Showbiz

Meryl Streep thotë se ka stres postraumatik nga mbathja e takeve të larta

Meryl Streep

Aktorja, Meryl Streep, ka bërë shaka duke thënë se po vuan nga “PTSD” (stresi postraumatik) pas 16 javësh xhirime ku ka mbathur taka të larta, teksa rikthehet në rolin e ikonës së modës Miranda Priestly në vazhdimin e filmit “The Devil Wears Prada”.

76-vjeçja ka pranuar se rikthimi në këpucët e personazhit të saj ishte përvojë e dhimbshme.

“Si një person që ka mbajtur atë pozicion për 20 vjet, Miranda e ka ruajtur stilin, por e ka përshtatur me kohën, ashtu siç bëjmë të gjithë. Por unë pothuajse pata PTSD nga mbathja e takeve të larta për 16 javë. Ndihem sikur meritoj një Medalje Lirie!”, ka thënë ajo në intervistë për revistën Vogue.

Streep ka shtuar se pamja e Mirandës në filmin e ri është “më elegante, më e pastër dhe më moderne” krahasuar me filmin e parë të vitit 2006.

Vazhdimi i filmit ribashkon Streep me aktoret Anne Hathaway dhe Emily Blunt, të cilat rikthehen në rolet e Andy Sachs dhe Emily Charlton.

Blunt ka zbuluar se për rolin e saj ka përdorur parukë, pasi ngjyra e kuqe ikonike e flokëve do të ishte shumë e vështirë për t’u mirëmbajtur.

“Mjafton ta shohësh për një çast dhe e kupton që është ajo. Por ishte parukë, ajo ngjyrë e kuqe është shumë e vështirë për t’u mbajtur”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Hathaway ka treguar se u desh një shpjegim logjik për garderobën luksoze të Andyt, duke qenë se sot një gazetare zor se mund të përballojë veshje disenjatorësh.

“E bëmë pjesë të historisë faktin se duhej të shpjegonim si një gazetare mund të kishte një garderobë të tillë. Propozova që Andy të kishte bërë gazetari hulumtuese dhe të kishte udhëtuar për 15 vjet”.

“Kur ke kaluar nga një vend si ‘Runway’, e di çfarë të bësh kur sheh një dyqan second-hand. Kështu që ajo ka blerë rroba të përdorura për gati 20 vjet”, ka thënë ajo.

Hathaway ka shprehur shpresën që filmi të frymëzojë publikun të vishet me stil për të shkuar në kinema për ta parë filmin.

“Shpresoj që të gjithë të vishen bukur dhe të shkojnë në kinema. Shpresoj që njerëzit ta kujtojnë sa argëtuese ishte të vishesh me rozë për ta parë filmin  ‘Barbie’ dhe të bëjnë të njëjtën gjë edhe tash”, ka thënë ajo.