Dy samite transformuan diplomacinë midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së. Takimet ngritën pritshmëritë në Fenian se gjithçka që duhej për të arritur një marrëveshje ishte biseda ballë për ballë. Dhe kjo i ofroi Kimit spektakël diplomatik vetëm një vit pasi ai kishte treguar fuqinë e tij ushtarake. Momenti kryesor erdhi në samitin e Hanoit në shkurt të vitit 2019.
Për dekada, Perëndimi - dhe veçanërisht Uashingtoni - i ka bërë vetes pyetjen: si ta zgjidhim problemin si Koreja e Veriut? Tani mund të jetë më urgjente se kurrë pasi regjimet e sanksionuara rëndë të Kim Jong Unit dhe Vladimir Putinit hyjnë në atë që duket të jetë epokë e re miqësie. Por SHBA-ja, me sa duket, ka mbetur pa ide.
Detajet e çdo marrëveshjeje që Moska dhe Feniani mund të kenë arritur janë të pakta, por shqetësimet më të mëdha janë mbi mundësinë e shkëmbimit të teknologjisë nga Rusia, veçanërisht duke përfshirë raketat balistike ose sistemet e nëndetëseve bërthamore.
Deri më tani Uashingtoni është përgjigjur me fjalë përqeshëse- Putini është aq i dëshpëruar sa po “i lutet” një kombi të pabesë për ndihmë, dhe iu desh të udhëtonte me qetësi në të gjithë vendin e tij - dhe paralajmërime për pasoja të rënda dhe ende të paspecifikuara.
Por nuk ka mbetur shumë në pakon e mjeteve ekonomike amerikane për të lobuar në Korenë e Veriut. Siç bëri shaka korrespondenti nga Departamentit i Shtetit, mund të ketë një a dy dyqane të vogla në Fenian që nuk janë shënjestruar, por nuk bëhet fjalë për këtë.
Pra, si mundet presidenti Joe Biden, i cili ka qenë i zënë me ndërtimin e aleancave për t'iu kundërvënë Kinës, të sjellë në tryezë liderin shpërthyes të Koresë së Veriut?
“Përshëndetje, pikë”
Gjatë një vizite në Seul në maj të vitit të kaluar, presidenti Biden u pyet nga gazetarët nëse kishte ndonjë mesazh për Kimin. Ai u përgjigj: “Përshëndetje. Pikë”.
“Nëse Biden ishte vërtet i hapur për bisedime, siç duket se sugjeron Departamenti i Shtetit, kjo ishte mënyrë qesharake për ta treguar atë”, ka theksuar Frank Aum, ekspert i Azisë verilindore nga Instituti i Paqes i Shteteve të Bashkuara.
Ai thotë se kjo ishte një tjetër mundësi e humbur: “Një seri hapash të gabuar dhe mundësish të humbura nga të dyja palët gjatë shtatë dekadave të fundit çuan në situatën e vështirë që kemi sot”.
Kim mund të duket i painteresuar. Ai nuk i është përgjigjur ofertës aktuale të Uashingtonit për t'u përfshirë në bisedime ndokund dhe në çdo kohë. Por ai gjithashtu ka bërë të pamundurën për të provuar se është kërcënim i denjë ndërsa vazhdon të ndërtojë arsenalin e tij bërthamor. Ai ka kryer më shumë se 100 teste raketash që nga viti 2022 dhe ka tentuar dy herë dhe ka dështuar të lëshojë një satelit spiun – e gjithë kjo ndërkohë që ishte nën sanksionet më të rrepta të vendosura ndonjëherë ndaj regjimit të tij.
“Unë mendoj se SHBA-ja e nënvlerësoi se sa elastike dhe e vendosur ishte Koreja e Veriut për të kundërshtuar presionin ndërkombëtar”, ka treguar Aum. “Shumë njerëz nëpër administrata të ndryshme ndoshta e karakterizuan çështjen e Koresë së Veriut si një shqetësim sigurie të nivelit të tretë dhe nuk i kushtuan vëmendjen e plotë që kërkonte, qoftë sepse ishte një vend i vogël ose dukej vazhdimisht në prag të kolapsit”.
Ekspertët besojnë se kjo e vendosi Kimin më poshtë në listën e prioriteteve sesa do të dëshironte.
Rreziku i perceptuar nga Pekini “zëvendëson rrezikun nga Feniani”, sipas Christopher Green, analist korean me Crisis Group.
“Unë mendoj se SHBA-ja sapo ka vendosur që një strategji parandalimi dhe kontrolli është më e mira që mund të bëjnë. Dhe unë mund ta kuptoj pse. Jemi në një situatë ku Koreja e Veriut mund të mbështetet te Rusia dhe Kina më shumë sesa ka qenë rasti në dekada.
Çfarë saktësisht ka SHBA-ja ndaj së cilës Koreja e Veriut do t'i përgjigjej?"
Ai thotë se “diplomacia krijuese do të ishte e mirëpritur”, por shton, “Unë nuk mendoj se ka rrugë përpara tani”.
Zjarr, tërbim e miqësi
Në vitin 2017, Feniani ka pretenduar se kishte krijuar me sukses një bombë hidrogjeni, e krijuar për t’u futur brenda raketave - një hap i madh në ambiciet e tij bërthamore.
