Botë

Si “vdiq” diplomacia e Putinit

Diplomatët rusë ishin dikur pjesë kryesore e strategjisë së politikës së jashtme të presidentit Putin. Por tash gjithçka ka ndryshuar. Në vitet që çuan në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, diplomatët humbën autoritetin e tyre, roli i tyre u reduktua në jehonë të retorikës agresive të Kremlinit. BBC Russian pyet ish-diplomatët perëndimorë, si dhe ish të Brendshëm të Kremlinit dhe të Shtëpisë së Bardhë se si u prish diplomacia ruse

Në tetor të vitit 2021, nënsekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, shkoi në një takim në Ministrinë e Jashtme ruse në Moskë. Njeriu përballë tryezës ishte zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, të cilin Nuland e njihte për dekada dhe gjithmonë shkonte mirë me të.

Homologët amerikanë të Rybakovit e panë atë si negociator praktik dhe të qetë – dikë me të cilin mund të bisedonin, ani pse marrëdhëniet e dy vendeve ishin prishur. Këtë herë gjërat shkuan ndryshe.

Ryabkov e lexoi qëndrimin zyrtar të Moskës nga një copë letër dhe u rezistoi përpjekjeve të Nulandit për të nisur diskutimin. Nuland ishte shtangur, kanë treguar dy zyrtarë në kushte anonimiteti. Ajo e përshkroi Ryabkovin dhe një nga kolegët e tij si “robotë me letra”, kanë treguar zyrtarët.

Dhe jashtë dhomës së negociatave, diplomatët rusë po përdornin gjuhë gjithnjë e më jodiplomatike. “Pështyfsha sanksionet perëndimore”. “Më lini të flas. Përndryshe, ju do ta kuptoni përnjëmend se për çfarë janë të afta raketat ruse Grad”.

“Budallenj” - dëgjohet një tjetër mallkim. Këto janë të gjitha citate nga njerëz në poste autoriteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme ruse në vitet e fundit. Si arritën gjer këtu?

Luftë e re e ftohtë

Mund të jetë e vështirë të imagjinohet tani, por vetë Putini i kishte thënë BBC-së në vitin 2000 se “Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me NATO-n... deri në hyrjen në aleancë”.

“Nuk mund ta imagjinoj vendin tim të izoluar nga Evropa”, kishte thënë ai.

Në atë kohë, në fillim të presidencës së tij, Putin ishte i etur për të ndërtuar lidhje me Perëndimin, ka treguar një ish-zyrtar i lartë i Kremlinit për BBC-në.

Diplomatët rusë ishin një pjesë kryesore e ekipit të Putinit, duke ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale me Kinën dhe Norvegjinë, duke udhëhequr bisedimet për një bashkëpunim më të thellë me vendet evropiane dhe duke siguruar një transicion paqësor pas një revolucioni në Gjeorgji.

Por teksa Putin u bë më i fuqishëm dhe më me përvojë, ai u bë gjithnjë e më i bindur se i kishte të gjitha përgjigjet dhe se diplomatët ishin të panevojshëm, ka theksuar Alexander Gabuev, drejtori i Qendrës Eurasia të Rusisë Carnegie, i cili jeton në mërgim në Berlin.

Sinjali i parë se një luftë e re e ftohtë po fillonte erdhi në vitin 2007 me një fjalim që Putin mbajti në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Në një fjalim 30-minutësh, ai akuzoi vendet perëndimore se po përpiqen të ndërtojnë një botë unipolare. Diplomatët rusë ndoqën shembullin e tij. Një vit më vonë, kur Rusia pushtoi Gjeorgjinë, ministri i Jashtëm i Moskës, Sergei Lavrov, thuhet se shau homologun e tij në Mbretërinë e Bashkuar, David Miliband, duke e pyetur: “Kush je ti që më jep mua leksione?”.

Zyrtarët perëndimorë ende mendonin se ia vlente të përpiqeshin të punonin me Rusinë. Në vitin 2009, Lavrov dhe sekretarja e atëhershme e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, shtypën një buton gjigant të kuq “rivendosje” në marrëdhëniet dhe të dy vendet dukej se po ndërtonin bashkëpunim - veçanërisht për çështjet e sigurisë.

Por shpejt u bë e qartë për zyrtarët amerikanë se homologët e tyre rusë thjesht po llomotisnin pikëpamjet në rritje antiperëndimore të Putinit, thotë Ben Rhodes, zëvendës-këshilltar për sigurinë kombëtare i ish-presidentit amerikan, Barack Obama.

