kishte në pronësi një fabrikë pranë qytetit. Hafeez gjithashtu më vonë i tha një gjykate amerikane se ishte trajnuar si pilot komercial.

Nga fillimi i viteve ‘90 deri rreth mesit të viteve 2010, ai drejtoi një kompani të madhe, në dukje legjitime të quajtur “Sarwani International Corporation”, me degë në Pakistan, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Mbretër të Bashkuar.

Sipas faqes së saj të internetit - e cila që atëherë është mbyllur - ajo u shiste pajisje teknike ushtrive, qeverive dhe forcave policore në të gjithë botën, duke përfshirë pajisje për zbulimin e drogës.

Ndër bizneset e tjera nën ombrellën e Sarwanit ishin një kompani tekstili e regjistruar në vende të ndryshme, një restorant italian në Lahore që ishte një françise e një marke të njohur Knightsbridge, dhe një kompani e quajtur Tipmoor, me seli pranë Windsorit në perëndim të Londrës, e cila njihej për “polo dhe shërbime hipizmi”.

Këto biznese jo vetëm që i ofruan atij një stil luksoz jete, por i siguruan atij qasje në qarqet më ekskluzive të Mbretërisë së Bashkuar. Ai u listua si ambasador ndërkombëtar për klubin prestigjioz Ham Polo, nga viti 2009 deri në vitin 2011. Ai dhe gruaja e tij Shahina u fotografuan gjithashtu duke biseduar me princin William dhe me princin Harry, në klub, në vitin 2009.

Ham Polo Club tha për BBC-në se Hafeez nuk kishte qenë kurrë anëtar i klubit, se klubi nuk ka më “ambasador” dhe se bordi aktual “nuk ka lidhje me të”. Shtoi se eventi në të cilin Hafeez dhe gruaja e tij u fotografuan, duke takuar princat, “ishte drejtuar nga një palë e tretë”.

Degët e ndryshme globale të Sarwanit u shpërbënë në faza të ndryshme në vitet 2010, sipas listave të tyre në Companies House dhe regjistrat ekuivalentë globalë.

 “Diçka e dyshimtë po ndodh”

Një ish-punonjës i Sarwanit me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe i tha BBC-së se dyshonte se kishte “ndodhur diçka e dyshimtë”, kur ai punonte për biznesin, sepse edhe projektet e mëdha “paguheshin vetëm me para në dorë”. Punonjësi - i cili ka kërkuar të mos identifikohet, nga frika e hakmarrjes - tha se përfundimisht e la biznesin, sepse nuk ndihej rehat me këtë.

“Nuk kishte transaksione bankare, asnjë të dhënë, asnjë ekzistencë”, i tha ai BBC-së.

Hafeez gjithashtu u shkruante periodikisht letra autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke informuar mbi kartelet rivale, nën maskën e të qenit një anëtar i shqetësuar i publikut.

BBC i ka parë këto, si dhe letrat që ai mori në përgjigje nga Ambasada Britanike në Dubai dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, duke e falënderuar dhe duke shprehur vlerësimin e tyre.
Ministria e Brendshme i tha BBC-së se nuk komenton për korrespondencën individuale.

Anëtarët e familjes së Hafeezit i ndanë këto letra me BBC-në në vitin 2018, ndërsa ai ishte i përfshirë në një betejë të gjatë ligjore kundër ekstradimit në SHBA.

Ata gjithashtu ua paraqitën ato gjykatave në Mbretërinë e Bashkuar dhe, më vonë, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), si provë se ai kishte qenë informator dhe kishte nevojë për mbrojtje. Të gjitha gjykatat nuk ishin dakord dhe vendosën se kjo ishte një dredhi nga Hafeez për ta çliruar tregun nga konkurrentët.

Hafeez, tha GJEDNJ, ishte “dikush që kishte sjellë në vëmendjen e autoriteteve sjelljen kriminale të të tjerëve që ai i dinte se ishin rivalë aktualë ose potencialë të ndërmarrjes së tij të konsiderueshme kriminale”.

Ndërsa Hafeez po shkruante këto letra, në vitin 2014 u zhvillua një takim që - pavarësisht se ai nuk ishte atje - do të çonte në rënien e tij.

Dy nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Hafeezit u takuan me një blerës potencial nga Kolumbia në një apartament në Mombasa të Kenias. Ata dogjën një sasi të vogël heroine për të demonstruar se sa e pastër ishte dhe thanë se mund ta furnizonin me çdo sasi “100%... kristal të bardhë”.

Furnizuesi i kësaj heroine me cilësi të lartë, i kishin thënë blerësit, ishte një burrë nga Pakistani i njohur si “Sulltani” - domethënë Hafeezi.

Ajo që ata do të mësonin shpejt ishte se “blerësi” nga Kolumbia në të vërtetë ishte agjent i fshehtë për Administratën Amerikane të Zbatimit të Ligjit kundër Drogave (DEA). I gjithë takimi ishte pjesë e një operacioni të hollësishëm dhe ishte filmuar fshehurazi - pamje që janë siguruar nga BBC-ja.

