Botë

Sanchez: Palestina duhet të bëhet anëtare e plotë e OKB-së

Pedro Sanchez

Foto: Associated Press

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, një kritik i hapur i luftës së Izraelit në Gazë, ka bërë thirrje që shteti i Palestinës të pranohet në OKB.

Thirrja vjen një ditë pas samitit të udhëhequr nga Franca dhe Arabia Saudite, në të cilin shteti francez ka bërë njohjen zyrtare të shtetit palestinez.

"Kjo konferencë shënon një moment historik, por nuk është fundi i rrugës. Është vetëm fillimi", ka thënë Sanchez në takimin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

"Shteti i Palestinës duhet të jetë anëtar i plotë i Kombeve të Bashkuara. Procesi që shteti i Palestinës të bashkohet me këtë organizatë duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, në kushte të barabarta me shtetet e tjera", ka thënë ai.

Spanja, së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë, kanë njohur shtetin palestinez në maj.

Palestina njihet aktualisht nga rreth 75% e 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Në OKB, ajo ka statusin e një "shteti vëzhgues të përhershëm" që lejon pjesëmarrjen, por jo të drejtën e votës.

Ndërkohë, pavarësisht njohjeve të fundit, Izraeli po vazhdon ofensivën e tij ushtarake që synon pushtimin e qytetit të Gazës.

Banorët kanë thënë për mediat se tanket izraelite kanë përparuar në qendër të qytetit nga veriu dhe jugu.