Pas katër dekadash në Kaliforni, Camilla Delsid, vendosi të kthehej në Gjermani, në vendin e saj të lindjes për dy fëmijët e saj. Por, tani ndien se nuk përket më atje. Ajo përballet me ndryshime kulturore dhe politike, duke mbajtur ende lidhje të forta me SHBA-në, ku thotë se ndihej më e lirë dhe e pranuar. Ajo thotë se ndihet sikur është “më e lidhur’ me SHBA-në, duke e parë veten si “amerikane, dhe jo gjermane” tani. “Kultura dhe njerëzit amerikanë janë njerëzit më të mrekullueshëm, që ekzistojnë në këtë botë, janë pa filtra”, thotë ajo.
Ajo u largua nga Gjermania për në Shtetet e Bashkuara në fund të viteve 1970 dhe e ndërtoi një jetë të mrekullueshme në Kaliforni, por gati katër dekada më vonë, Camilla Delsid vendosi të kthehej në vendin e saj të lindjes.
Nëna e dy fëmijëve, e cila u rrit në Gjermaninë Jugore, ka jetuar pranë qytetit të Shtutgartit, në jugperëndim të Gjermanisë, për disa vitet e fundit. Megjithatë, ajo nuk është aspak e lumtur për këtë.
“Kalifornia ishte shtëpia ime dhe në zemrën time është ende”, thotë Camilla për CNN Travel, përpara se të shpjegojë se i mungon shumë SHBA-ja.
Ëndrra kaliforniane
“Më vjen keq me gjithë zemër, që u ktheva këtu, dhe besoj se SHBA-ja është vendi më i mirë që ekziston në botë”.
Por, si përfundoi ajo në Kaliforni në radhë të parë? Camilla thotë se nuk e ka ndier kurrë se i përkiste Gjermanisë dhe gjithmonë “ëndërronte për vende të huaja” gjatë viteve të saj të rinisë.
“U rrita duke qenë e mbyllur dhe mosbesuese”, shton ajo. “Nuk mund të them se kisha shumë sens humori atëherë. Tani kam...”.
“Gjithmonë gjithçka ishte shumë serioze. Kultura gjermane është shumë bardh e zi dhe me 'po' ose 'jo'”.
Kur Camilla takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm Carlos, një ushtar meksikano-amerikan, përmes një miku, në moshën 18 vjeçe, ndjeu sikur gjithçka kishte rënë në vendin e vet.
“Kjo ishte si një përgjigje e lutjeve të mia ose një ëndërr e bërë realitet”, tregon ajo. “Por, unë isha aq budallaqe kur isha e re, nuk dija shumë…”
Ajo kishte ëndërruar të largohej nga Gjermania për vite me radhë, kështu që Camilla nuk mendoi dy herë për të hequr dorë nga gjithçka, për t'u transferuar në Shtetet e Bashkuara me Carlosin, “kundër lutjeve” të familjes dhe miqve të saj.
“Ne u dashuruam”, tregon ajo. “Dhe pas rreth tre vjetësh, ai u kthye në SHBA, në Kaliforni, San Jose, dhe unë shkova gjithashtu me të”.
Camilla dhe Carlos u martuan menjëherë pasi mbërritën në SHBA, në vitin 1978, dhe patën dy fëmijë.
“Kisha një kumbar që ishte shumë i mërzitur me mua, që u martova me një person me lëkurë me ngjyrë, duke thënë se po prishja rendin e mirë gjenetik të gjermanëve”.
Teksa ishte e emocionuar që jetonte në SHBA, Camilla pranon se “ishte pak e humbur në fillim”, për shkak të dallimeve të mëdha kulturore.
Ajo kujton se luftoi me gjëra të thjeshta, si mirësjellja e përditshme, sepse ishte mësuar shumë të ishte me “drejtpërdrejtshmërinë” famëkeqe gjermane.
“Në fillim të qëndrimit tim në Kaliforni, kur dikush më pyeti: 'Si jeni?' fillova t'ia tregoja historinë e jetës sime”, kujton ajo.
“Ndihesha e detyruar t’i përgjigjesha asaj pyetjeje. Por, ishte thjesht, 'Përshëndetje'. Kështu që, më duhej shumë kohë për t’u përshtatur. Të kuptoja se kjo nuk do të thotë se ata me të vërtetë duan ta dinë se si jam”.
Hap që ta ndryshon jetën
Ndërkohë që jeta në SHBA vinte me sfidat e saj të dukshme, Camilla, e cila jetonte në Sacramento, shpejt zbuloi se Kalifornia i përshtatej shumë më mirë sesa vendi i saj i lindjes.
