57-vjeçari Oleksii Reznikov është bërë një personazh i njohur që nga fillimi i luftës në Ukrainë. I njohur ndërkombëtarisht, ai ka marrë pjesë rregullisht në takime me aleatët perëndimorë të Ukrainës dhe ka luajtur rol kyç në lobimin për pajisje shtesë ushtarake. Por shkarkimi i tij është parashikuar prej disa kohësh. Javën e kaluar Reznikov u tha gazetarëve se po eksploronte pozicione të tjera me presidentin ukrainas
Oleksii Reznikov më nuk është ministër i Mbrojtjes i Ukrainës.
Reznikov e ka drejtuar ministrinë që përpara fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka njoftuar për shkarkimin e Reznikovit të dielën, duke thënë se ishte koha për “qasje të re” në Ministrinë e Mbrojtjes.
Rustem Umerov, i cili drejtonte Fondin e Pronës Shtetërore të Ukrainës, është emëruar pasardhës i Reznikovit.
Në një postim në rrjetin X, dikur Twitter, Reznikov konfirmoi se vetë e ka dorëzuar letrën e tij të dorëheqjes në Parlamentin e vendit.
Mediat ukrainase kanë spekuluar se ai do të bëhet ambasadori i ri i Kievit në Londër, ku ka zhvilluar marrëdhënie të mira me politikanë të lartë.
57-vjeçari është bërë një personazh i njohur që nga fillimi i luftës në Ukrainë. I njohur ndërkombëtarisht, ai ka marrë pjesë rregullisht në takime me aleatët perëndimorë të Ukrainës dhe ka luajtur rol kyç në lobimin për pajisje ushtarake.
Por shkarkimi i tij është parashikuar prej disa kohësh. Javën e kaluar Reznikov u tha gazetarëve se po eksploronte pozicione të tjera me presidentin ukrainas.
Sipas mediave lokale, ish-ministri i Mbrojtjes ka theksuar se nëse Zelensky do t’ia ofronte mundësinë që të punonte në një projekt tjetër, ai me siguri do të pajtohej.
Gjurmët e Reznikovit
Këshilltari ukrainas i mbrojtjes, Yuriy Sak, ka treguar për BBC-në se Reznikov udhëhoqi transformimin e Ministrisë duke hedhur bazat për anëtarësimin e ardhshëm në NATO.
“Trashëgimia e tij është se ai ka bindur ministrat e Mbrojtjes në mbarë botën se e pamundura është e mundur”, ka thënë ai duke iu referuar lobimit të suksesshëm të Reznikovit ndaj qeverive të huaja për armë.
Por ekspertët kanë vërejtur se riorganizimi i kabinetit nuk ka gjasa të çojë në ndonjë ndryshim të madh në strategjinë e fushëbetejës së Ukrainës, me gjeneralin Valery Zaluzhny - komandant i forcave të armatosura të Ukrainës - që mbikëqyr fushatën.
Shkarkimi i Reznikovit vjen në kohën e një përpjekjeje më të gjerë kundër korrupsionit në administratën e Zelenskyt - e cila është parë si thelbësore për ambiciet e Ukrainës për t’u bashkuar me institucionet perëndimore si BE-ja.
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Ukraina renditet e 116-ta nga 180 vende gjithsej, por përpjekjet në vitet e fundit kanë parë që pozicioni i saj është përmirësuar ndjeshëm.
Teksa Reznikov nuk akuzohet personalisht për korrupsion, ka pasur një sërë skandalesh në Ministrinë e Mbrojtjes që kanë të bëjnë me prokurimin e mallrave dhe pajisjeve për ushtrinë me çmime të fryra.
Në fillim të këtij viti, zëvendësi i Reznikovit, Vyacheslav Shapovalov, dha dorëheqjen pas skandalit. U raportua gjerësisht në atë kohë se Reznikov mezi e mbajti postin e tij.
Në atë kohë ai ka thënë se stresi që kishte duruar ishte “i vështirë për t'u matur me saktësi”, duke shtuar se “ndërgjegjja e tij është absolutisht e pastër”.
Ministria e Mbrojtjes është tronditur gjithashtu nga disa arrestime të kohëve të fundit në zyrat rajonale të rekrutimit, ku zyrtarët janë akuzuar për marrje ryshfeti për t’i lejuar burrat të shmangin mobilizimin për luftë.
Të premten, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, u takua me zyrtarë të lartë ukrainas kundër korrupsionit dhe u kërkoi atyre ta vazhdojnë ndjekjen penale të rasteve kundër korrupsionit “pavarësisht se ku drejtojnë”.
Përparimet e kundërofensivës
Umerov, i cili u emërua ministër nga presidenti, e përfaqësoi Ukrainën në bisedimet e paqes në fillim të pushtimit të plotë të Rusisë.
Ish-deputeti dyshohet se ka vuajtur simptoma të helmimit të dyshuar gjatë negociatave të paqes në mars të vitit 2022 së bashku me miliarderin rus Roman Abramovich, i cili ishte gjithashtu pjesë e palës negociuese. Në një deklaratë të postuar në Facebook, ai më vonë mohoi raportet, duke u kërkuar njerëzve të mos u besojnë “informacioneve të paverifikuara”.
Duke folur për BBC-në në atë kohë, ai ka treguar se duhej guxim për të gjetur zgjidhje, por ai ishte i vendosur “të gjente një zgjidhje politike dhe diplomatike për këtë pushtim brutal”.
Anëtar i komunitetit tatar të Krimesë, ai është bërë anëtar kyç i përpjekjeve ndërkombëtare të Zelenskyt, duke u fokusuar në nxitjen e lidhjeve në botën islame.
Shkarkimi i Reznikovit vjen kur Ukraina po zhvillon një kundërofensivë të ngadaltë dhe të përgjakshme pasi siguroi armë më të avancuara nga aleatët perëndimorë.
Progresi në vijën e frontit ka qenë i ngadaltë, por gjeneralët e lartë ukrainas thanë të dielën se forcat e tyre kanë thyer një linjë kyç të mbrojtjes ruse në jug të vendit.
Ndërkohë, Rusia raportoi disa tentativa për sulme me dronë në territorin e saj gjatë natës.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ka rrëzuar dy dronë mbi rajonin Kursk, i cili kufizohet me Ukrainën, herët të hënën.
Guvernatori i rajonit Roman Stravoit gjithashtu raportoi të dielën se mbeturinat nga një dron i shkatërruar kishin shkaktuar një zjarr në një ndërtesë jorezidenciale në qytetin Kurchatov.
Diku tjetër Rusia nisi sulmin e saj 3-orësh gjatë natës në jug të rajonit Odesa të Ukrainës. Guvernatori i rajonit raportoi se 17 dronë u rrëzuan.
“Fatkeqësisht ka edhe goditje”, ka shtuar Oleh Kiper, i cili ka thënë se ka pasur dëmtime në “disa vendbanime” në qytetin e Izmailit. Mirëpo ai ka bërë të ditur se nuk ka viktima apo të lënduar.
Izmail është një nga dy portet kryesore të Ukrainës për eksportimin e grurit në lumin Danub në rajonin e Odesës.
Portet e Danubit janë bërë rruga kryesore eksportuese e Ukrainës që nga rënia e marrëveshjes për drithërat përmes Detit të Zi në korrik. Moska ka nisur sulme të shpeshta në Danub që kur është pezulluar marrëveshja.
Përktheu: Blerta Haxhiu