Më pas, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi Korenë e Veriut me “zjarr dhe tërbim siç bota nuk e ka parë kurrë”, duke rritur tensionet.
Kim më pas deklaroi se kishte një arsenal të plotë bërthamor dhe një buton në tavolinën e tij - kërcënim vdekjeprurës që ai shpresonte ta përdorte në fund të linjës për të marrë lehtësim nga sanksionet.
Trump përfundimisht i ofroi atij bisedime të paprecedenta dhe të dy së pari shtrënguan duart në Singapor në qershor të vitit 2018.
Teksa kjo mund të llogaritet si “diplomaci kreative”, të dy liderët dukej se kishin ardhur në tri takimet që kishin - në Singapor, Hanoi dhe në kufirin korean - të papërgatitur për të negociuar.
Por ato samite transformuan diplomacinë midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së. Ata ngritën pritshmëritë në Fenian se gjithçka që duhej për të arritur një marrëveshje ishte biseda ballë për ballë. Dhe kjo i ofroi Kimit spektakël diplomatik vetëm një vit pasi ai kishte treguar fuqinë e tij ushtarake.
Momenti kryesor erdhi në samitin e Hanoit në shkurt të vitit 2019.
Trumpi thuhet se i ofroi Kimit lehtësim të pjesshëm të sanksioneve - në këmbim Koreja e Veriut do të duhet të heqë dorë nga objekti i saj kryesor bërthamor në Yongbyon. Kim e injoroi atë ofertë, sipas John Boltonit, këshilltar i atëhershëm i Trumpit për sigurinë kombëtare. Më pas ai pati një udhëtim shumë të gjatë me tren në shtëpi, pa asgjë për t’u treguar njerëzve të tij.
Kishte një takim të tretë më vonë atë vit në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ), që ndan dy Koretë. Nuk ishte më pak spektakël, por dha pak efekte. Dëmi ishte bërë.
“Pas dështimit të mprehtë të bisedimeve në Hanoi, unë besoj se Kim ishte edhe më i vendosur të dilte në një pozicion më të fortë – me një arsenal më të madh, më kërcënues”, ka theksuar Jean Lee, ekspert i Koresë së Veriut që hapi zyrën e parë të Associated Press në Fenian.
“Ai ishte i befasuar që arsenali i tij nuk ishte i mjaftueshëm në vitin 2018 dhe 2019 për të detyruar SHBA-në të bënte një marrëveshje. Ai e ka përdorur kohën gjatë tre vjetëve të izolimit të Covidit për të rikalibruar dhe ndërtuar një arsenal që ai beson se do ta vendosë atë në një pozicion më të mirë dhe t’i japë atij një levë më të mirë. Dhe ai mund të presë të shohë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet e ardhshme në SHBA, në rast se presidenti Trump – me të cilin ka një raport të fortë – mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë”.
Faktori Pekin
Që nga samitet Trump-Kim, Kina është shfaqur pa dyshim si shqetësimi më i madh për Uashingtonin.
Biden dhe administrata e tij kanë bërë një shtytje të madhe diplomatike në Azi - nga rifillimi i dialogut të nivelit të lartë me Kinën, te forcimi i aleancave dhe rritja e ndikimit të tyre në rajon. Por duket se kjo ka ardhur me koston e injorimit të Koresë së Veriut për një kohë të gjatë - dhe deri në pikën ku duket se nuk ka kanale diplomatike.
Ndërkohë Pekini, i cili ka ende një marrëdhënie me Moskën dhe Phenianin, është gjithashtu një lojtar vendimtar në llogaritjet e SHBA-së në lidhje me Korenë e Veriut.
Së pari, i pëlqen stabiliteti në rajon. Një bashkëpunim më i madh midis Rusisë dhe Koresë së Veriut mund të sjellë më shumë asete ushtarake amerikane në Azinë Lindore, gjë që Pekini nuk do ta dëshirojë. Xi gjithashtu është përpjekur të pozicionohet si një paqebërës global dhe ka përshkruar një zgjidhje kineze për luftën në Ukrainë. Ai nuk do të donte të shihej duke mbështetur Phenianin ose Moskën në çdo përpjekje që mund ta zgjasë atë luftë.
Nga ana tjetër, Kina mund të shohë gjithashtu një aleancë Rusi-Kore e Veriut si një mënyrë për të kundërshtuar ndikimin e SHBA-së në Azi.
“Mund të imagjinoj se shumë nga raportimet rreth një marrëdhënieje të mundshme me Korenë e Veriut, Kinën dhe Rusinë mund të rrotullohen rreth një narrative të “Luftës së Ftohtë të re”, ka theksuar Green, por e hodhi poshtë atë si një “thjeshtësim të tepërt”.
“Dyshoj se Kim Jong Un do të donte të diversifikonte marrëdhëniet e tij dhe të luante Kinën dhe Rusinë kundër njëra-tjetrës për të marrë atë që i nevojitet”, ka shtuar ai. “Ajo që SHBA-ja duhet të bëjë tani është të shikojë se çfarë mundësish mund t’u ofrojnë atyre”.
Përktheu: Blerta Haxhiu