Ajo e shijonte faktin që mund të bënte gabime pa u ndier e gjykuar dhe që mund të tregonte histori rreth fëmijërisë.
“Amerikanët ishin jashtëzakonisht të interesuar për mua dhe historinë time”, thotë ajo, duke vënë në dukje se “amerikanët në përgjithësi janë kureshtarë”.
“Më trajtuan jashtëzakonisht mirë”.
Duke ndjerë sikur më në fund ishte në një vend ku pranohej, vetëbesimi i Camillas u rrit, dhe ajo filloi të kuptonte se ishte e aftë për shumë më tepër sesa kishte imagjinuar.
“E kuptova se isha inteligjente”, thotë ajo, duke shpjeguar se prindërit e saj kishin investuar shumë në arsimimin e djalit të tyre ndërsa ajo po rritej dhe ishin më pak të përqendruar në arsimimin e saj.
“Prej vajzave pritej të martoheshin dhe të kujdeseshin për veten”, shton ajo.
Por, megjithëse ajo ishte zhvendosur në SHBA me energji, gjërat nuk ishin aspak të qeta kur bëhej fjalë për jetën e saj personale. Pas pesë vjetësh martesë, Camilla dhe burri i saj u divorcuan dhe ajo e gjeti veten duke vuajtur financiarisht.
“Më duhej të merrja ndihmë sociale dhe të përballesha me turpin që vinte me të”, thotë Camilla, duke pranuar se filloi ta pyeste veten nëse duhej ta kishte dëgjuar familjen e saj dhe të qëndronte në Gjermani.
“Po përballesha me një dështim dhe mendova, ‘Thjesht duhet të luftoj tani’. Kështu që luftova. Mora ndihmë sociale, gjë që është e vështirë, sepse në të vërtetë nuk është shumë ajo që merr”.

Kohë sfiduese
Teksa të qenit prind i vetëm ishte jashtëzakonisht sfidues, Camilla thotë se mori një mbështetje të madhe nga miqtë e saj në SHBA dhe iu dha mundësia të shkonte në kolegj.
Camilla, e cila kishte studiuar në shkollën e biznesit, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme në Gjermani, vazhdoi shkollimin dhe u bë Dr. Camilla Delsid.
“Nuk do ta kisha bërë kurrë këtë në Gjermani”, thotë ajo, duke përshkruar se si “dashuria dhe inkurajimi” i rrjetit të saj të fortë të miqve e nxitën.
“Bëra miqtë më të mrekullueshëm amerikanë”, thotë ajo, duke theksuar se nuk do të kishte qenë në gjendje t'ia dilte vetë.
“Mësova si të prindëroj në Amerikë. Mësova se nuk është gjë e madhe kur derdh qumështin. E çfarë? Kjo nuk të bën një fëmijë të keq, është thjesht qumësht i derdhur. Gjë e madhe”.
“Mësova, vërtet, si të jem një nënë e mirë nga miqtë e mi amerikanë”.
E frymëzuar nga mbështetja e komunitetit të saj, Camilla u bë mësuese zëvendësuese dhe përfundimisht kaloi në punë, që i shërbente komunitetit.
“Kur punoja si mësimdhënëse pashë kaq shumë fëmijë, që vinin nga shtëpia dhe nuk ishin të shëndetshëm”, shpjegon ajo.
“Ata vinin të uritur. Ata vinin të pa veshur mirë, ose të papastruar ... Dhe pastaj mendova, ‘Mendoj se kjo është thirrje për mua ...’”
“Duhet të hyj në punë për komunitetin dhe të punoj me prindërit, në mënyrë që ata të mësojnë se si të bëhen prindër më të mirë dhe t’i ndalojnë të gjitha këto cikle në të cilat shumë nga familjet tona, që u rritën në varfëri, janë të bllokuara dhe thjesht ia kalojnë brezit të ardhshëm”.
Në vitet që pasuan, Camilla u bë pjesë e një lëvizjeje për ta përmirësuar sistemin e mirëqenies së fëmijëve në SHBA.
“Ne punuam me familje, që ishin të gatshme të punonin me ne, për t’i forcuar ato në shumë nivele të ndryshme”, thotë ajo.
Pavarësisht prishjes së martesës së saj, Camilla ndihej e rrënjosur në “Shtetin e Artë”. Ajo u bë shtetase amerikane në vitin 2000 dhe e pa veten të jetonte atje për pjesën tjetër të jetës së saj. Por, jeta pati plane të tjera.
