Rusia ka shtuar sulmet ndaj rajonit jugor ukrainas të Odesës, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe duke rrezikuar infrastrukturën detare të këtij rajoni strategjik.
Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Oleksiy Kuleba, ka deklaruar se Moska po kryen sulme “sistematike” ndaj Odesës. Ai ka paralajmëruar javën e kaluar se fokusi i luftës “mund të jetë zhvendosur drejt Odesës”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se sulmet e përsëritura kanë për qëllim bllokimin e qasjes së Ukrainës në logjistikën detare. Në fillim të dhjetorit, presidenti rus Vladimir Putin kishte kërcënuar se do t’ia ndërpresë Ukrainës daljen në det, si hakmarrje për sulmet me dronë ndaj cisternave të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë në Detin e Zi.
“Flota hije” i referohet qindra cisternave që Rusia i përdor për të anashkaluar sanksionet perëndimore të vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Të hënën në mbrëmje, sulmet goditën infrastrukturën portuale në Odesë, duke dëmtuar edhe një anije civile, ka bërë të ditur guvernatori rajonal. Këto janë pjesë e qindra sulmeve që ditëve të fundit kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe kanë shkaktuar viktima.
Të dielën mbrëma, sulmet lanë pa energji rreth 120 mijë persona dhe shkaktuan zjarr në një port të madh, ku u shkatërruan dhjetëra kontejnerë me miell dhe vaj vegjetal. Javën e kaluar, një sulm me raketë balistike në portin Pivdenniy, në lindje të Odesës, la të vdekur tetë persona dhe plagosi të paktën 30 të tjerë, ndërsa një tjetër sulm vrau një grua dhe ndërpreu përkohësisht urën e vetme që lidh rajonin e Odesës me Moldavinë.