Të paktën 23 persona janë plagosur si pasojë e sulmit më të madh ajror të Rusisë që prej fillimit të luftës ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, teksa është raportuar edhe për dëme në infrastrukturën hekurudhore, ka shkruar BBC.
Në Forcën Ajrore të Ukrainës kanë njoftuar se Rusia kishte lëshuar 550 dronë dhe 11 raketa në mbarë vendin gjatë natës.
Sulmet ndodhën disa orë pas telefonatës midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, pas së cilës presidenti amerikan ka thënë se ishte “i zhgënjyer” me mosgatishmërinë e Putinit për t’i dhënë fund luftës.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i ka dënuar sulmet e fundit ndaj kryeqytetit ukrainas, teksa ka përsëritur thirrjet që “Moska duhet të përballet me sanksionet më të ashpra pa asnjë vonesë”.
“Natë absolutisht e tmerrshme dhe pa gjumë në Kiev. Një nga më të këqijat deri më tani”, ka shkruar Sybiha në rrjetin social X.
Tek ka theksuar se këto sulme ndodhën menjëherë pas telefonatës së Putinit dhe Trumpit, Sybiha ka shtuar se Putini e bën këtë me qëllim” dhe se kjo “tregon qartë për mungesën e respektit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe çdo kujt tjetër që ka bërë thirrje për përfundimin e luftës”.
Pamjet e publikuara nëpër rrjetet sociale nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës, kanë shfaqur zjarrfikësit duke luftuar me flakët në Kiev menjëherë pas sulmeve të gjera ajrore.
Shërbimet emergjente kanë raportuar po ashtu për dëme në të paktën pesë nga dhjetë distriktet e kryeqytetit.