Botë

Shtëpia e Bardhë paraqet një anë të Xi-së që Kina rrallëherë e sheh

Xi Jinping dhe Donald Trump

Presidenti kinez, Xi Jinping nuk njihet për buzëqeshjet e tij të shpeshta. 

Udhëheqësi më i fuqishëm komunist i Kinës në dekada ka ndërtuar një reputacion gjatë sundimit të tij 12-vjeçar si një lider serioz dhe i qëndrueshëm.

Por imazhet e publikuara nga Shtëpia e Bardhë tregojnë një anë tjetër të Xi-së, dhe një që nuk është e dukshme në imazhet e publikuara në vend.

Xi ka marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Korenë e Jugut, ku është takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për një takim dypalësh në Bazën Ajrore Gimhae në Busan.

Të gjithë sytë ishin te mënyra se si udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha në botë do të zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre mbi një sërë temash, nga soja dhe fentanili, te mineralet e rralla të tokës dhe çipat kompjuterikë të nivelit të lartë.

Por përveç diplomacisë së ashpër, fotografitë e publikuara nga Shtëpia e Bardhë kapën një moment të rrallë të sinqertë midis dy udhëheqësve.

Xi Jinping duke qeshur me sytë mbyllur gjatë takimit me Trumpin në Korenë e Jugut, 30 tetor 2025/ Foto: Shtëpia e Bardhë

Në një dhomë të mbushur me diplomatë të veshur me kostume, Trumpi shihet në njërin nga imazhet me krahun e shtrirë mbi tryezën e negociatave duke i treguar Xi-së një copë letër. Se çfarë ishte shkruar ose shtypur në letër mbetet e panjohur.

Në një imazh tjetër, udhëheqësi kinez duket duke buzëqeshur me sytë mbyllur, teksa ministri i Jashtëm, Wang Yi qesh pranë tij. Nuk është e qartë nëse imazhet janë renditur në rend kronologjik.

Dy ditë më vonë, Xi është kapur në kamera duke bërë shaka kur shkëmbeu dhurata me presidentin e Koresë së Jugut Lee Jae Myung, sipas një videoje të Reuters. Lee fillimisht i dhuroi Xi-së një tabelë druri për lojën e shahut Go. Pastaj, udhëheqësi kinez i dha Lee dhe gruas së tij dy telefona Xiaomi të prodhuar në Kinë, të cilët një zyrtar tha se ishin me ekrane të prodhuara në Korenë e Jugut, shtëpi e gjigantëve elektronikë Samsung dhe LG.

Dy momentet e papritura nga Xi bien ndesh me imazhin e tij të krijuar me kujdes në vend, ku ai u shfaq së fundmi duke kryesuar një paradë ushtarake me një kostum të Maos, një veshje e lidhur me Mao Ce Dunin, themeluesin e Kinës komuniste.

Para takimit të tij me Trumpin, ai ka kryesuar një mbledhje partie, duke mbajtur fjalime në një demonstrim stoik të kontrollit të tij të ngushtë mbi aparatin politik të Kinës.

Jo të gjithë udhëheqësit kinezë projektuan një imazh të ndërtuar kaq fort.

Paraardhësi i Xi-së, Jiang Zemin, i cili ka shërbyer si president midis viteve 1993 dhe 2003, ishte i njohur për personalitetin e tij të shkëlqyer, talentin kozmopolit dhe gatishmërinë për të treguar aftësitë e tij gjuhësore dhe për të bashkëvepruar me gazetarët.

Megjithatë, Xi ka ndjekur një kurs të ndryshëm. Së bashku me frenimin e lirisë së shprehjes në Kinë, ai ka ruajtur kontroll të rreptë mbi imazhin e tij dhe rrjedhën e informacionit. Politika e elitës është bërë aq e errët nën sundimin e tij saqë ekspertët kërkojnë ndonjë të dhënë për drejtimin e Kinës - nga analizimi i fjalëve të Xi-së për kuptimin e tyre të vërtetë deri te vlerësimi i ngjyrës së flokëve të tij.