Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sulme me cak infrastrukturën dhe objektivat ushtarake të shtunën, ndërsa beteja e tyre mbi Ngushticën e Hormuzit u intensifikua.
Rajoni është përballur me ditë të tëra sulmesh të ndërsjella në një konflikt që përqendrohet gjithnjë e më shumë në kontrollin e Ngushticës. Prishja e një armëpushimi të përkohshëm nuk lë një fund të qartë në horizont për luftën që SHBA-ja dhe Izraeli filluan më shumë se katër muaj më parë.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi të shtunën në mëngjes se në natën e shtatë radhazi të sulmeve kishte goditur "vende mbikëqyrjeje, infrastrukturë logjistike ushtarake, magazina armësh nëntokësore dhe aftësi detare".
Kuvajti të shtunën deklaroi se ka penguar raketa dhe dronë iranianë mbi qiellin e tij, ndërsa Iraku njoftoi se kishte rrëzuar dronë mbi qytetin e Irbilit. Agjencia shtetërore e lajmeve Petra e Jordanisë raportoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar raketa iraniane, ndërsa sirenat ajrore u dëgjuan në Bahrejn sipas qeverisë atje.
Sulmet ajrore amerikane të kryera të premten shembën një kullë në portin Chabahar të Iranit në Gjirin e Omanit, një rrugë kyç tregtare për Afganistanin fqinj, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA dhe e konfirmoi më vonë ushtria amerikane.
Të premten, Katari paralajmëroi njerëzit të strehoheshin, ndërsa një breshëri raketash iraniane shënjestroi vendin. Njerëzit dëgjuan shpërthime, ndërsa mbrojtja ajrore u aktivizua për të penguar raketat.
Edhe
SHBA-ja nis valë të re sulmesh, Irani thotë se është goditur infrastruktura civile
Zyrtarët iranianë thonë se sulmet e fundit amerikane kanë vrarë dhjetëra njerëz dhe kanë plagosur qindra, me viktima të reja të raportuara të premten.
Para se të fillonte lufta, SHBA-ja kishte qenë në bisedime me Iranin mbi programin e tij bërthamor. Presidenti amerikan Donald Trump tani përballet me presion politik për ta mbyllur luftën dhe për ta shmangur konfliktin e zgjatur në Lindjen e Mesme, kundër të cilit kishte bërë fushatë.
Irani vret dy ushtarë amerikanë në Jordani
Dy ushtarakë amerikanë janë vrarë dhe një është raportuar i zhdukur, si pasojë e sulmeve iraniane në Jordani, ka njoftuar Ushtria amerikane të shtunën.
“Më 17 korrik, dy pjesëtarë të shërbimit amerikan në Jordani u vranë në aksion, përderisa Komanda Qendrore e SHBA-së dhe forcat partnere mbroheshin nga sulmet me raketa balistike dhe dronë iranianë. Përveç kësaj, një pjesëtar tjetër është i zhdukur”, u tha në njoftim.
Katër të tjerë janë lënduar, por se janë liruar nga spitalet.
Ushtria ka bërë të ditur se do ta mbajë identitetin e fshehtë deri sa të njoftohen të afërmit.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për rastin e parë që ushtarë amerikanë kanë vdekur nga sulmet direkte iraniane.
Deri tash, nga nisja e luftës 16 pjesëtarë të forcave amerikane kanë vdekur dhe 430 janë lënduar.
Irani pezullon marrëveshjen me SHBA-në
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka thënë të shtunën se kanë pezulluar angazhimet ndaj Memorandumit të Mirëkuptimit dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkelje të marrëveshjes të arritur mes dy vendeve muajin e kaluar.
“Irani nuk po i zbaton angazhimet e veta në marrëveshje sepse është i zënë duke mbrojtur vendin”, ka thënë Gharibabadi në komentet televizive të transmetuara nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Fars.
Ndërkohë amabsadori i Iranit në Pakistan, Reza Amiri Moghadam, ka akuzuar SHBA-na se e kanë interpretuar Memorandumin e Mirëkuptimit në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me kushtet e tij, duke fituar kontroll mbi pjesë të Ngushticës së Hormuzit për të arritur atë që, sipas tij, nuk e arritën në fushën e betejës.
Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Moghadam u shpreh se ishte e qartë se pala iraniane nuk do ta pranonte një interpretim të tillë arbitrar, i cili, sipas tij, shkelte hapur Memorandumin e Mirëkuptimit.
“Tani, SHBA-ja ka nisur një luftë në kundërshtim me kushtet e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare, duke shkatërruar infrastrukturën”, deklaroi ambasadori iranian.
Se memorandumi nuk është më në fuqi ka deklaruar më herët edhe presidenti amerikan Donald Trump. Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë për bisedime për marrëveshje përfundimtare.
Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet SHBA-së dhe Iranit u nënshkrua më 17 qershor 2026, me synimin për t'i dhënë fund luftimeve dhe për të krijuar një periudhë 60-ditore negociatash drejt një marrëveshjeje përfundimtare të paqes.
Dokumenti parashihte një armëpushim, fillimin e heqjes së bllokadës detare amerikane, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për kalimin e sigurt të anijeve tregtare, si dhe zhvillimin e negociatave brenda 60 ditëve për çështjet kryesore, përfshirë programin bërthamor të Iranit, lehtësimin e sanksioneve dhe një marrëveshje të përhershme mes dy vendeve.
Por memorandumi u prish pasi të dyja palët nisën sulme ndaj njëra-tjetrës ditë më parë.
Garda iraniane paralajmëron se sulmet e SHBA-së do të çojnë në ofensivë në shkallë të plotë
Mohsen Rezaei, zyrtar i lartë i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe këshilltar ushtarak i udhëheqësit suprem Mojtaba Khamenei, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për një "ofensivë në shkallë të plotë" nëse ajo vazhdon me sulme ushtarake kundër Iranit.
"Nëse sulmet e SHBA-së vazhdojnë për dy ose tre ditë të tjera, ne do të hyjmë në një fazë operacionesh ofensive në shkallë të plotë", ka thënë Rezaei në një intervistë për televizionin shtetëror të Iranit (IRIB).
Komentet e tij vijnë ndërsa SHBA-ja përfundoi ditën e shtatë radhazi të sulmeve ndaj Iranit dhe hakmarrjes iraniane ndaj aleatëve arabë të SHBA-së.
"Asnjë kufi politik nuk do të jetë i sigurt kundër forcave ofensive të Iranit", shtoi Rezaei dhe theksoi se SHBA-së duhet t'i kërkohet të paguajë dëmshpërblime financiare për ato që zyrtarët iranianë i kanë karakterizuar si sulme ndaj infrastrukturës civile, e të cilat SHBA-ja i mohoi.
Kërcënimet e Rezaeit pasqyrojnë kryesisht ato të bëra së fundmi nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili e kishte shpallur armëpushimin dhe memorandumin e mirëkuptimit SHBA-Iran, tashmë të brishtë, "të përfunduar", ndërsa SHBA-ja nisi sulme të reja në vend. Irani është hakmarrë duke goditur bazat amerikane brenda territorit të disa prej aleatëve të tij arabë, përfshirë Katarin, Kuvajtin dhe Bahrejnin.