Shërbimi postar danez do ta dorëzojë letrën e tij të fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite mbi 400-vjeçare, raporton “The Guardian”.
Më herët këtë vit PostNord ka kumtuar vendimin për të ndaluar së dërguari letra.
E formuar në vitin 2009 pas shkrirjes së shërbimeve postare daneze e suedeze, PostNord tha se do të shkurtonte rreth 1500 vende pune e do të hiqte 1500 kuti postare të kuqe mes “digjitalizimit në rritje” të shoqërisë daneze.
Duke e përshkruar Danimarkën si një “nga vendet më të digjitalizuara në botë”, kompania tha se kërkesa për letra kishte “rënë në mënyrë drastike”, ndërsa blerjet online vazhdojnë të rriten. Kjo ka bërë që të përqendrohet te pakot në vend të letrave.
U deshën vetëm tri orë që 1000 kuti postare dalluese, të cilat u çmontuan, të bliheshin kur ato dolën në shitje në fillim të këtij muaji. U shitën rreth 268 euro për copë ato që ishin në gjendje të mirë dhe rreth 200 euro ato që ishin më të konsumuara.
200 tjera do të dalin në shitje në ankand në janar. PostNord, e cila do të vazhdojë të shpërndajë letra në Suedi, ka thënë se do të rimbursojë pullat postare daneze të papërdorura. Do të rimbursohen për një kohë të kufizuara.
Danezët do të jenë në gjendje të dërgojnë letra, duke përdorur kompaninë e shpërndarjes Dao, e cila tashmë shpërndan letra. Ajo do të zgjerojë shërbimet nga janari, në 80 milionë letra në vit.
Shërbimi postar danez ka qenë përgjegjës për dërgimin e letrave në vend që nga viti 1624.