Ushtria ruse ka kapur një shtetas britanik që luftonte me trupat ukrainase në rajonin e pushtuar Kursk të Rusisë, sipas raporteve të hënën.
Lajmi vjen në kohën kur Moska filloi sulmet me dronë në zonat civile të Ukrainës dhe forcat e saj tokësore përshpejtuan arritjet përgjatë pjesëve të vijës së frontit, raporton AP.
Britaniku u identifikua nga agjencia shtetërore e lajmeve Tass dhe media të tjera si James Scott Rhys Anderson. Tass e citoi atë të thoshte se ai kishte shërbyer si sinjalizues në ushtrinë britanike për katër vjet dhe më pas iu bashkua Legjionit Ndërkombëtar të Ukrainës, i formuar herët në luftën gati 3-vjeçare të Rusisë kundër fqinjit të saj.
Forcat ruse kohët e fundit kanë fituar terren me "një ritëm dukshëm më të shpejtë" se sa në të gjithë vitin e kaluar, sipas Institutit për Studimin e Luftës, një institut kërkimor në Uashington.
Rusët kanë zbuluar dhe janë duke shfrytëzuar dobësitë në mbrojtjen e Ukrainës, ka thënë insitituti në një analizë të dielën vonë.
Lufta i kaloi 1000 ditë javën e kaluar dhe momenti historik përkoi me një përshkallëzim të konsiderueshëm të armiqësive.