Rhodes kujton presidentin Obama duke ngrënë mëngjes me Putinin në vitin 2009, i shoqëruar nga një orkestër popullore. Ai thotë se Putin ishte më i interesuar të paraqiste pikëpamjen e tij për botën sesa të diskutonte bashkëpunimin dhe se udhëheqësi rus fajësoi paraardhësin e Obamas, George W. Bush, për tradhtinë e Rusisë.

Teksa “Pranvera Arabe”, përfshirja e SHBA-së në Libi dhe protestat ruse në rrugë u shpalosën në vitin 2011 dhe 2012, Putin vendosi që diplomacia nuk do ta çonte askund, ka thënë Rhodes.

“Për disa çështje – veçanërisht Ukrainën – nuk e kuptova se diplomatët kishin ndikim”, është shprehur ai.

Një shembull, kur Lavrov, ministër i Jashtëm, u emërua gati 20 vjet më parë, ai kishte një “perspektivë ndërkombëtare dhe pozicionin e tij”, ka treguar një ish-zyrtar i lartë i Kremlinit për BBC-në.

Kremlini konsultohej me të edhe kur e dinte se ai mund të kishte një pikëpamje të ndryshme nga Putini, thotë Gabuev.

Por kur trupat u dërguan në Ukrainë në vitin 2022, Lavrov e mori vesh vetëm disa orë para fillimit të luftës, sipas një raporti në “Financial Times”.

Andrei Kelin, ambasadori i Moskës në Britaninë e Madhe, hedh poshtë idenë se diplomatët rusë kanë humbur ndikimin e tyre. Ai ka punuar në marrëdhëniet me vendet perëndimore gjatë gjithë karrierës së tij diplomatike.

Në një intervistë për BBC-në, ai refuzoi të pranonte se Moska apo diplomatë individualë mbajnë ndonjë përgjegjësi për rënien e marrëdhënieve me Perëndimin.

“Nuk jemi ne ata që bëjmë shkatërrimin”, ka theksuar ai. “Ne kemi probleme me regjimin e Kievit. Nuk mund të bëjmë asgjë për këtë”.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë është “një vazhdim i diplomacisë me mjete të tjera”.

Diplomacia si spektakël

Ndërsa zyrtarët e politikës së jashtme u bënë gjithnjë e më pak me ndikim, ata e kthyen vëmendjen e tyre përsëri te Rusia. Maria Zakharova, e cila u bë zëdhënëse e Ministrisë në vitin 2015, është simbol i këtij kapitulli të ri.

“Para saj, diplomatët silleshin si diplomatë, duke folur me shprehje të rafinuara”, ka thënë ish-zyrtari i ministrisë së jashtme, Boris Bondarev, i cili dha dorëheqjen në shenjë proteste për luftën.

Por me ardhjen e Zakharovas, njoftimet e Ministrisë së Jashtme u shndërruan në spektakël. Zakharova shpesh u bërtiste gazetarëve që i bënin pyetje të vështira dhe iu përgjigjej kritikave nga vendet e tjera me ofendime.

Në të njëjtën mënyrë po shkonin edhe kolegët e saj diplomatikë. Bondarev, i cili dikur punonte për misionin e Moskës në OKB në Gjenevë, kujton një takim ku Rusia bllokoi të gjitha iniciativat e propozuara, duke nxitur kolegët nga Zvicra të ankohen.

“Ne u thamë atyre: “Epo, çfarë problemi keni? Ne jemi fuqi e madhe, dhe ju jeni vetëm Zvicra!”.

“Kjo është diplomacia ruse për ju”, thotë ai.

Kjo qasje kishte për qëllim t’u bënte përshtypje rusëve në atdhe, ka theksuar Gabuev, analist i politikës së jashtme.

Por një audiencë edhe më e rëndësishme për diplomatët janë shefat e tyre, sipas Bondarevit. Telegramet zyrtare të dërguara në Moskë pas takimeve të huaja fokusohen në atë se si diplomatët mbronin me pasion interesat e vendit, shpjegon ai.

Mesazhi tipik, sipas tij, do të ishte diçka e tillë: "Ne ua bëmë të vështirë atyre! Ne mbrojtëm heroikisht interesat ruse dhe perëndimorët nuk mundën të bënin asgjë dhe u tërhoqën!”.

Nëse të gjithë shkruajnë për “vënien e perëndimorëve në vendin e tyre” dhe ju shkruani se “arritët konsensus”, do të shikoheni me përbuzje, ka treguar ai.