Vendim i vështirë
Djali i Camillas, Rafael, dhe vajza e saj, Jordana, përfunduan duke u zhvendosur në Gjermani për mundësi pune, duke ndërtuar karrierë në vend, dhe asaj i munguan shumë.
“Isha në Kaliforni me qenin tim, dhe fëmija im tha: ‘Pse nuk vjen në Gjermani?’”, kujton ajo.
“Dhe në ditët e këqija të mungon shumë familja jote. Të mungojnë shumë fëmijët e tu. Dhe, kështu thashë: “Në rregull, do të vij”.
Pasi i mendoi gjërat, ajo vendosi përfundimisht t’i mblidhte gjërat e saj në Kaliforni dhe të kthehej në Gjermani në gusht të vitit 2020.
Fatkeqësisht, zhvendosja e saj përkoi me pandeminë Covid-19, e cila solli mbyllje kufijsh dhe bllokime në të gjithë vendin, dhe Camilla luftoi me “izolimin e plotë”, që pasoi.
“Ishte e tmerrshme”, thotë ajo.
Pasi jeta u kthye në normalitet dhe ajo ishte në gjendje ta përjetonte vërtet Gjermaninë përsëri, Camilla thotë se zbuloi se vendi kishte ndryshuar gjatë viteve të saj larg, dhe për sa i përket asaj, kjo nuk ishte për mirë.
“Ndryshime të mëdha. Unë me të vërtetë nuk e njoh më këtë vend…”, thotë ajo.
“Shumë gjëra nuk po funksionojnë këtu. Njerëzit janë kaq të frustruar këtu dhe kjo duket në sjelljen e tyre”.
Ajo e ndien me dëshpërim “mënyrën miqësore amerikane” dhe mendon se disa gjermanë nuk ndihen rehat me të “sepse nuk dinë si t’i përgjigjen mirësjelljes”.
“Quaje sipërfaqësore, sido që të jetë”, thotë ajo. “Por, unë do ta zgjedh një amerikan sipërfaqësor dhe të qeshur, në vend të një gjermani me fytyrë të thartë dhe të hidhëruar, i cili është gjithashtu sipërfaqësor, meqë ra fjala”.
Camilla pranon se është veçanërisht e dekurajuar nga tensionet aktuale politike në Gjermani, ku partitë e ekstremit të djathtë kanë lëvizur nga skajet politike, në rrjedhën kryesore vitet e fundit.
Kur u pyet për tensionin politik në SHBA, Camilla thotë se është shumë e vetëdijshme se ka të ngjarë të ketë “po aq shumë idiotë” në Kaliforni, por nuk ndien të njëjtin nivel dëshpërimi për situatën.
“Do të doja shumë të kthehesha dhe t’i ndihmoja miqtë e mi dhe komunitetin tim në Kaliforni, dhe të isha pjesë e një përpjekjeje për ta bërë atë më të mirë”, shton ajo.
Gati pesë vjet që nga kthimi i saj, Camilla thotë se ende nuk ka “mbërritur” në Gjermani, “mendërisht dhe emocionalisht”, dhe se mezi pret të kthehet në SHBA.
“E di që nuk është e përsosur dhe jeta nuk është më e mirë atje”, thotë ajo. “Por, miqtë e mi janë atje. Dhe njerëzit janë thjesht miqësorë”.

“Vend që nuk i përkas”
Camilla vazhdon të shpjegojë se i mungon ajo që e përshkruan si “shpirti pionier” i njerëzve në SHBA.
“Ata janë thjesht njerëz më mendjehapur sesa gjermanët”, thotë ajo. “Dhe kjo është ajo që më pëlqen më shumë”.
“Mund të bëje shumë gabime dhe nuk ishe njeri i keq apo dështak”.
Gjersa i pëlqen të jetë më afër fëmijëve të saj dhe të ketë mundësinë të kalojë kohë me nipat e mbesat e saj, Camilla ka kuptuar se ende nuk përshtatet atje dhe ishte shumë më e lumtur në SHBA.
“Nuk kam dashur kurrë të kthehem në Gjermani”, pranon ajo. “Por, e bëra për fëmijët e mi. Gjithashtu, doja t’ua jepja një shans vërtet të drejtë dhe e bëra”.
“Ndihem sikur kam dhënë gjithçka. Dhe nuk përkas më këtu. Nëse do të kishte një mënyrë për t’u kthyer në Kaliforni, do ta bëja”.
Pse atëherë nuk është kthyer në Kaliforni? Camilla shpjegon se ndihet sikur nuk ka shumë zgjidhje tjetër, veçse të qëndrojë në Gjermani, pasi ka edhe një punë që paguhet mirë.
