Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sistemi i ri hyrje-dalje i BE-së po shkakton vonesa deri në tri orë, thonë aeroportet

Sistemi hyrje-dalje EES

Foto: Associated Press

Udhëtarët që po kalojnë nëpër disa aeroporte evropiane raportohet se po presin deri në tri orë në kontrollet kufitare për shkak të sistemit të ri të hyrje-daljeve të Bashkimit Evropian (EES).

Pasagjerët në aeroporte në vende si Franca, Gjermania, Belgjika, Italia, Spanja dhe Greqia po presin disa orë në kontrollet kufitare, ka thënë organizata Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI). 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Drejtori ekzekutiv i ACI-së, Oliver Jankovec tha për “Financial Times” tha se situata do të bëhet e përballueshme, veçanërisht gjatë muajve të pikut të verës. 

EES hyri në fuqi të premten në vendet e Shengenit – 25 nga 27 shtetet e BE-së plus Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Ai kërkon që pasagjerët nga vendet jo-anëtare të BE-së, të regjistrojnë informacionin e tyre personal dhe biometrik në kufi.

Sistemi është futur gradualisht që nga tetori dhe tashmë ka shkaktuar vonesa të gjata në disa aeroporte. Të dielën, BBC raportoi se më shumë se 100 pasagjerë nuk arritën të hipnin në një fluturim të “easyJet” nga Milano për në Manchester para nisjes, për shkak të vonesave në sportelet e pasaportave.

Përfaqësues të aeroporteve dhe Komisioni Evropian zhvilluan një takim të martën për t’i diskutuar problemet me sistemin. Thuhet se ACI ka kërkuar zgjatjen e përjashtimeve ekzistuese, si dhe kompetencën për të pezulluar plotësisht kontrollet e reja.

Jankovec i tha FT se ACI kishte nevojë për mundësinë për të “pezulluar plotësisht regjistrimin EES sa herë që ka kohë pritjeje të tepruara në kontrollin kufitar që janë thjesht të papërballueshme”.

“Nga ditët e para të funksionimit të plotë mund të shohim se sistemi po funksionon shumë mirë. Në shumicën dërrmuese të shteteve anëtare nuk ka probleme”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian. 
Komisioni tha se regjistrimi mesatar i një pasagjeri ishte 70 sekonda, megjithëse ACI ka pretenduar se mund të zgjasë deri në pesë minuta.

Zëdhënësi tha se kishte “disa shtete anëtare ku janë zbuluar probleme teknike”, por që ato “po adresohen”.

“U takon shteteve anëtare të sigurojnë zbatimin e duhur të EES në terren”, tha zëdhënësi.
Zëdhënësi shtoi se që nga futja e EES në tetor, ky sistem ka regjistruar më shumë se 52 milionë hyrje dhe dalje, si dhe më shumë se 27,000 refuzime hyrjeje. Nga këto, gati 700 persona janë identifikuar si kërcënim për sigurinë.

Sistemi hyri plotësisht në fuqi më 10 prill. 

Problemet me EES vijnë në një kohë kur aeroportet evropiane po përgatiteshin gjithashtu për ndërprerje të mundshme të furnizimit me karburant për aeroplanë, të shkaktuara nga bllokada e Ngushticës së Hormuzit. Të premten, ACI i shkroi komisionerëve të energjisë dhe transportit të BE-së duke parashikuar se blloku ishte tre javë larg mungesave sistemike.

Michael O’Leary, drejtori ekzekutiv i kompanisë më të madhe ajrore në Evropë, Ryanair, ka thënë se EES po shkakton radhë deri në katër orë në disa aeroporte, duke e përshkruar sistemin si “një rrëmujë dhe një dështim total” dhe një ndëshkim për Brexitin. Ai sugjeroi që BE-ja duhet ta shtyjë zbatimin e plotë deri në tetor.