Botë

Shtyhet shpëtimi i punëtorëve të bllokuar në tunelin indian

Përpjekjet për të arritur te 41 punëtorët e bllokuar në tunelin e shembur në veri të Indisë kanë dështuar për shkak të problemeve me makinerinë e shpimit. Nxjerrja e punëtorëve të bllokuar është shtyrë për kohë të pacaktuar për shkak të aksidentit në vendin ku po kryheshin shpimet vertikale.

Ekspertët ndërkombëtarë që po ndihmojnë ekipet e shpëtimit kanë thënë se mbetet e paqartë se kur do të nisin shpimet për të arritur te punëtorët e bllokuar. Ata kanë thënë se makineria është prishur dhe dëmet janë të pariparueshme dhe se përbërja e malit është shumë e fortë.

Punëtorët janë bllokuar në një pjesë të tunelit që prej 12 nëntorit kur rrëshqitjet e dheut bllokuan hyrjen. Ata po punonin rreth 200 metra nga hyrja e tunelit të gjatë prej 4.5 kilometrash. Terreni malor ka vështirësuar edhe më shumë shpimet për shkak të gurëve. Makineria ishte bllokuar pas dy metrave thellësi, ndërkaq ekspertët thonë se kanë mbetur edhe 12 metra shpime për të arritur te punëtorët e bllokuar.

Deri më tani një gyp prej 46 metrave është përdorur për të dërguar ushqim dhe ujë për punëtorët. Të shtunën ka arritur makineria e re e shpimeve vertikale.