Rusia është afër që ta sigurojë kontrollin mbi qytetin Pokrovsk, një fitore që konsiderohet simbolike, por që po arrihet me humbje të mëdha për Rusinë. Qyteti ka humbur rëndësinë strategjike, por mbetet i rëndësishëm për propagandën e Putinit
Forcat ruse janë në prag të sigurimit të kapjes së qytetit lindor të Ukrainës, Pokrovsk, në një fitore simbolike të cilën presidenti Vladimir Putin e ka ndjekur për 21 muaj me një kosto të lartë.
Luftimet brenda qytetit janë intensifikuar ditëve të fundit, pasi trupat ruse me sukses hynë brenda. Rënia e Pokrovskut – vlera strategjike e të cilit tashmë është zbehur shumë, por do të përfaqësonte fitoren më të madhe për Moskën që nga viti 2023 – tani duket e pashmangshme, sipas terrenit.
Kievi megjithatë i ka mohuar pretendimet ruse se forcat ukrainase në Pokrovsk tashmë janë rrethuar. Të mërkurën, autoritetet ukrainase kanë thënë se po zhvillojnë operacione për të ndalur avancimin rus. Megjithatë, ushtarët ukrainas në terren kanë përshkruar realitet më të zymtë.
“Situata është e vështirë, me të gjitha llojet e luftimeve që po zhvillohen, shkëmbime zjarri në zona urbane e granatime të llojllojshme”, ka thënë një komandant batalioni për CNN-in në kushte anonimiteti. “Jemi pothuajse të rrethuar, por jemi mësuar me këtë”.
E një tjetër ka thënë për CNN-in se ushtria ruse bën presion me numër të madh ushtarësh. “Intensiteti i lëvizjeve të tyre është aq i madh sa që operatorët ukrainas të dronëve nuk mund të mbajnë ritmin. Rusët lëvizin me grupe prej tre personash, duke llogaritur në faktin se dy do të shkatërrohen, por një mbërrin qytetin dhe lë gjurmë. Rreth 100 grupe të tilla kalojnë çdo ditë”, ka thënë një ushtar i njësitit të dronëve.
Pretendimi se Rusia është në gjendje të sakrifikojë nga dy ushtarë në mënyrë që një të avancojë duket i çuditshëm, por përputhet me monitorimet nga studiuesit ndërkombëtarë që kanë raportuar për numër të lartë viktimash ruse rreth Pokrovskut. Megjithatë marrja e qytetit nën kontroll tani konsiderohet se s’do të bëjë shumë ndryshime në terren. Kjo sepse beteja për Pokrovskun nuk është më luftë për qendër logjistike me rëndësi strategjike. Përkundrazi, tani është shndërruar në betejë simbolike.
“Nga perspektiva e fushëbetejës, nuk ka kuptim”, ka thënë George Barros, që udhëheq ekipet për Inteligjencë Gjeohapësinore të Rusisë në Institutin për Studime të Luftës (ISW), think-tank me bazë në Washington.
Pokrovsku është parë si qytet kyç për Ukrainën, kryesisht për shkak të lidhjeve hekurudhore. Ndodhet në kryqëzim të disa rrugëve kryesore, që çojnë në Donetsk dhe Kostyantynivka në lindje dhe Dnipro e Zaporizzhia në perëndim.
“Ishte e rëndësishme sepse ishte linjë furnizimi që përkrahte logjistikë ukrainase, por më pas u shpërnda dhe mbështeti pozicionet tjera taktike të Ukrainës në fshatra më të vegjël dhe në fushat përreth Pokrovskut”, ka thënë ai.
Gjithsesi, kjo ndryshoi sapo që Rusia nisi ta rrethonte Pokrovskun gjatë verës.
Sulme të shpeshta të dronëve dhe të artilerisë mbi autostradat kyçe dhe linjat hekurudhore e detyruan Kievin të gjente rrugë të tjera për të larguar linjën e furnizimit nga Pokrovsku. Ky konsiderohej sukses i madh për Rusinë. Qyteti po ashtu u detyrua ta mbyllte minierën e fundit të qymyrit të koksit në Ukrainë.
“Nga ky këndvështrim, nuk kryen asnjë punë operacionale për rusët, sepse veçse e kishin arritur qëllimin kryesor për të cilin kishin nevojë më herët”, ka thënë Barros për CNN.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më herët gjatë javës ka thënë se Rusia ka grumbulluar rreth 170 mijë trupa në rajon për ofensivën në Pokrovsk.
Po që se e kryen me sukses kapjen e Pokrovskut, do të ishte qyteti më i madh që Rusia ka kapur që prej Bakhmutit në maj të 2023-s. Përderisa 60 mijë njerëz jetonin aty para luftës, shumica kanë ikur që prej pushtimit më 2022. Sipas autoriteteve ukrainase, në qytet janë vetëm rreth 1200 civilë.
“Strategjikisht, nga perspektiva politike dhe informuese, Pokrovsku është shumë i rëndësishëm sepse Vladimir Putini ka dhënë dhjetëra deklarata vendore e ndërkombëtare për kapjen e tij. Ai po zhvillon një fushatë strategjike që synon ta paraqesë fitoren ushtarake të Rusisë në fushëbetejë si të pashmangshme”, ka deklaruar Barros.
Putini e ka bërë të qartë se qëllimi i tij është kapja e plotë e rajoneve Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore si dhe të Khersonit e Zaporizhzhias në jug. Marrja e Pokrovskut do t’ia mundësonte Rusisë ndërrimin e fokusit për diku tjetër – kryesisht drejt vargut të qendrave industriale që formësojnë shtyllën e mbrojtjes ukrainase në rajon.
Një ushtar nga Brigada e 129-të e Ukrainës që aktualisht është afër Kostyantynivkas ka thënë për CNN-in se pritjet në terren janë që “sapo që rusët të përfundojnë punë me Pokrovskun dhe Myrnohradin, presioni mbi Kostyantynivkan do të rritet dhe ata do të ecin drejt Druzhkivkas”. Sipas tij, batalioni nuk e ka numrin e ushtarëve që do të duhej ta kishte dhe se vazhdimisht po pëson humbje.