Kim nuk e lë Korenë e Veriut shpesh. Ai është paranojak për sigurinë e vet dhe i sheh udhëtimet jashtë vendit si përplot me rrezik. Për udhëtimet e fundit ndërkombëtare - në Hanoi për t’u takuar me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në shkurt të vitit 2019 dhe për të takuar Putinin në Vladivostok në prill të 2019-s - ai hipi në një tren të blinduar. Udhëtimi për në Hanoi zgjati dy ditë përmes Kinës. Është e paqartë se sa privatë synonin të ishin të dy liderët në takimin e tyre, por është e mundur që SHBA-ja të shpresojë që duke e bërë ata publik takimin, mund ta trembë Kimin dhe ta pengojnë marrëveshjen e mundshme të armëve.
Planet e raportuara të liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un për ta vizituar Rusinë këtë muaj kanë shkaktuar shqetësim te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj.
Ai dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, synojnë të diskutojnë mundësinë që Koreja e Veriut t’i sigurojë Moskës armë për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë, kanë bërë të ditur zyrtarët amerikanë.
Në sipërfaqe, një marrëveshje armësh midis Koresë së Veriut dhe Rusisë ka kuptim të përsosur transaksional.
Moska ka nevojë dëshpërimisht për armë, veçanërisht municion dhe predha artilerie, për luftën në Ukrainë, dhe Peniani i ka të dyja me bollëk.
Nga ana tjetër, Koreja e Veriut e uritur nga sanksionet ka nevojë për para dhe ushqim. Më shumë se tre vjet mbyllje kufijsh, pa përfshirë prishjen e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, e kanë lënë vendin më të izoluar se kurrë më parë.
Por nën sipërfaqe, marrëveshja krijon mundësinë që Peniani dhe Moska të fillojnë të punojnë më ngushtë së bashku. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një marrëveshje të mundshme armësh midis dy vendeve për disa kohë, por një takim në nivel udhëheqës midis Kim Jong Unit dhe Vladimir Putinit e katapulton këtë në nivel tjetër.
Përfitimet nga të dyja vendet
Gjersa prioriteti për SHBA-në, në planin afatshkurtër, duket se është ndalimi i armëve të Koresë së Veriut që të arrijnë në vijën e frontit në Ukrainë, shqetësimi në Seul është se çfarë do të merrte Koreja e Veriut në këmbim të shitjes së armëve të saj Rusisë.
Me Rusinë në një situatë të rënduar, Kimi do të jetë në gjendje të nxjerrë një çmim të lartë.
Ndoshta ai mund të kërkonte më shumë mbështetje ushtarake nga Rusia. Një ditë më parë, shërbimi i inteligjencës i Koresë së Jugut informoi se Sergei Shoigu, ministri rus i Mbrojtjes, u kishte sugjeruar Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut të zhvillonin stërvitje të përbashkëta detare, të ngjashme me ato të kryera nga SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia, të cilat Kim Jong Un i urren aq shumë.
Kim gjithashtu mund të jetë në gjendje të marrë armë ruse në të ardhmen.
Por deri tani kërkesa më shqetësuese që mund të bëjë Kim, është që Putini t’i sigurojë teknologji ose kapacitete të avancuara të armëve, për ta ndihmuar të bëjë përparime në programin e armëve bërthamore. Ai është ende duke ngecur në zotërim të armëve kryesore strategjike, kryesisht një satelit spiun dhe një nëndetëse të armatosur me armë bërthamore.
Megjithatë, zyrtarët në Seul besojnë se bashkëpunimi nuk ka gjasa të arrijë në këtë nivel, pasi mund të rezultojë strategjikisht i rrezikshëm për Rusinë.
