Një termocentral i rëndësishëm afër Kievit është shkatërruar plotësisht nga sulmet ruse të enjten herët, ka bërë të ditur kompania energjetike Centrenergo.
Termocentrali Trypillya ishte më i madhi që prodhonte energji për tri rajone, përfshirë Kievin, raporton BBC.
“Shkalla e shkatërrimit është e tmerrshme”, ka thënë kryetari i Centrenergos, Andriy Hota.
Rusia e ka pasur vazhdimisht cak sistemin energjetik të Ukrainës.
Hota i ka thënë BBC-së të enjten se sulmet i kanë shkatërruar “transformuesit, turbinat dhe gjeneratorët e termocentralit”.
“Ato janë shkatërruar 100%”, ka deklaruar ai.
Një zjarr ka shpërthyer në një turbinë në termocentralin Trypillya, i lokalizuar 50km në jug të Kievit, pas sulmit ajror në shkallë të gjerë të së enjtes.
Shefi i Centrenergos ka thënë se termocentrali ka qenë cak i disa sulmeve. Stafi i tij ka arritur që të shpëtojë, pasi ata kanë ikur menjëherë, pas sulmit të parë.
Banorëve ndërkaq u është kërkuar që t’i mbyllin dritaret, të karikonin të gjitha pajisjet e tyre dhe të rezervonin ujë.
Më shumë se 80 raketa dhe dronë kanë sulmuar ndërtesa të ndryshme në Ukrainë, në orët e para të së enjtes.