Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po synojnë të arrijnë një marrëveshje për ndalimin e luftës në Ukrainë, e cila do të vuloste kontrollin e Moskës mbi territoret e pushtuara gjatë pushtimit të saj ushtarak, raportoi të premten Bloomberg.
Sipas raportit, zyrtarë amerikanë dhe rusë po punojnë për një marrëveshje mbi territoret, me qëllim që të organizohet një samit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin që mund të mbahet që javën e ardhshme.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e quajti raportimin e Bloombergut spekulim. Një zëdhënës i Kremlinit nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
“SHBA-ja është e vendosur të arrijë armëpushim dhe ne duhet së bashku të mbështesim të gjitha hapat konstruktivë. Një paqe e dinjitetshme, e besueshme dhe e qëndrueshme mund të jetë vetëm rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta”, u shpreh zyrtari.
Putini pretendon se katër rajone të Ukrainës – Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson – si edhe gadishulli i Krimesë në Detin e Zi, të cilin e aneksoi në vitin 2014, janë pjesë e Rusisë, ndonëse forcat e tij nuk i kontrollojnë plotësisht të gjitha territoret e katër rajoneve.
Ukraina më herët ka sinjalizuar se mund të tregojë fleksibilitet në kërkimin e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës që ka shkatërruar qytetet dhe ka vrarë një numër të madh ushtarësh e civilësh.
Megjithatë, pranimi i humbjes së rreth një të pestës së territorit të Ukrainës do të ishte tejet i dhimbshëm dhe politikisht sfidues për Zelenskyn dhe qeverinë e tij.