Botë

Shtetasit e huaj po largohen nga Irani

Irani

Foto: Associated Press

Studentët indianë në Teheran janë larguar nga kryeqyteti iranian teksa disa prej tyre pritet që të largohen nga Irani përmes Armenisë, ka njoftuar të martën ministria e Punëve të Jashtme të Indisë.

Qeveria indiane po përpiqet të lehtësojë evakuuimin e qytetarëve të saj nga Republika Islamike, duke krijuar disa kanale të ndryshme për njerëzit që të kontaktojnë zyrtarët shtetërorë, përderisa konflikti mes Iranit dhe Izraelit është në përshkallëzim e sipër.

“Studentët indianë në Teheran janë larguar nga qyteti për arsye të sigurisë, nëpërmjet marrëveshjeve të arritura nga ambasada”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal. “Banorëve të tjerë që janë të pavarur në aspektin e transportit u është këshilluar gjithashtu të largohen nga qyteti, për shkak të situatës që po zhvillohet”.

Ai ka shtuar se disa shtetas indianë “janë ndihmuar të largohen nga Irani përmes kufirit me Armeninë” dhe se ambasada indiane në Iran “mbetet vazhdimisht në kontakt me komunitetin me qëllim ofrimin e të gjithë ndihmës së mundshme”.

Irani është destinacion i njohur për studentët universitarë nga India, veçanërisht për ata që studiojnë mjekësi.

Nga ana tjetër, qindra studentë pakistanezë janë larguar po ashtu nga Teherani për shkak të sulmeve të përditshme të Izraelit mbi qytetin, janë kthyer në Pakistan, sipas një zyrtari lokal për CNN-in.

Sipas zëvendëskomisionerit të Taftanit, Qasim Shahwani, 214 studentë mbërritën nga Teherani dhe kaluan kufirin nëpërmjet pikës kufitare të Taftanit në provincën Baloçistan ditën e hënë.

Ai ka shtuar se 500 pelegrinë gjithashtu janë kthyer përmes së njëjtës pikë kufitare.

“Të gjithë personat e kthyer po u nënshtrohen procedurave të emigracionit, regjistrimit dhe kontrollit shëndetësor, për të adresuar me shpejtësi çdo rrezik të mundshëm”, ka thënë ai për CNN.

Sipas një zyrtari të Agjencisë Federale të Hetimeve (FIA), qytetarët pakistanezë aktualisht e kanë të ndaluar të udhëtojnë drejt Iranit.

Frika ka kapluar iranianët, ndërsa Izraeli është zotuar të vazhdojë sulmet ndaj Republikës Islamike për shkak të programit bërthamor, dhe shumë banorë po largohen nga qytetet e mëdha për të kërkuar zona më të sigurta.

Lexo përditësimet tjera
Luftimet - Izrael

Luftimet Izrael – Iran intensifikohen në ditën e pestë

Zhvillimet e fundit në këto luftime:Sulmet e fundit të Iranit: Sirenat janë aktivizuar në disa qytete...