Komisioneri i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, ka paralajmëruar se Rusia mund të testojë mbrojtjen e NATO-s “gjatë dy ose katër vjetëve të ardhshme”, duke sugjeruar se kjo mund të përfshijë një sulm ndaj një shteti baltik.
Duke folur në konferencën “Mbrojtja e Baltikëve 2025: Mësime Lufte nga Ukraina” në Vilnius të hënën, Kubilius ka thënë se urgjenca për të gjetur një mënyrë për të mbrojtur rajonin e Baltikut vjen nga “deklaratat publike të shërbimeve tona të inteligjencës, përfshirë ato nga Gjermania, Danimarka, Finlanda, Holanda dhe nga rajoni ynë, se Putini mund të jetë gati të testojë Artikullin Pesë gjatë dy ose katër vjetëve të ardhshme”.
“Mund të hamendësojmë se në një rast të tillë, shtetet baltike do të jenë një nga objektivat e preferuara të agresionit të ri të Kremlinit. Do të jetë një agresion edhe kundër të gjithë NATO-s dhe kundër të gjithë Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Kubilius ka këmbëngulur se vendet e BE-së dhe NATO-s duhet të nxjerrin mësime nga sjellja e Ukrainës kundër Rusisë dhe të përshpejtojnë planet e tyre të mbrojtjes.
“Mesazhi im kryesor sot: le t’i pyesim ukrainasit se si të jemi gati për mbrojtje dhe si mund të na ndihmojnë të jemi gati”, ka thënë ai.
Ai është shprehur i frustruar që vendeve të BE-së iu deshën vite për të kuptuar se nuk janë gati të zbulojnë dronët rusë dhe t’i shkatërrojnë ato me mjete me kosto efektive, pavarësisht faktit se të gjithë e dinë se i dronët po përdoren masivisht në vijën e frontit të Ukrainës.
“Duhet të kujtojmë se nëse vjen dita X dhe Putini vendos ta testojë Artikullin Pesë diku në rajonin e Baltikut, do të përballemi me agresionin e një ushtrie ruse të testuar në betejë, e cila tani është shumë më e fortë se sa ishte në shkurt të vitit 2022 dhe është në gjendje të përdorë miliona dronë. … A jemi vërtet të përgatitur për një ditë të tillë X pavarësisht faktit se nuk kemi ushtri të testuara në betejë në shtetet baltike?”, ka pyetur ai.