“Kur punon në punë sociale gjithë jetën atje, nuk fiton shumë para”, shpjegon ajo, duke shtuar se të ardhurat e saj nga pensioni “nuk janë aq të mira”.
“Dhe nuk ka shumë para për të kursyer”.
Camilla thekson se të ardhurat e saj nga pensioni thjesht “nuk do të ishin të mjaftueshme për ta mbuluar si koston e zhvendosjes, ashtu edhe shpenzimet e jetesës pasi të ndalojë së punuari”.
“Kam pak kursime, por do të më duhej të gjeja një punë me kohë të plotë në Kaliforni”, thotë ajo. “Dhe nuk mund të punoj përgjithmonë… Duhet të jem realiste”.
Aktualisht ajo punon për qeverinë dhe pranon se mënyra se si njerëzit reagojnë ndaj saj, e bën të ndihet sikur është “njëqind vjeçe” ndonjëherë.
“Është pothuajse e pakonceptueshme që dikush në moshën time, në moshën e pensionit, të jetë ende duke punuar dhe t’i pëlqejë”, thotë ajo. “Dhe në Kaliforni, nuk ndihem kështu”.
Megjithatë, ajo pranon se pasi jetoi dhe punoi në vend për disa vite, ajo ka arritur të vlerësojë “disiplinën dhe besueshmërinë e ngulitur në jetën e përditshme”, pavarësisht përballjes me “ngurtësinë” e kulturës gjermane.
“Jam e kujdesshme të mos e teproj me përgjithësimin”, shton ajo. “Çdo kulturë ka rrymat e saj nëntokësore – vlera të rrënjosura thellë, që e formësojnë mënyrën se si njerëzit mendojnë, bashkëveprojnë dhe zgjidhin problemet.
“Në Gjermani, struktura, rregullat dhe një ndjenjë rendi përshkojnë si një venë psikikën kombëtare”.
“Kjo ka pikat e saj të forta, veçanërisht në fushat ku saktësia dhe besueshmëria janë jetësore. Por, gjithashtu, mund ta shtypë kreativitetin”.
Camilla, e cila kohët e fundit adoptoi një qen të racës beagle me emrin Amora, vazhdon të shpjegojë se e ka pasur të vështirë të bëjë miq të rinj në Gjermani, për shkak të ndryshimit mes brezave.
Megjithatë, ajo thekson se të qenit pranë të rinjve e bën të ndihet disi optimiste për të ardhmen e vendit.
“Gjermanët e rinj janë vërtet të mirë dhe të sjellshëm”, thotë ajo. “Më pëlqen mentaliteti i tyre dhe jam e lumtur t’i shoh duke u shkëputur nga ajo thyerje e pasluftës”.
Ajo është optimiste se “ky brez në zhvillim do të vazhdojë më të mirën e traditave të tij – mendimin, mjeshtërinë dhe rigorozitetin intelektual – ndërkohë që përqafon një qasje më dinamike, gjithëpërfshirëse dhe të hapur ndaj jetës”.
Duke reflektuar mbi vendimin e saj për t’u kthyer në Gjermani, Camilla thotë se ka mësuar një mësim të vlefshëm.
“Nuk duhet t’i bësh kurrë fëmijët e tu, fëmijët e tu të rritur, qendrën e jetës sate”, thotë ajo.
“Dhe, as mos prit nga fëmijët e tu të rritur që ti të jesh qendra e jetës së tyre. Ata kanë jetën e tyre dhe unë e lashë timen pas në Kaliforni”.
Ndërsa mund të jetë e pakënaqur me jetën në vend aktualisht, Camilla thekson se është jashtëzakonisht krenare për rrënjët e saj gjermane.
“E dua kulturën e vjetër gjermane”, thotë ajo. “Djali im është në teatër dhe opera dhe nuk mund t’iu shpëtoj të gjitha njohurive që fitova kur isha vetëm një fëmijë i vogël, të cilat më formuan, dhe i vlerësoj shumë të gjitha këto”.
Camilla është, gjithashtu, një fanse e madhe e peizazhit “të gjelbër dhe të harlisur” të Gjermanisë, por në fund të fundit ndihet sikur është “më e lidhur’ me SHBA-në, duke e parë veten si “amerikane dhe jo gjermane” tani.
“Kultura dhe njerëzit amerikanë janë njerëzit më të mrekullueshëm, që ekzistojnë në këtë botë, janë pa filtra”, thotë ajo.