Botë

Sekretari i Trumpit e pranon se kishte vizituar ishullin e Epsteinit

Donald Trump dhe Howard Lutnick

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ka konfirmuar se kishte vizituar ishullin e Jeffrey Epsteinit në vitin 2012, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e mëparshme se kishte shkëputur lidhjet me abuzuesin seksual vite më herët, përpara se ai të dënohej.

“Kam ngrënë drekë me të, ndërsa isha duke udhëtuar gjatë një pushimi familjar”, ka dëshmuar Lutnick të martën në Capitol Hill. 

“Me mua ishte gruaja ime, katër fëmijët e mi dhe dadoja… Hëngrëm drekë në ishull. Kjo është e vërtetë. Për një orë”, ka shtuar ai.

Vizita është e përfshirë në dokumentet e Epsteinit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Disa ligjvënës kanë kërkuar dorëheqjen e Lutnickut, por të martën Shtëpia e Bardhë ka thënë se ai gëzon mbështetjen e plotë të presidentit Donald Trump.

Sekretari i Tregtisë kishte deklaruar më parë para Kongresit se i kishte ndërprerë lidhjet me Epsteinin në vitin 2005, pasi financieri i ndjerë, një fqinj i Lutnickut në New York, kishte përdorur aludime seksuale për të shpjeguar pse kishte një tavolinë masazhi në një dhomë të shtëpisë së tij.

Në dëshminë e së martës, ai ka thënë se “gjatë 14 vjetëve pasuese, e kam takuar edhe dy herë të tjera, aq sa më kujtohet”. 

Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë tregojnë se Lutnick e kishte vizituar ishullin karaibian të Epsteinit më 23 dhjetor 2012, gati katër vjet pasi Epsteini ishte dënuar për abuzim seksual.

Ndërkaq, dëshmia e Lutnickut në Capitol Hill shënon herën e parë që ai e konfirmoi publikisht këtë vizitë.

“Nuk e mbaj mend pse e bëmë, por e bëmë”, ka thënë ai të martën, duke iu referuar drekës.

Lutnick nuk është akuzuar për asnjë shkelje ligjore në lidhje me Epsteinin.

Takimi tjetër, përveç atij në ishull, kishte ndodhur rreth një vit e gjysmë më vonë, për të cilin, Lutnick ka thënë se kishte pasur një takim njëorësh me Epsteinin.

“Gjatë një periudhe 14-vjeçare, nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me të, pothuajse nuk kam pasur fare lidhje me atë person”, ka shtuar ai.

Dosjet Epstein kanë shkaktuar reagime të mëdha në SHBA dhe Evropë për shkak të përfshirjes së figurave të profilit të lartë në raporte me të dënuarin për abuzim seksual, financierin e ndjerë, Jeffrey Epstein.

Epstein ka vdekur në një burg të Neë Yorkut në gusht të vitit 2019, teksa priste gjykimin për trafikim seksual.