Dokumentet e gjykatës amerikane zbulojnë se marrëveshja ishte koordinuar nga Baktash dhe Ibrahim Akasha, dy vëllezër që drejtuan një kartel të dhunshëm në Kenia. Babai i tyre ishte vetë një kriminel i frikshëm, i cili ishte vrarë në Amsterdam në vitin 2000.

Marrëveshja përfshinte edhe Vijaygiri “Vicky” Goswami,  shtetas indian i cili menaxhonte operacionet e Akashasit.

Ekstradimi në SHBA

Në tetor 2014, me Akasha, Goswami dhe Hafeez, ende të pavetëdijshëm se kush ishin blerësit në të vërtetë, 99 kg heroinë dhe 2 kg metamfetaminë kristal iu dorëzuan trafikantëve të rremë kolumbianë. Akashasët premtuan të siguronin qindra kilogramë të tjerë nga secila drogë.

Një muaj më vonë, vëllezërit Akasha dhe Goswami u arrestuan në Mombasa. Ata u liruan me kusht pak më vonë dhe kaluan më shumë se dy vjet duke luftuar ekstradimin në SHBA.

Në sfond, zbatuesit e ligjit amerikan po punonin me homologët në Mbretërinë e Bashkuar, për të bashkuar çështjen e tyre kundër Hafeezit, pjesërisht duke përdorur prova të mbledhura nga pajisjet që kishin sekuestruar kur arrestuan Goswamin dhe vëllezërit Akashas. Në to, ata kishin gjetur referenca të shumta për Hafeezin, si një furnizues kryesor, dhe ishin në gjendje të gjenin prova të mjaftueshme për ta identifikuar atë si “Sulltani”.

Përballja me akuzat në SHBA nuk e ndaloi njërin prej burrave, Goswamin, të vazhdonte sipërmarrjen e tij të paligjshme. Në vitin 2015, ndërsa ishte me kusht në Kenia, ai kurdisi një plan me Hafeezin për të transportuar disa tonë drogë të quajtur efedrinë nga një fabrikë kimike në Solapur të Indisë për në Mozambik.

Efedrina, një ilaç i fuqishëm që është i ligjshëm në sasi të kufizuara, përdoret për ta prodhuar metamfetaminë. Dokumentet e gjykatës amerikane tregojnë se të dy burrat - Goswami dhe Hafeez - planifikuan të ndërtonin një fabrikë metamfetamine në kryeqytetin e Mozambikut, Maputo. Por, skema e tyre u braktis në vitin 2016, kur policia bastisi fabrikën e Solapurit dhe sekuestroi 18 tonë efedrinë.
Vëllezërit Akasha dhe Goswami më në fund u dërguan në SHBA për t’u përballur me gjyqin në janar 2017.

Hafeez u arrestua tetë muaj më vonë në Londër, në apartamentin e tij në lagjen e pasur St John’s Wood. Ai u mbajt i ndaluar në burgun e sigurisë së lartë Belmarshit në juglindje të Londrës dhe prej andej kaloi gjashtë vjet duke luftuar kundër ekstradimit në SHBA.

Një zhvillim i madh ndodhi në vitin 2019 në SHBA. Goswami u deklarua fajtor dhe i tha një gjykate të New Yorkut se kishte rënë dakord të bashkëpunonte me prokurorët. Vëllezërit Akasha gjithashtu u deklaruan fajtorë.

Baktash Akasha u dënua me 25 vjet burgim. Vëllai i tij Ibrahim u dënua me 23 vjet.

Goswami, i cili ende nuk është dënuar, do të kishte dëshmuar kundër Hafeezit në SHBA nëse çështja do të kishte shkuar në gjyq.

Nga Belmarsh, Hafeezit po i mbaronin opsionet.

Ai u përpoq ta ndalonte ekstradimin në SHBA, por nuk arriti të bindte Gjykatën e Lartë në Londër dhe GJEDNJ-në, se ai, në fakt, kishte qenë një informator për autoritetet, i cili ishte “në rrezik keqtrajtimi nga të burgosurit e tjerë” si rezultat.

Ai gjithashtu pretendoi se kushtet në një burg amerikan do të ishin “çnjerëzore dhe degraduese” për të për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke përfshirë diabetin e tipit 2 dhe astmën.

Ai i humbi të gjitha këto argumente në çdo fazë dhe u ekstradua në maj 2023.

Çështja e tij nuk shkoi në gjyq. Në nëntor të vitit të kaluar, Hafeez u deklarua fajtor për dy akuza për konspiracion për të prodhuar dhe shpërndarë heroinë, metamfetaminë dhe hashash dhe për t'i importuar ato në SHBA.

Para dënimit, prokurorët përshkruan “rrethanat jashtëzakonisht me fat” të jetës së Hafeezit, të cilat “e bëjnë të qartë vendimin e tij për të komplotuar... dhe për të përfituar nga shpërndarja e substancave të rrezikshme që shkatërrojnë jetë dhe komunitete të tëra”.

“Ndryshe nga shumë trafikantë, aktivitetet e të cilëve me drogën lindin, të paktën pjesërisht, nga dëshpërimi, varfëria dhe mungesa e mundësive arsimore”, thanë ata, “i pandehuri ka jetuar një jetë plot privilegje dhe zgjedhje”.