Botë

Rusia vazhdon sulmet mbi Ukrainë, të paktën gjashtë të vdekur

Ukraine

Foto: Associated Press

Moska ka nisur të dielën në mbrëmje natën e tretë radhazi të sulmeve masive me dronë kundër Ukrainës, duke vrarë të paktën gjashtë persona.

Sulmet vijnë disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, theu heshtjen e tij duke thënë se lideri rus, Vladimir Putin, është “çmendur”.

Gjatë natës të së hënës, Rusia ka lëshuar një rekord prej 355 dronësh iranian Shahed, si dhe nëntë raketa lundrimi.

Zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yuriy Ignat, ka konfirmuar se ky ishte sulmi më i madh me dron që kur Moska ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.

Trumpi ka kritikuar gjithashtu presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për thirrjen e mosveprimit të SHBA-aë kundër Rusisë.

"Diçka i ka ndodhur (Putinit). Ai është çmendur absolutisht!”, ka shkruar Trumpi për presidentin rus në Truth Social. 

“Unë gjithmonë kam thënë se ai do të gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe ndoshta kjo është e drejtë, por nëse e bën, kjo do të çojë në rënien e Rusisë!”, ka shtuar ai.

Trumpi gjithashtu ka shkruar se lideri ukrainas "nuk po i bën favor vendit të tij duke folur ashtu siç bën".

“Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme, nuk më pëlqen dhe më mirë të ndalojë”, ka shtuar Trump.

Ndërsa Trumpi kishte sugjeruar më herët, duke folur me gazetarët, se ai mund të konsideronte sanksione të reja, nuk kishte asnjë tregues të hënën në mëngjes për ndonjë veprim domethënës të SHBA-së kundër Moskës.

Trumpi dhe Putini kanë zhvilluar javën e kaluar bisedën e tretë telefonike që kur Trumpi është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, lidhur me Ukrainën.

Trumpi ka thënë pas bisedës se Ukraina dhe Rusia do t’i nisin menjëherë bisedimet për armëpushim, mirëpo ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim.