Juria gjithashtu kishte rekomanduar aktakuza për figura të larta në orbitën e Trumpit, përfshirë ish-këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, prokurorin dhe këshilltarin Boris Epshteyn dhe avokaten Cleta Mitchell. Në fund, ndaj asnjërit nuk është ngritur aktakuzë
Juria e veçantë e Georgias kishte rekomanduar ngritjen e aktakuzave ndaj një senatori dhe dy ish-senatorëve, por në fund prokuroria ka vendosur kundër ngritjes së këtyre aktakuzave. Paneli po hetonte përpjekjet e supozuara të Donald Trumpit për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve në shtetin amerikan.
Juria kishte votuar për ngritjen e aktakuzave ndaj senatorit të Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, dhe ish-senatorëve të Georgias, Kelly Loeffler dhe David Perdue. Raporti i paredaktuar i panelit është publikuar të premten.
Ky raport ofron pamje më të qartë të mendimeve të jurisë teksa ka hetuar nëse Trumpi dhe aleatët e tij shkelën ligjin në Georgia gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Juria e veçantë kishte përfunduar punën në pranverën e vitit 2023 dhe raportin përfundimtar e kishte dorëzuar në muajin maj. Deri më tani nuk ishte publikuar asnjë detaj i këtij raporti.
Prokurorja e Fulton Countyt, Fani Willis, kishte krijuar jurinë e veçantë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ndryshe prej jurive të zakonshme, i sapoformuari kishte fuqi hetuese.
Dokumenti tregonte se sa anëtarë të jurisë kishin rekomanduar ngritje të aktakuzave për secilin që ishte cak i hetimeve të prokurores Willis.
Juria gjithashtu kishte rekomanduar aktakuza për figura të larta në orbitën e Trumpit, përfshirë ish-këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, prokurorin dhe këshilltarin Boris Epshteyn dhe avokaten Cleta Mitchell. Në fund, ndaj asnjërit nuk është ngritur aktakuzë.
Gjatë verës Willis kishte formuar jurinë e dytë, e cila votoi për ngritjen e aktakuzës ndaj Trumpit dhe 18 bashkëpunëtorëve të tij në procesin e shpejtë të mbajtur në muajin gusht.
Në aktakuzë thuhet se Trumpi së bashku me bashkëkonspiracionistët e tij punuan me qëllim që jashtëligjshëm të zhbënin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke u bërë presion zyrtarëve të zgjedhjeve në Georgia. Ata gjithashtu kishin ngacmuar punëtorët e qendrave të votimit dhe kishin organizuar votime false për anëtarët e kolegjit elektoral për të vendosur vota false për Trumpin.
Për këtë rast të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërkaq, prokurorët në rastin e Trumpit në Georgia kanë thënë se procesi gjyqësor ndaj tij do të zgjasë katër muaj dhe përfshin së paku 150 dëshmitarë. Trumpi dhe 18 të tjerët janë akuzuar për konspiracion për zhbërjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në shtetin e Georgias.
Deri më tani nuk është caktuar data e nisjes së gjykimit, ani pse prokurorët shpresojnë se do të nisin punën më 23 tetor.
Ish-presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij kanë mohuar se kanë bërë diçka të gabuar dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Përktheu: Gent Mehmeti