Yang Uk, studiues në Institutin Aziatik për Studime Politike, vuri në dukje se edhe nëse Rusia nuk i shet armë Koresë së Veriut në këmbim, ajo mund ta financojë programin e saj bërthamor. “Në qoftë se Rusia paguan në naftë dhe ushqime, ajo mund ta ringjallë ekonominë e Koresë së Veriut, e cila nga ana tjetër mund të forcojë gjithashtu sistemin e armëve të veta. Është një burim shtesë të ardhurash, e që nuk e kishin”.
“Për 15 vjet ne kemi ndërtuar rrjet sanksionesh kundër Koresë së Veriut, për t’ia ndaluar zhvillimin dhe tregtimin e armëve shkatërruese. Tani Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mund të bëjë që i gjithë ky sistem të shembet”, ka thënë Yang, që është ekspert në strategjinë ushtarake dhe sisteme armësh.
Teksa sanksionet janë shtuar, Koreja e Veriut është bërë gjithnjë e më e varur nga Kina, për të mbyllur sytë ndaj atyre që shkelin sanksionet dhe për t’i ofruar ndihmë ushqimore. Gjatë vitit të kaluar, Pekini ka refuzuar të ndëshkojë Korenë e Veriut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për testimet e armëve, që do të thotë se ka qenë në gjendje ta zhvillojë arsenalin bërthamor pa pasoja serioze.
Koreja e Veriut i ofron Pekinit zonë të dobishme mbrojtëse midis saj dhe forcave amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut, që do të thotë se paguan për ta mbajtur Penianin të qëndrueshëm.
Siguria e vendit
Mirëpo, Peniani ka qenë gjithmonë i shqetësuar për varësinë e tepërt vetëm nga Kina. Me Rusinë në kërkim të aleatëve, kjo i jep Kimit mundësinë për të diversifikuar rrjetin e tij mbështetës.
Dhe me Rusinë kaq të dëshpëruar për armë, udhëheqësi i Koresë së Veriut mund të ndiejë se mund të tërheqë më shumë nga Moska sesa Pekini. Putini mund të pranojë të heshtë përballë një testimi bërthamor të Koresë së Veriut, ndërsa kjo mund të jetë një hap shumë i largët për presidentin kinez, Xi Jinping.
“Gjatë Luftës së Ftohtë, Koreja e Veriut po luante me rusët kundër kinezëve, shumë e ngjashme me atë se si fëmijët luajnë prindërit me njëri-tjetrin”, ka theksuar Dr Bernard Loo, i Shkollës S Rajaratnam të Studimeve Ndërkombëtare në Singapor.
Por ka ende pikëpyetje nëse takimi do të mbahet.
Kim nuk e lë Korenë e Veriut shpesh. Ai është paranojak për sigurinë e vet dhe i sheh udhëtimet jashtë vendit si përplot me rrezik. Për udhëtimet e fundit ndërkombëtare - në Hanoi për t’u takuar me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në shkurt të vitit 2019 dhe për të takuar Putinin në Vladivostok në prill të 2019-s - ai hipi në një tren të blinduar. Udhëtimi për në Hanoi zgjati dy ditë përmes Kinës.
Është e paqartë se sa privatë synonin të ishin të dy liderët në takimin e tyre, por është e mundur që SHBA-ja të shpresojë që duke e bërë ata publik takimin, mund ta trembë Kimin dhe ta pengojnë marrëveshjen e mundshme të armëve.
Loo nuk mendon se Kimi do të kishte shumë hapësirë për lëvizje. Megjithatë sipas tij, “duke pasur parasysh raportet për stërvitjet ushtarake trepalëshe, do të ishte e vështirë të anuloheshin këto lloj ngjarjesh”.
Një pjesë e strategjisë së SHBA-së që nga pushtimi rus i Ukrainës ka qenë shfrytëzimi i inteligjencës në përpjekjet për ta parandaluar arritjen e marrëveshjeve. Koreja e Veriut dhe Rusia deri më tani kanë mohuar çdo raportim se po kërkojnë të tregtojnë armë. Asnjëra palë nuk dëshiron që marrëveshja jetë çështje publike.
Përktheu: Blerta Haxhiu