Bondarev kujton një darkë në Gjenevë në janar të vitit 2022, kur Ryabkov, nga ministria e jashtme, u takua me zyrtarë amerikanë. Zëvendëssekretarja e Parë e Shtetit e SHBA-së, Wendy Sherman, shpresonte të shmangte pushtimin e Ukrainës përmes negociatave të orës 11.

“Ishte e tmerrshme”, ka theksuar Bondarev. “Amerikanët thanë: “Le të negociojmë". Dhe në vend të kësaj, Ryabkov fillon të bërtasë: “Ne kemi nevojë për Ukrainën! Ne nuk do të shkojmë askund pa Ukrainën! Merrni të gjitha gjërat tuaja dhe kthehuni në kufijtë e vitit 1997 Nato!”. Sherman është një zonjë e hekurt, por mendoj se edhe nofulla i ra nga kjo.

“Ryabkov ishte gjithmonë shumë i sjellshëm dhe shumë i këndshëm për të folur me të. Dhe tani ai po godet me grusht tryezën dhe po flet marrëzi”.

Duhet theksuar se vitet e fundit toni diplomatik ka ndryshuar edhe në vende të tjera, ndonëse në një shkallë më të vogël.

Disa vite më parë, përfaqësuesi i Japonisë për të drejtat e njeriut në OKB, Hideaki Ueda, kërkoi që kolegët e huaj të “heshtin” në një takim. Gavin Williamson përdori të njëjtat fjalë kundër Rusisë kur ishte sekretar i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar. Dhe ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk, vitin e kaluar iu referua kancelarit gjerman Olaf Scholz si një “salsiçe e ofenduar”.

Përpjekjet e SHBA-së

Pas një viti e gjysmë lufte, a ka ndonjë shpresë se diplomacia mund të ndihmojë për t’iu dhënë fund luftimeve?

Shumica e njerëzve me të cilët foli BBC-ja mendojnë se është shumë e pamundur. Zakonisht, 95% e punës së diplomatëve janë “takime jozyrtare që shoqërohen me pirje të kafesë”, shpjegon Bondarev. Kontakte të tilla ka shumë, thotë ai - nuk ka më shumë për të treguar këtu”.

Ambasadores Kelin i është ndaluar hyrja në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Në një moment, thotë ai, Ambasada ruse në Londër pothuajse mbeti pa gaz dhe energji elektrike dhe kompanitë e sigurimeve refuzuan të sigurojnë makinat e misionit.

Herët a vonë, dialogu do të duhet të ndodhë, thotë analisti i RAND-it, Samuel Charap. Alternativa e vetme ndaj negociatave është “fitorja absolute” dhe nuk ka gjasa që as Kievi apo Moska ta arrijnë këtë në fushën e betejës, argumenton ai.

Por ai nuk pret që bisedimet të ndodhin së shpejti. “Putini ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë mandatit të tij në pushtet”, ka theksuar ai. “Dhe sinqerisht, nuk e di nëse ai do të jetë i gatshëm të angazhohet”.

Autoritetet ukrainase ankohen se Rusia po ofron edhe një herë ultimatume në vend të kompromiseve, siç është kërkesa që Ukraina ta pranojë aneksimin e territoreve të pushtuara. Kievi nuk ka ndërmend të negociojë në kushte të tilla dhe aleatët e tij perëndimorë e mbështesin publikisht këtë vendim.

Rusia duket e vendosur të mbështetet në makinerinë e saj ushtarake, në shërbimet e inteligjencës dhe fuqinë gjeoekonomike për ndikim - në vend të diplomacisë.

Në këto rrethana dëshpëruese, pse diplomatët rusë nuk po votojnë thjesht dhe nuk po japin dorëheqjen fare nga shërbimi i jashtëm?

“Është një problem për të gjithë ata që kanë ngecur në pozicionet e tyre për 10 deri në 20 vjet”, ka theksuar një ish-punonjës i Kremlinit për BBC-në. “Nuk ka jetë tjetër për ty. Është e tmerrshme”.

Bondarev, ish-diplomat, pajtohet me këtë. “Nëse nuk do të kishte qenë lufta, ndoshta do të kisha qëndruar dhe do ta duroja”, është shprehur ai.

“Puna nuk është aq e keqe, rri ulur, vuan pak dhe në mbrëmje del për shëtitje”.

Përktheu: Blerta Haxhiu