Shqiptarët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes kanë rrëfyer momentet dramatike të tragjedisë së ndodhur në Kerzers të Freibourgut në Zvicër, ku një autobus u përfshi nga flakët, duke lënë të vdekur gjashtë persona dhe pesë të tjerë të lënduar. Deri tash dyshimi kryesor është se një burrë ia ka vënë flakën vetes brenda në autobus. Burri dyshohet se kishte probleme mentale.
Siç raporton mediumi zviceran “20 Minuten”, mes personave që ndodheshin në autobus ishte edhe Faton Berisha, i cili arriti të shpëtojë, por pësoi djegie dhe dëmtime nga tymi. Kushëriri i tij, Arbi Berisha, ka rrëfyer si kishte mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi kishte shpërthyer zjarri.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Fatoni më telefonoi dhe më tha se autobusi ishte përfshirë nga zjarri dhe të shkoja sa më shpejt në parkingun e Migros. Në atë moment nuk dija çfarë të bëja, thjesht fillova të vrapoja”, rrëfen Arbi.
Ai tregon se e gjeti kushëririn pak më vonë, kur ky doli nga tualeti i një restoranti aty pranë.
“U lehtësova kur e pashë, por ai kishte djegie në duar, në këmbë dhe në majën e hundës. Fytyra i ishte nxirë krejt nga tymi dhe mushkëritë i ishin dëmtuar”, tregon Arbi.
Sipas Arbit, ishte pikërisht ai që i kishte sugjeruar Fatonit të merrte autobusin për t’u kthyer në shtëpi.
“Ai kishte dalë për një shëtitje të shkurtër dhe më telefonoi për të më pyetur si të kthehej në shtëpi. I thashë të merrte autobusin”, tregon ai.
Fatoni i ka përshkruar Arbit edhe momentin kur shpërtheu zjarri. Ai ishte ulur në mes të autobusit, pranë dyerve të hyrjes dhe daljes. Sipas tij, një burrë që ndodhej pranë hapësirës për biçikleta nxori një çakmak dhe u spërkat me benzinë.
“Në atë moment Fatoni bërtiti me zë të lartë. Brenda pesë ose gjashtë sekondash, autobusi u mbush plot me tym dhe nuk shihej asgjë”, rrëfen Arbi duke përcjellë dëshminë e kushëririt të tij.
Fillimisht dyert e autobusit nuk u hapën dhe Fatoni pësoi djegie në duar duke u përpjekur t’i hapte ato.
“Pastaj dëgjoi se dyert u hapën dhe doli me vështirësi jashtë. Në atë moment më telefonoi”, tregon Arbi, i cili jeton rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes.
Faton u dërgua me urgjencë në spitalin Inselspital për trajtim. Sipas familjarëve, djegiet më të rënda i ka në duar, ndërsa gjendja e tij është relativisht stabile.
Megjithatë, përveç lëndimeve fizike, ai po përballet edhe me traumë të rëndë psikologjike.
“Ai është shumë i traumatizuar dhe nuk mund të flejë”, ka thënë Arbi, duke shtuar se kushëriri i tij ende përjeton pamjet e asaj që ndodhi në autobus.
Një tjetër shqiptar që ishte pranë vendit të ngjarjes, Astrit B., pronar i një lokali në Kerzers, ka treguar momentet kur policia mori thirrjen për zjarrin që shpërtheu në autobus.
Ai ka thënë se në momentin e incidentit policia ndodhej në lokalin e tij, pasi më herët ishte raportuar një vjedhje. Sipas tij, situata ndryshoi papritur kur njëri nga policët dëgjoi komunikimin në radio.
“Policët ishin te lokali im për shkak të një vjedhjeje. Papritur njëri prej tyre tha: ‘Ju lutem pak qetësi’, sepse po dëgjonte komunikimin në radio. Pas pak ai tha: ‘Duhet të largohemi menjëherë, është një emergjencë’”, rrëfen Astriti për “Blick”.
Pak çaste më vonë, ai pa tym të madh në qiell.
“Policët hipën në veturë dhe arritën në vendin e ngjarjes për rreth 30 sekonda. Edhe unë shkova menjëherë pas tyre – ajo që pashë ishte tronditëse”, ka thënë ai.